Agresiviteti, liria; cenimi i individit në shoqërinë tonë e më tej

01/04/2013 14:23

 

Nga Prof.Dr. Ylli Pango

Agresiviteti, veç mjaft shkaqesh të njohura, formohet edhe nën ndikimin e disa faktorëve specifikë në shoqëritë në zhvillim. Kështu për shembull,imagesproblemet ekonomike ndikojnë në rritjen e agresivitetit të njerëzve në këto shoqëri. Direkt dhe indirekt. Nëse në kushtet e krizës njeriu përballet me mungesa të mjeteve, le të themi jo elementare të jetesës, por të dëshirueshme apo të domosdoshme për kohën, pa dyshim ai do të kërkojë t’i plotësojë ato. Në mungesë të këtij plotësimi kemi kundër-reagimin i cili reflektohet, në agresivitet, dhe në rastet me ekstreme dhe në krim. Sidomos kur këto nevoja janë elementare ky agresivitet arrin kulmin. Njihet në psikologji termi personalitet antisocial. Mendohet se ky personalitet kryesisht formohet në rrjedhën e jetës dhe kriza ndikon mjaft në këtë formim. Ky personalitet njerëzor shquhet për raporte të frustruara, probleme në ndërveprime me të tjerët, sjellje antisociale, deri në dhunë e agresivitet.

Një faktor tjetër që rrit agresivitetin tek ne, janë elemente të trashëguara të mentalitetit të egër e të frustruar të individëve nën regjimin diktatorial. Këto elemente të trashëguara bëjnë që njerëz me pushtet në media, politikë etj., të godasin rëndë e shpeshherë në mënyrë barbare bashkëqytetarët edhe për arsye a mosarsye nga më banalet. Këto kanë çuar më pas në goditjen e personalitetit e cenimin e lirisë a privatësisë së mjaft individëve. Njerëzit shpesh janë përballur keqas me këto deformime personalitetesh a me personalitete me kufizim ose reduktim në ekstrem të elementeve të humanizmit, trashëguar nga diktatura. E për rrjedhojë ka pasur mjaft shembuj rastesh nga më të rëndat të shkatërrimit të personalitetit njerëzor që kanë çuar edhe në vetëvrasje, sëmundje psikike, vdekje etj. Agresori me pushtet politik a mediatik në këto raste ka tentuar  në mjaft raste deri në asgjësimin e plotë të jetëve njerëzore a imazheve përkatëse, pavarësisht kontributeve, aftësive, talentit, gjithë asaj ngrehinë të madhe të quajtur jetë njerëzore, ngjizur me mund e djersë. E gjitha kjo thjesht sipas dëshirës, urrejtjes, ambicieve të individëve të caktuar. Vini re ngjashmërinë: në rastet e goditjeve në kohën e diktaturave. Sidomos të goditjeve si rrjedhojë e urdhrave, mërive të vetë diktatorëve. Jetë të tëra njerëzore shembeshin menjëherë me një të rënë lapsi, me një verdikt a urdhër të sovranit diktator.

Kjo përmbante në vetvete veç paranojës së pushtetit e asgjësimeve politike edhe kënaqësinë sadiste të shkatërrimit të jetës së tjetrit, mllefet e frustracionet e jetës së shkuar të agresorit apo asgjësuesit, ligësinë njerëzore në kulmin e vet dhe mbi të gjitha cinizmin e padrejtësinë. Janë jo të pakta rastet në diktaturat staliniane e enveriane, kur njeriu sa çel e mbyll sytë përfundonte në hiç, duke kënaqur kështu epshet e ambiciet e egra jo vetëm të ekzekutorit por dhe të një turme të tërë pagane e mediokre, gjithnjë në pritje të rënies së figurave, personaliteteve, si kompensim i vuajtjeve të veta personale të mosarritjeve e dobësive, inferioritetit e mossuksesit në jetë.

Reminishenca e këtyre ngjarjeve makabre, në kohën tonë ende jodemokratike, qëndron në faktin se dhe sot e gjithë ditën shohim të goditen pa skrupull njerëz në media e kudo, shpesh për urrejtje personale, arsye politike a interesa të fëlliqura. Madje dhe në rastet kur nuk provohet asnjë lloj fajësie e viktimës a vërtetohet se vetë sulmi a goditja janë kriminale, atentatori i jetës së tjetrit vazhdon të jetojë i qetë, ndërsa viktima merr fund me gjithçka e askush nuk bën apologji…Jo më të flasësh për dënim të agresorit për krimin e shkatërrimit të një jete njerëzore.

Në fund të fundit vdekja sociale është më e rëndë se ajo fizike, e cila merr fund menjëherë. Kjo e para, vdekja a ekzekutimi social, janë të vijueshme, torturuese, dhe për karakteret jo të forta, jo rrallë marrin fund me vetëvrasje, rrënim, çmenduri etj. Kjo vazhdon tek ne dhe është një nga treguesit më të qartë që ende demokracia nuk ka ardhur e se ajo do të quhet në rrugë të mbarë kur të fillojnë ndryshimet e mëdha të mentalitetit njerëzor, respekti për njeriun. Më e keqja është se ekzekutorët e kohërave të sotme janë vegla a pjesë me rëndësi e pushtetit mediatik e politik.

Në këso rastesh në mungesë të mbështetjes së duhur ligjore a asaj të shoqërisë, njeriu duhet shpesh të mbështetet kryesisht tek vetja për të rifituar sigurinë dhe kapërcimin e vështirësive kur shtypja e personalitetit të njeriut në jetë arrin kulmin. Pra të mbështetet në aftësitë e veta, në forcën e personalitetit. Në aftësinë për t’i parë ngjarjet, njerëzit, nga një këndvështrim shumë me panoramik e të gjerë se shumica e njerëzve. Si pjesë e një të tëre pa fund, para së cilës jemi aq të vegjël, saqë dramat tona personale nuk duhen përjetuar kurrë si gjëma të mëdha. Thjesht të parët e vetes, si një pjesë e një të tëre, e cila në kulturat e Lindjes shkrihet a përfshihet në dramën a komedinë universale. Kjo ndihmon shpesh në jetë të përballohen dhe situata ku mjaft janë mbytur a vetëvrarë, zhdukur a shkatërruar mendërisht a fizikisht apo si personalitet. Kjo deri në ato kohëra kur edhe këtu demokracia, drejtësia, e drejta e sidomos mentaliteti, të piqen e të arrijnë nivelet e kërkuara të zhvillimit demokratik të vendeve të zhvilluara.

Mund t’ju jap vetëm dy shembuj persistentë kundër jetës së një njeriu në kuadër të një periudhe disavjeçare: atentati me bombë për t’i marrë jetën, dhe më pas atentati a shkatërrimi i personalitetit a më shumë i imazhit me një “atentat” tjetër po aq të rëndë viziv, mediatik. Pa llogaritur denigrime, sulme, poshtërsi të tjera me të vogla, por jo të vogla, që shoqëronin dy goditjet egërsisht agresive. Ç’është më absurdja, në të gjitha goditjet ekzekutorët kanë marrë kurora lavdie, kanë vazhduar poshtërsitë e tyre, ndërkohë që viktima madje dhe në tryezën e operacionit a shtratin e spitalit, është denigruar më keq, duke shtruar problemin në biseda publike televizive nëse duhej a nuk duhej kryer asgjësimi i tij dhe a e meritonte ai këtë. Kjo përbën një nga ngjarjet më kulmore të të kuptuarit të jetës si barbari, pa ligje e drejtësi, pa humanizëm e pa asnjë skrupull njerëzor. Këto, ndofta jo deri në këtë masë, u kanë ndodhur jo pak njerëzve tek ne. Agresiviteti tek ne është ende i pashembullt dhe vjen në një masë të madhe si reminishencë e agresivitetit e brutalitetit të shoqërisë diktatoriale nëpër rrathët e ferrit të së cilës sapo kaluam. Nuk është kollaj të flaket a shkulet nga mendja a zemra e shumë njerëzve që vijnë s’andejmi.

Agresiviteti në kohërat e sotme shfaqet edhe si rrjedhojë e imitimit a ndjekjes së modeleve mediatike, të pakontrolluara të akteve agresive, krimeve, vrasjeve, a vetëvrasjeve, aq të shpeshta në mediat tona. Dihet tashmë dhe pranohet në psikologji se shfaqja e vijueshme e modeleve agresive në media rrit agresivitetin në shoqëri. Njerëzit përjetojnë si të lehtë, mjaft të natyrshme a thjesht të realizueshme atë që shohin a dëgjojnë në ekranin televiziv. Kështu ndodh që kryhen krime karshi tjetrit sipas modeleve të përsëritura. E njëjta gjë ndodh edhe me vetëvrasjet, sidomos në moshat e reja e në adoleshencë, ku agresiviteti drejtohet karshi vetes nën ndikimin e modelit televiziv dhe kemi jo pak vetëvrasje.

Por ka edhe agresivitet, në një konotacion tjetër, që mund të konsiderohet i dobishëm. Por këtu kuptimi është i ndryshëm. Ndonëse në gjuhën shqipe fjala agresiviteti përgjithësisht ka konotacion negativ, me prurjet e reja në gjuhë, ndikimin e jetës globale, e të gjuhëve perëndimore ka filluar të përdoret shpesh edhe termi agresivitet në kuptimin jonegativ të kësaj fjale. Kështu kur e përdorim këtë fjalë në sensin e të kërkuarit të diçkaje me ngulm, të kërkesës së lartë për punë, të derdhjes së energjive të mëdha, dinamizmit, persistencës, fjala agresivitet mund të marrë një kuptim pozitiv. Ndonëse në shqip në përgjithësi kjo fjalë vazhdon të përdoret në kuptimin e parë, jo pozitiv. Kështu për të parë dallimin, nëse e kemi fjalën për dobinë e veprimit a kundërveprimit, që vijnë si rrjedhim i përdorimit të agresivitetit karshi tjetrit, këtu vlerësimi i agresivitetit është negativ. Këtu parametër mund të jetë fakti nëse shfaqja e agresivitetit i sjell dobi agresorit kur ai nuk e drejton atë karshi dikujt tjetër. Në përgjithësi veç rasteve me qëllim suksesin në punë, agresiviteti paraqitet i dobishëm në kohërat tona, veçse nëse e përdorim a e shohim si ekzorcim a nxjerrje pjesërisht jashtë të frustrimit. Në këto raste mund të kemi edhe efektin e kundërt që mjaft bukur shprehet në proverbin “uthulla e fortë prish enën e vet”.

Nëse kuptojmë me agresivitet, atë të shprehur në lëvizjen sociale a atë politike, këtu kuptimi është veçse negativ. Nuk duhet shkuar deri aty në një shoqëri demokratike. Shumë-shumë protesta e vazhdueshme paqësore e tipit gandist, ka sjellë më shumë rezultate në mjaft raste të njohura në historinë moderne në krahasim me atë që do të sillte agresiviteti, dhuna shpesh e pajustifikuar e me pasoja të rënda. Por në shoqërinë tonë të sotme edhe si rrjedhim i frustracionit të gjatë gjatë diktaturës, vijon ende të shfaqet edhe ky lloj agresiviteti që nuk ka të bëjë me protestën paqësore dhe që shpesh sjell pasoja të pariparueshme.

Ka edhe një agresivitet që shfaqet disi si një kundërveprim i një realiteti frustrues për njeriun shqiptar të dalë rishtazi në një sistem të ri kompetitiv, në kushte të reja të një ekonomie e konkurrence shpesh jo lehtë të përballueshme. Madje jo vetëm këtu por edhe në botën e madhe. Ky realitet veç pjesës së panjohur për shqiptarin është edhe rrjedhojë e problemeve të shoqërive të prekura nga kriza financiare dhe sociale. Reagimi karshi tij është shpesh joadekuat dhe shfaqet nëpërmjet kriminalitetit, dhunës në familje, delinkuencës në moshat e adoleshencës etj. Jemi në një fazë tranzitore, ku agresiviteti shfaqet në forma nga më të ndryshmet e në përmasa jo të vogla.

Si mund t’i përballojnë qytetarët shqiptarë gjithë këto probleme që sjellin për rrjedhojë në disa raste edhe rritjen e agresivitetit? Dalja në realitetin e botës më të zhvilluar do të kërkojë kohë dhe eksperienca të reja. Integrim i plotë në realitetin europian do të jetë i vështirë për këdo që kërkon qoftë edhe një punë të thjeshtë, por në veçanti edhe për biznesin, kërkimin shkencor, artin, politikën. Këto vështirësi janë të ndjeshme qysh në këto tentativa që bëjmë edhe sot, ende të paintegruar, për të jetuar në vendet më të zhvilluara. Me përjashtime të vogla, njerëzit nuk e gjejnë dot veten e tyre edhe pas një kohe të gjatë atje dhe përgjithësisht vetësakrifikohen si karrierë apo shpirtërisht, për fëmijët a për një ëndërr të vjetër, për humbje të lidhjeve me vendin amë, apo edhe për një ndryshim pas zhgënjimesh të shumta në vendin tonë. Po kjo paaftësi për të gjetur veten, rrugën e duhur, suksesin, vetëplotësimin, e që sjell për rrjedhojë edhe shtimin e agresivitetit,duhet marrë parasysh edhe për ata që jetojnë këtu e nuk tentojnë emigracionin.

Për rrjedhojë do të kemi edhe do kohë, një lloj frustrimi, e për rrjedhojë shfaqje agresiviteti, një lloj izolimi a vetizolimi që nuk do të jenë më ata të vizave a të pengimit të lëvizjes së lirë, por i mbetjes pas në kohë, si mentalitet, formim, edukatë, profesionalizëm, i pamundësisë për të zgjidhur problemet e jetës etj. Ky është vetizolimi pengesë, e vetëfrustrimi, më i madhi që duhet të kalojmë në vitet që vijnë. Përpara këtij izolimet e frustrimet e ardhura si rrjedhojë e shkaqeve thjesht personale, grupore a familjare paraqiten më të vogla. Këto sjellin ndjesinë dhe reagimin e një agresiviteti më të madh se ç’është në të vërtetë ai i shoqërisë së botës së madhe.

Kjo bën që disa nga ne këtu e të tjerë që dolën e do të dalin në një botë të madhe duhet të përballen me një agresivitet të një lloji tjetër. Një agresivitet të së panjohurës, të së resë, të pamundësisë shpesh por edhe të mbilodhjes për të arritur suksesin. Këto nuk janë të lehta e as racionale për t’u përballuar me metodat a stilet tona të vjetra. Me agresivitetet tona të vogla të një mentaliteti tashmë të prapambetur hakmarrjesh personale, goditjesh pas shpine e intrigash të vogla. Kjo është një dalje përballë një agresiviteti konkurrence që duhet përballuar ndryshe, me njohuri, përgatitje, guxim, mentalitet të ri e sidomos me aftësim gradual, por sa më të shpejtë të shprehive a aftësive integruese të individit e të shoqërisë sonë në tërësi.