Dhuna në fëmijëri dhe kompleksi i inferioritetit

01/04/2013 14:19

TIRANE - A ka lidhje dhuna në fëmijëri me kompleksin e inferioritetit ?


Prof.Dr. Ylli Pango

Intervistoi: Doriana Metollari

Dhuna ka shoqëruar racën njerëzore gjatë gjithë historisë së saj. Ajo vazhdon dhe sot nga përmasat më të vogla, cënimi fizik i individit nga individi e deri tek shfarosja e njerëzve me armët e dëmtimit në masë, genocidet etj. Problemet e interesat e kundërta ekonomike vetiake, grupore, etnike, shtetërore a globale, ekonomike, ato politike, e më pas derivatet e tyre, ende në mjaft raste nuk zgjidhen me mirëkuptim e paqe, harmoni e konsensus. Bota vijon t’i ngjasë një tërësie pa fund vektorësh të interesave njerëzore me kahje nga më të ndryshmet.

Përplasja e tyre herë kaotike e herë e organizuar vazhdon të sjellë dhunën, violencën, në të gjitha llojet e saj. Njerëzit duke filluar nga epoka primitive e në vijim vazhdojnë të ushtrojnë dhunë, agresion, vazhdojnë gjymtimet e vrasjet e njeri tjetrit, plagosjet, dëmtimet fizike ,poshtërimet, rrahjet, shkatërrimin e urrejtjen për ta. Megjithë progresin e pamatë që është bërë, sanksionimin në karta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, të gruas, të fëmijëve, mbrojtjen e tyre nga institucionet ndërkombëtare, ato shtetërore në demokracitë e zhvilluara, nga njerëzit përparimtarë, arti, letërsia, shoqëria civile, etj, ende nuk mund të themi se njerëzit kanë bërë progres të madh në luftën kundër dhunës. 

Madje në disa raste ngjet sikur ajo është bërë më e shumëllojshme e herë herë më absurde. Në kohërat moderne ajo është shfaqur në forma të reja, me vrasje masive dhe pa shkak, ekzekutim a masakrim në masë i grupeve të tëra nxënësish në shkolla, të shokëve të shkollës nga shoku i klasës, të fëmijës nga baba a nëna, nga agresorë individualë, shpesh të çrregulluar mendërisht por edhe nën ndikimin e modeleve televizive, drogës, efektit, të imitimit etj. Në këto raste dhune të shumllojshme në shkollë, në rrugë, mes shteteve, krimi e dhuna në familje e vecanërisht violenca a dhuna ndaj gruas e fëmijës zenë një vend të vecantë. 

Në një farë masë ato janë përthyerje e agresivitetit të shoqërisë në qelizën bazë të shoqërisë. Sintezë në familje e agresivitetit e dhunës së realiteteve të gjera, të vështira shoqërore, e problemeve ekonomike të shoqërisë, por edhe reflektim i problemeve psikologjike të individit, moralit, përdorimit të alkolit, drogës, ndikimit të modeleve televizive të dhunës, nivelit të ulët kulturor e konceptimit të gruas e fëmijës, të pafuqishmëve, si qënie në skllavëri a varësi të plotë nga dominanca mashkullore e burrit a kryetarit të familjes.

Çfarë ndikimi dhuna ka gjatë viteve të fëmijërisë ? 

Dhuna dhe frika si element pasues i saj kanë një ndikim shumë të madh në zhvillimin e fëmijës. Në aspektin psikologjik, fizik, neurologjik të zhvillimit, në gjithë personalitetin e tij e në aftësinë e tij të ardhme për të funksionuar normalisht në shoqëri. Për fat të keq, është familja, mjedisi shtëpiak, ndër vendet ku shfaqet për më së shumti edhe dhuna më e madhe karshi fëmijës. 

Ajo shfaqet në dhunën e babait a të nënës karshi fëmijës, në relacionet e këqia nënë-babë që reflektohen psikologjikisht, emocionalisht në dhunë tek mendja e fëmijës me pasoja të mëvonshme në personalitetin e jetën e tij, por edhe fizikisht në dhunë karshi tij në rastet kur ai ndërhyn në këto relacione të ashpërsuara nën-babë në mbrojtje të nënës, për zbutje të tyre, a për të kërkuar mbrojtje nën terrorin psikologjik etj. 

Veç famijes dhe komuniteti e shkolla gjithnjë e më tepër në dekadat e fundit janë mjedise ku dhuna shfaqet në rritje. Këtu veç dhunës të të rriturit shfaqet edhe dhuna e adoleshentit ndaj moshatarëve të vet. Ajo shfaqet edhe me kërcënim, sulm, dëmtim fizik të manjakëve a psikopatëve deri në përdorimin e armëve për të ndjekur vrarë si në gjueti dhjetra njerëz njëherësh si në rastet tashmë të njohura në Norvegji, në Sh.B.A etj, bërë të njohura nga mediat. Kështu edhe lagjia e shkolla bëhen mjedise gjithnjë e më pak të sigurt. 

Tek ne, në rrethinat e qyteteve të mëdha e sidomos në kryeqytet, nga imigrimi masiv prej zonave rurale, janë krijuar tashmë mjedise heterogjene, tashmë tipike për lulëzimin e dhunës e kriminalitetit adoleshent. Gjenden aty shembujt më të larmishëm të dhunës në familje, dhunës ndërmjet adoleshentëve deri të krimeve nga më të rëndat. 

Lëvizja migratore, me problemet e veta të mbijetesës për familjet, është një faktor stimuluse për dhunën në familje karshi fëmijëve e adoleshentëve por edhe për edukimin me dhunën të këtyre të fundit.

Media violenca është një tjetër faktorët më madhorë, problematikë e të rrezikshëm të shtimit të dhunës karshi fëmijës në kohrat e sotme, por edhe të stimulimit të dhunës e imitimit të saj nga të vegjël e adoleshentë. Ajo është faktor i frikshëm, i ushtrimit të dhunës së vetë fëmjëve e sidomos adoleshentëve karshi moshtarëve të tyre por edhe më tej. 

Fëmijët shpenzojnë gjithnjë e më shumë kohë përpara ekraneve. Violenca në media rrit potencialin për agresivitet dhe shfaqjet agresive e antisociale nxisin imitimin. Në bazë të teorisë së modeleve ato formësojnë në psikologjinë fëminore e atë të adoleshentit modelin e heroit i cili në mjaft raste është agresiv, kriminal, I dhunshëm e I fortë fiziisht por edhe I pashpirt. Në përfytyrimin e fëmijëve këto e bëjnë botën reale të duket më pak e rrezikshme se ajo që shohin në media. 

Në realtetin konkret ai nuk gjen në mënyrë kaq të mpiksur artistikisht e të dukshme sa në media, këtë larmi krimi e përmasash të shfaqjes së tij. Kjo i bën fëmijët të jenë disi të përshtatur, të mësuar, më pak të ndjeshëm ndaj violencës a dhunës reale. Dhunës së ardhshme ushtruar karshi tyre por edhe prej tyre mbi të tjerët në një mjedis real. 

Po të përfytyrojmë tani se si veprojnë të gjitha këto bashkë tek fëmijët që përjetojnë, janë dëshmitarë, pësojnë a janë objekt dhune në në shtëpi, del e qartë se imazhet mediatike e ato reale të dhunës, janë bërë e po bëhen një burimi i madh I formësimit a më saktë deformimit të personalitetit fëminor. Ato zëvendësojnë vlerat kulturore me antivlera dhe përfundojnë më vonë në imitim a përjetim të asaj cfarë është parë në shtëpi e në ekrane.

Fëmijët bëhen kështu viktima, dhunues ose dëshmitarë të dhunës në shtëpi, lagje, shkollë. Ata rriten e përshtaten në këtë atmosferë frike e dhune. Kjo pa dyshim ndikon në zhvillimin e tyre e sjell ndryshime bazale në funksionimin social, njohës, sjellor, emocional. Fëmija bëhet më pak reagues, më pak impulsiv, më i menduar kur dhuna e mposht atë. Kur ai e përvetëson atë si model rritet njëherazi dhe kapaciteti i tij individual për agresivitet, impulsivitet dhe për dhunë. Truri karakterizohet nga aftësia e zhvillimit në varësi të aktivitetit të vet. Kjo do me thënë që sa më shumë aktivizohet sistemi nervor aq më shumë zhvillohet e ndryshon truri. Sa më shumë një fëmijë ushtron një aktivitet si futbolli fjala vjen, aq më shumë ndërtohet e zhvillohet brenda trurit aftësia për aktivitet. Për rrjedhojë ky fëmijë do të luajë më mirë futboll. Truri zhvillon kështu funksione e kapacitete që reflektojnë përvojat e përsëritura. Sidomos në periudhën e fëminisë. Për analogji kjo ndodh edhe për aktivitete të tilla si ushtrimi e pësimi i dhunës. Fëmija i dhunuar tenton të moderojë frustrimin, impulsivitetin, agresivitetin, e dhunën dhe truri i zhvillohet në varësi të këtyre përvojave. 

Dhuna e traumat ndikojnë në trurin në zhvillim dhe ndërhyjnë e ndryshojnë procesin e zhvillimit nervor normal. Ato ndikojnë, natyrën e përvojave emocionale, shqisore e perceptive të ngjarjeve e përvojave të feminise. Kështu kërcënimet e dhunës aktivizojnë formën stres-reagim. Truri në zhvillim është mjaft i ndjeshëm ndaj stresit. Kur është i vazhdueshëm ky sjell deficite funksionale dhe prekshmëri shumë më të madhe nga stresorët e jetës së ardhshme. Fëmija rritet dhe truri i tij përshtatet me dhunën. 

Kjo aktivizon një tërësi reagimesh karshi kërcënimit. Këto sigurisht ndikojnë, ndryshojnë mënyrën se si vepron fëmija dhe në situate normale. Shfaqen kështu crregullime funksionale në aspektin njohës, në mënyrën e sjelljes, në emocionet. Zhvillohen ngritje emocionale, hipervigjilencë, irritueshmëri, reagim karshi stresit, shqetësim gjumi, pasiviteti, nënshtrimi.

Shfaqet një mungesë angazhimi ndaj botës së jashtme dhe reagohet kryesisht vetëm me stimujt që vinë nga bota e brendshme. Kjo sjell shfaqje si hutimi, shmangia, mpirja, ëndrra me syhapur, depersonalizimi, derealizmi, dhe në ekstrem edhe zalisja. Fëmijët që pësojnë dhunë kronike përjetojnë sikur shkojnë në një vend tjetër apo edhe ikin vërtet, zhvillojnë tipin robotik, vështrimin diku në pika të papërcaktuara. 

Më të vegjlit bëhen më pak të palëvizshëm, vuajnë më shumë dhe ndjehen të pafuqishëm për të reaguar karshi stresit të dhunës. Ndikimi i përvojave traumatike sjell edhe ankth dhe ndjenjë rreziku të vazhdueshëm. Rreziku mund të jetë direkt fizik që na paralajmëron për një rrezik kërcënues dhe që na thotë të bëjmë diçka ta mënjanojmë atë. Ose mund të jetë dhe mendim konkret i tipit: ”A do më rrahë (apo dhunojë) babai sonte?” Ka edhe shfaqje rreziku të këtyre dy tipave së bashku. 

Kur fëmija është i pafuqishëm të reagojë karshi rrezikut, ankthi rritet dhe mund të shkojë deri në depresion. Në këto raste duhet dhënë ndihmë profesionale. Më pas këto gjendje bëhen tipare të qëndrueshme të personalitetit. Kështu kur rritet njeriu karakterizohet nga hipernxitshmëri fiziologjike e vazhdueshme, hiperaktivitet, çrregullimet e thella të gjumit, ankth i përgjithësuar, problemet emocionale etj. 

Fëmijët e dhunuar kanë më shumë të ngjarë të bëhen edhe vetë të dhunshëm. Kjo sepse duke përjetuar vazhdimisht dhunë dhe frikë apo pritshmëri për dhunë, ndodhin dhe çrregullimet e sferës njohëse të menduarit apo perceptimit për jetën. Kështu fëmija i dhunuar keqinterpreton edhe sjelljet normale si kërcënuese dhe duke u bërë kështu më reaktiv, reagon në mënyrë më impulsive dhe madje dhe në mënyrë të dhunshme. 

Për sa kohë është ende fëmijë kjo është e vlefshme për t’i shpëtuar dhunës, apo si reagim apo adaptim. Por duke u kthyer në tipar personaliteti në moshë më të rritur këto tipare kthehen në keqadaptim social. Fëmija që dhunohet përfiton më pak edhe nga përvojat sociale, emocionale e njohëse. 

Kjo sepse dihet që truri ndryshon, modifikon funksionimin e zhvillohet duke reaguar karshi përvojave në varësi të përdorimit të tij në këto përvoja. Përderisa përvojat lidhen me dhunën sidomos kur kjo është kronike, proçeset normale të zhvillimit goditen. Ndodhin kështu ndryshime në aftësinë për të mësuar, për të shkruar, aftësimin social etj...

Fëmija i padhunuar, normal, fokusohet në fjalët e mësuesit, dhe realizon njohje abstrakte. Ndërsa fëmija që ka pësuar dhunë aktivizon pjesë truri të tjera që përpunojnë informacion tjetër. Ai fokusohet tek informacioni joverbal, shprehjet e fytyrës e lëvizjet e duarve të mësuesit, mundësia që së andejmi të vijë ndonjë rrezik i tipit dhunë. Kjo bëhet gati refleksive. Kështu tek ai rriten më shumë aftësitë joverbale e informacioni jo-verbal bëhet më me rëndësi se ai verbal. 

Kjo sepse duke qenë i stresuar e hipervigjilent ai përqendrohet tek gjestet, tek rreziku, pra për rjedhojë përfton shprehi joverbale. Vështrimi i syve për të nënkupton kërcënim (aq e zakonshme është bërë kjo tek të rritur që kanë përjetuar fëmini të dhunuar por edhe te normalë, sa që në trena e metro në vendet perëndimore njerëzit lexojnë që të mos përplasin vështrimet me njerëz që vinë nga këto përvoja e që mund të keqkuptohen a tu krijojnë problem). 

Një prekje miqësore për fëmijën që dhunohet, është predispozitë mashtrimi, agresiviteti, normale për botën e dhunës nga vjen i dhunuari, por jo normale për situatën konkrete. Duke u kushtuar vëmendje gjithnjë ngacmuesve joverbalë, ata janë në gjendje frike e alarmi të vazhdueshëm. Këta fëmijë të keqtrajtuar e traumatizuar mund të kenë aftësi të mira e madje talent, por nuk arrijnë t’i shfaqin këto e konsiderohen të paaftë. 

Ata nuk mund të mësojnë e as të vlerësohen kurrë sepse janë në gjendje nxitshmërie të vazhdueshme dhe nuk arrijnë të shfaqin veten. Edhe sensi i kohës ndryshon për të dhunuarin. Për të nuk ka të ardhme. Për rrjedhojë pasojat e sjelljes nuk mund të konceptohen prej tij. As pasojat e agresivitetit të vet. Kështu ai vijon pa vështrim perspektiv të jetës deri në kohën kur rritet dhe motua bazë bëhet ajo e tipit “vrit ose të vranë”. Ai vepron vetëm mbi bazën e shpërblimit imediat. Atij që i përforcon sjelljen dhe që përfitohet menjëherë. Asnjë shpërblim i vonuar për aktivitete si puna këmbëngulëse, të mësuarit etj., që do i japë rezultat më vonë, sukses etj, nuk ndikon tek ai.” 

Në përgjithësi dhuna në fëmijëri sjell ato që quhen Përvojat traumatike pervasive, që dëmtojnë zhvillimin dhe funksionimin e përgjithshëm në të gjithë sferat intelektuale, socialemocionale, fizike dhe lëvizore e që vazhdojnë në moshë të rritur. Sa më i vogël fëmija që pëson dhunë, aq më të mëdha e mbetëse pasojat. 

Kjo sepse ai është në procesin e zotërimit e formimit të mjaft shprehive psikosociale, aftësive e vijave të karakterit. Në psikologji pranohet se në 5 vitet e para formohen tiparet më të qenësishme të cilat në moshë më të vonë shumë shumë trashen por mbeten në thelb të njëjta. Në një plan më të thjeshtë formohen, lëvizjet e pavarura, mendimi i pavarur, analiza e thjeshtë, komunikimi nëpërmjet gjuhës, kuptimi i hapësirës e distancës, tërheqja emocionale e tjetrit tek vetja, krijimi i lidhjeve. 

Fëmija mëson shumë shpejt gjuhën amtare, gjuhën e huaj. Një pasojë tjetër mbetëse e rëndë ushtrimit të dhunës mbi fëmijën është humbja e shpresës. Fëmija ka aftësi të madhe të menaxhojë dhimbjen më mirë se i rrituri. Kjo sepse ai lëviz nga një gjendje mendore tek tjetra. Edhe kjo dëmtohet nga përvojat traumatikë pervazive. Përvojat e jetës së fëmijërisë funksioniojnë më vonë si modele në jetë.

Cila është lidhja ndërmjet mënyrës sesi është rritur fëmija dhe formës që ai përball situatat kur rritet, në rastet e dhunës ?

Shoqëria pasqyron në një masë të madhe mënyrën si janë edukuar fëmijët e së shkuarës. Kur ata edukohen keq, nuk mbrohen nga dhuna, bëhen vetë të dhunshëm goditet shoqëria e së ardhmes. Fëmijët e dhunuar e bëjnë dhunën pjesë të strategjisë së tyre të jetës së ardhshme për të realizuar nevojat e tyre. 

Ata shohin si dhuna shpërblen agresorin në raportin midis dy prindërve e më tej në shoqërinë e rrugës apo edhe të shkollës herë herë. Kësisoj fëmijët që bëhen më vonë të rritur, krijojnë një shoqëri agresive, jo krijuese e violente. A mund të thuhet se edhe ne do të vuajmë për ca kohë pasojat e formimit a keqedukimit të fëmijëve të dekadës së parë të viteve 90. 

A mund të gjykohet se dhuna e brutaliteti, kriminaliteti i këtyre viteve por edhe i viteve më vonë, komplekset e vazhdueshme të frikës e konformizmit janë pasojë e këtyre viteve. Kjo periudhë për vetë tranzicionin e kaosin që kaluam, mendoj se frenoi kreativitetin, abstragimin, kulturimin e të rinjve,edukimin, shkollimin i cili ishte formal dhe edukatën prindërore (sidomos në basifondet e imigrimit), elemente këto të domoosdoshme të progresit human. 

Po edhe sistemi i dhunshëm nëpër të cilin kaluam para viteve 90 ka ndikimin e vet në formësimin apo shfaqjen e agresivitetit e dhunës në shoqërinë e sotme. Një sistem i dhunshëm natyrisht që reflekton më vonë në mendjen e njerëzve metoda të dhunës e të agresivitetit ndaj njeriut në shoqëri e familje. Edhe fëmijët e athershëm, burra të rritur sot, mbartin të interiorizuar dhunën, sidomos atë të modeluar e shfaqur deri në qarqet më të larta të shtetit totalitar të pamëshirshëm me njerëzit. 

Si mund të mos kujtohen ekzekutimet pa mëshirë, torturat e burgosjet për jetë, të njerëzve e të mos kenë asnjë ndikim në psikologjinë e njerëzve tanë edhe sot. Qoftë në formën e inferioritetit e frikës në disa raste, qoftë edhe në atë të mungesës së mëshirës e barbarisë a mizorisë së shfaur edhe sot në disa media apo verdikte të njerëzve karshi njerëzve, që shkojnë deri në dëshirën për ekzekutim a zhdukje të tyre. 

Cila është lidhja që ka dhuna me menaxhimin e emocioneve ?

Ka pa dyshim probleme të mëdha përsa i takon sferës emocionale dhe ndikimit në të të dhunës në fëmini. Tek meshkujt fëmijë të dhunuar, sic mund të jetë vënë re shfaqen dy kategori: e para ka të bëjë me inferiorët, ata që dhuna i mposht krejtësisht e kthehen në qënie të frikësuara me tiparet e komplekset që përshkruam më lart. 

Kategoria e dytë kategoria që nga i dhunuar, në të ardhmen kthehet në dhunues apo i dhunshëm, vec pandjeshmërisë emocionale shfaq edhe zhvillimin e ndjenjave johumane, agresivitetit e deri në formin të personalitetit antisocial, a kriminal. Djemtë mbi të cilët është ushtruar dhunë, kategoria që nga i dhunuar në të ardhmen kthehet në dhunues, veprojnë mbi bazën e motos “Me dhunë arrihet gjithshka. Dhuna të jep atë cka dëshiron”. 

Duke ju nënshtruar dhunës në fëmini, ata humbasin shprehitë verbale apo i kanë ato tepër të varfra e jo adekuate dhe përforcojnë ato joverbale. Nuk njohin as dialogun, as debatin e diskutimin. Aspekti emocional goditet rëndë dhe zhvillohet mungesa e dhëmbshurisë, dashurisë, mizoria, indiferenca e ftohtësia për vuajtjen e tjetrit a mungesa e empatisë.Ata mësojnë të njohin e përdorin vetëm agresivitetin fizik, trembjen e tjetrit, dhunën në raportet me tjetrin. 

Ndikimi i dhunës pësuar në fëmini është i fuqishëm tek të dy sekset por ka dhe ndryshime a variacione gjinore për sa i takon goditjes së aspekteve emocionale e atyre intelektuale: Kështu vajzat, ndryshe nga djemtë, (sigurisht me përjashtime të vogla vajzash që mund të kalojnë në të dhunshme) i takojnë kryesisht kategorisë së parë. Ato adaptohen të mendojnë që dhuna është normale dhe për rrjedhojë përshtaten për të mos thënë aftësohen, për t’ju nënshtruar dhunës e për ta pranuar atë si normale a të zakonshme në marrëdhëniet e tyre të ardhshme intime a familjare. 

Tek ato zhvillohet kësisoj veç frikës, nënshtrimit dhe kompleksi i inferioritetit. Kur ende nuk kanë krijuar familje ato fillojnë të praktikojnë përjashtimin a mënjanimin nga grupi shoqëror të të tjerëve që ju duken të rrezikshëm, (sidomos meshkujve) e kur nuk e realizojnë këtë mënjanohen edhe vetë. 

Thashethemi ka gjithashtu ndikim të madh tek ato e përdoret si armë e të pafuqishmëve prej tyre. Por në përgjithësi të dyja palët, meshkujt e femrat, humbasin ndjeshmërinë karshi sjelljes së dhunshme dhe kur rriten e pranojnë atë si normale. Po kështu kur rriten a më herët, angazhohen vetë në sjellje të dhunshme, si prindër apo në raport me të tjerë. Të rriturit në familje të dhunshme, qofshin meshkuj a femra, gjithashtu pranojnë më lehtë dhunën në kurrizin e vet ose e tolerojnë atë duke mos e parë si të tillë edhe sepse në disa raste ajo mund të jetë më e vogël se ajo që kanë provuar vetë në fëmijëri. 

Ky është një lloj adaptimi me dajakun, që sjell tjetërsim të personaliteti njerëzor. Asnjë lloj violence nuk duhet pranuar a toleruar sepse të gjitha sjellin pasoja fizike e psikologjike. Madje edhe dhuna më e vogël në familje, ekspozimi i fëmijës ndaj saj, sjell pasoja. Madje afatgjata për fëmijën kur rritet. Në jetën intime, në familje, shoqëri, proçese njohëse, inteligjencë, perceptim, ndjeshmëri. 

Një nga rastet më të rënda të dhunës karshi fëmijëe me pasoja mbetëse në moshë të rritur, është abuzimi seksual Ky abuzim duhet trajtuar më vete, por në kontekstin e vështrimit të saj si një lloj i dhunës karshi fëmijës,po e prekim disi këtu. Duhet përmendur që kjo lloj dhune shoqërohet zakonisht me keqtrajtime të tjera si dhunimi fizik, rrahja, poshtërimi, tallja, tradhëtia. 

Kjo lloj dhune sjell tek fëmija, sidomos vajzat, por edhe në rritje, vetvlerësim negativ, perceptim të vazhdueshëm rreziku dhe padrejtësie, pafuqi e preokupim të vazhdueshëm për të kontrolluar, kompleks fajësie, e ndjesi se vet ai fëmija, sidomos kur është vajzë, është fajtor për dhunimin seksual. 

Pasojat e abuzimit sekual në fëmijëri ndjehen edhe në moshë të pjekur në formën tashmë klasike të stresit posttraumatik. Ato shenjohen në personalitet sidomos në formën e mungesës së sigurisë në raportet miësore e dashurore, e në intimitetin e munguar seksual të të abuzuarit. Dëmtohet dhëmbshuria, jetohet a tentohet vetizolimi, ngatërrohet abuzimi me kontaktin e shëndetshëm seksual, shihen kontaktet emocionale si provokative, dhe sjellja normale emocionale quhet me tendenca abuzive. Sidomos në këto raste është interesant raporti midis traumës dhe fajësisë. 

Trauma si një dëmtim i rëndë e i qëndrueshëm zhvillimi, me ndikim në tërë jetën e viktimës, zakonisht vjen papritur dhe është vështirë të kuptohet. Njeriu përpiqet të kuptojë c’i ndodhi dhe pse i ndodhi atij ose asaj e jo dikuj tjetër. Kjo është një mënyrë për ta parandaluar ngjarjen që solli traumën, që të mos ndodhë më. Një shprehje kjo e frikës së përsëritjes. Kjo është edhe ndër pasojat më persistente që vjen bashkë me traumën. Kështu p.sh tek një vajzë që është abuzuar nga babai apo nga një mashkull i rritur mik i familjes, që fëmijë, nga frika e përsëritjes së abuzimit, zhvillohet në vetvete një frikë nga personat mashkull. 

Si rrjedhojë ajo do të ndjehet gjithnjë jokomode madje e frustruar me meshkujt. Ajo do i shmangë kontaktet me ta që të parandalojë shpesh në mënyrë jokoshiente përsëritjen e abuzimit. Ajo edhe kur të rritet do të shmangë raportet intime dhe kështu nuk do të njohë dashurinë, intimitetin me një burrë, e as lumturinë e familjes. Madje edhe kur krijohet familje ajo është e destinuar të jetë problematike. Kjo është pasojë e stresit posttraumatik dhe dëmton aspekte me rëndësi të rritjes e zhvillimt. 

Frika e përsëritjes krijon sic e thamë edhe një ndjenjë fajësie dhe kjo është gjithashtu një mënyrë për të parandaluar përsëritjen e ngjarjes që solli traumën. Duke bërë veten fajtor viktima e abuzimit kërkon kësisoj të ndryshojë sjelljen. Në të vërtetë duhet të veprohet në të kundërt. Duhet ta njohësh traumën e të kuptosh tamam rrethanat pse ndodhi. 

Të gjitha këto shfaqen siç e thamë si simptoma të stresit postraumatik, me shembull nga më tipikët, shfaqjen në moshë të rritur të pasojave të abuzimit në moshë të vogël. Tek ne ka vajza të tilla që ndonëse nuk kanë jetuar përvoja të tilla traumatike janë edukuar me mundësinë e ndodhjes së tyre a me edukimin e fobisë për raportin emocional e atë seksual me mashkullin. Një edukim të tillë do ta quaja edukim i supozuar postraumatik dhe ky ka ndikimin e vet sado më të butë në zhvillimin normal të femrës.

Që të prevenohet dhuna ndaj fëmijës, që të vlerësohet dëmi i bërë e që të dihet nëse ka nevojë për ndihmë, e c’lloj ndihme është e nevojshme, vec ndihmës profesionale nga psikologu, prej prindit duhet dëgjuar edhe zëri i fëmijës. Fëmijët dinë më shumë se c’mendojmë ne. Të rriturit kanë më shumë njohuri e kulturë por fëmijët kanë më shumë inteligjencë të brendshme. 

Ata i zbulojnë vetë gjuhën e rregullat e saj gramatikore. Kompiuteri e zotërimi i tij i shpejtë nga fëmijët, është një shembull që tregon kapacitetin e madh të fëmijëve për të mësuar. Në një aspekt fëmija ngjason me kompiuterin: ai është një procesor i jashtëzakonshëm informacioni. Truri i tij fleksibël ka infinitivisht më shumë aftësi se c’mendojmë. 

Prandaj të rriturit duhet të njohin më mirë fëmijët. Pa iu imponuar për gjithshka. Për prindin hiperprotektiv fëmija duhet të ndjejë tamam atë që ndjejnë prindërit, ndonëse janë qënie të ndryshme, dhe të mësojë, rritet e përshtatet sipas dëshirës e konceptit të tyre. Deri edhe në zgjedhjen e rrugës së jetës në disa raste. Në të vërtetë i rrituri duhet t’i dijë kufizimet e veta, qoftë ato që vinë nga koha e re, nga teknologjia, qoftë ato të lidhura me ndryshimin e moshës, tiparet e ndryshme të personalitetit të vet nga ai i fëmijës. Por sidomos edhe ndryshimet emocionale që vinë nga trajtimi i ndryshëm i fëmijëve në kohëra të ndryshme. Po të kihen parasysh këto fëmija hapet më shumë, kuptohet më mirë dhe ndihmohet më me efektivitet të përballojë pasojat e dhunës apo edhe rreziqet potenciale të saj kur ajo ndodh jashtë familjes por dhe brenda saj nga një prej pjestarëve të vet.