FAMA

11/06/2013 10:31

Prof. Dr. Ylli Pango

imagesNjeriu quhet i famshëm kur është i njohur gjerësisht, ka raporte të gjera sociale, aktivitet a vepër me ndikim në jetën materiale a shpirtërore të mjaft njerëzve të tjerë. Fama ka përmasa që zënë fill nga ajo lokale apo kombëtare, e deri ndërkombëtare. Njeriu mund të jetë i famshëm në art, sport, politikë: Në politikë janë të famshëm sidomos ata që zotërojnë skakierën politike fuqishëm e drejtojnë vendet për vite me radhë. Njeriu mund të jetë i famshëm për shkak të zbulimeve a studimeve në shkencë, të ketë famë për shkak të pasurisë, të jetë lider a ikonë biznesi si Jobs, Buffet, Gates. Fama lidhet gjithashtu me të qenit personazh televiziv (drejtues emisioni, talkshowman etj.), apo me prejardhjen aristokrate, nga familje me paraardhës të shquar si Kenedi, Bush, Hilton, apo nga familje të njohura për pasurinë e madhe trashëguar si Rockefeler, Rothchild, Morgan etj. Të famshëm janë edhe pjesëtarë të familjeve mbretërore, topmodelet, gazetarët e kolumnistët e mëdhenj. Por ka të famshëm edhe për shkak të pushtetit informativ a atij shpirtëror si gurutë, liderët fetarë. Të famshëm janë edhe personat që zotërojnë pushtetin e ekspertit në fusha të ndryshme dhe i bëjnë njerëzit në masë të kërkojnë ndihmën e tyre. I famshmi ka një profil të dallueshëm dhe krijon tërheqje, magjepsje e influencë në publik dhe ndikim të përditshëm a të vazhdueshëm në media. Ai zotëron gjithashtu atë që quhet pushteti i referentit. Ky është ai pushtet që i bën njerëzit t’i referohen atij, t’i ngjasin, ta ndjekin si model, ta imitojnë në grupimet ku ai drejton, inspiron, bën biznes etj. Kjo sjell kësisoj edhe avantazhe materiale ekstra për të famshmin. Statusi i të famshmit është kulmi e më pas shoqëruesi i përhershëm a për një kohë të gjatë i karrierës së sportistit, artistit, politikanit të madh. Ai e arrin këtë status kur shkëlqen mbi të tjerë në fushat që zotëron. Por ka dhe të famshëm për të qenë të famshëm si Paris Hilton. Ata bëhen të tillë thjesht nga vëmendja e medias, nga origjina familjare a nga lidhja me persona të njohur. Elemente të tilla ka pasur në fillimet e saj dhe më vonë edhe Madonna që, ndonëse këngëtare e famshme, një pjesë të famës e ka nga aftësia për t’u bërë e famshme e për të tërhequr vëmendjen me çdo gjë. Veç famës së mirë ka edhe famë të keqe, që lidhet kryesisht me aktet kriminale të bujshme. Njerëz me famë të tillë janë kriminelët e njohur, serial-killerët, vrasësit e njerëzve në masë si Adolf Ajhman. (Kjo kategori fame nuk është pjesë e këtij trajtimi dhe meriton një analizë të veçantë). Ka edhe njerëz të bërë të famshëm nga një rastësi a ngjarje jo e zakontë që iu qëllon në jetë. I tillë ishte rasti i amerikanit të zënë në flagrancë nga e shoqja në fillimvitet ‘90. Atij i prenë penisin dhe më pas e operuan aty për aty duke ia ngjitur me sukses. Kirurgu u bë i famshëm, por edhe viktima u bë i tillë. Ai u ftua nga studio të ndryshme televizive, në variete dhe u bë aktor i njohur, natyrisht me famë lokale e deri diku kombëtare. Ka njerëz që bëhen të famshëm për një kohë të shkurtër edhe nga dalje intensive në media brenda pak kohe për shkaqe a rrethana të ndryshme. I tillë është Myslym Pashaj, që për pak kohë hyri e doli nga skena publike shqiptare për shkak të përdorimit të një ngjarjeje të njohur për qëllime politike. Por ka edhe njerëz që bëhen shpejt të famshëm a më mirë të njohur dhe relativisht pa shumë mundim në sajë të njohjeve, se janë me fat në këtë aspekt apo se janë në vendin e duhur, në kohën e duhur. Kjo është në përgjithësi një famë që në mos vdes shpejt, nuk mbetet në zemrën e njerëzve, por ndofta thjesht në mendjen e tyre. Të tillë janë edhe njerëzit që shfaqen në TV a programe zbavitëse thjesht si spektatorë, njerëz të zakonshëm, personazhe komikë, kontroversë, mendjehollë a tipa popullorë, një farë vox popoli etj. E tillë është gruaja e moshuar në programin e Ardit Gjebreas të dielën pasdite. Njerëz të tillë mund të kategorizohen si të famshëm të shkallës B. Në këtë grup njerëzish hyjnë edhe njerëzit e etur për çfarëdolloj fame si vajza B, nga Fieri, që do të ishte dakord të kishte edhe famë negative, mjaft të njihej nga njerëzit. Kjo temë është trajtuar me humor për italianët e çmendur pas famës edhe nga Woody Allen në filmin “To Rome with love”.

Për të arritur famën njeriu lufton, përpiqet, si fillim duke menduar për suksesin jo vetëm si famë por edhe si mjet jetese, shtysë, motivacion. Pastaj, pas një karriere të suksesshme mund të bëhet i famshëm në një fushë të caktuar. Pra suksesi lidhet me famën, por koncepti i suksesit ndonëse lidhet me të, nuk është i njëjtë me atë të famës? Sukses vjen nga fjala latinesuccessus apo succedere “arrij”, “ia dal mbanë”. Suksesi është plotësimi i një qëllimi, arritja e një statusi të lartë social, mbarëvajtja a arritja e fitimeve të mëdha dhe e emrit të mirë në një biznes, arritja financiare, pasurimi, realizimi i një qëllimi të caktuar, fitimi i një pozicioni të nderuar, suksesi politik që të shpie në marrjen e pushtetit, në caktimin në një pozicion të lartë qeveritar a parlamentar etj., etj. Suksesi është dhe përfundimi me rezultate të mira i një shkollimi apo kryerja me përpikmëri e përsosmëri e një detyre si individ apo në grup që jo detyrimisht shpien në famë. Nëse si rezultat i këtyre arritjeve, sukseseve, fusha ku njeriu ka qenë i suksesshëm është e preferuar për publikun, nëse ai ka pasur dhe vëmendjen e medias, nëse ka dashur edhe vetë ta bëjë sa më publik këtë sukses, ai mund të bëhet edhe i famshëm. Pra suksesi lidhet me famën, sepse pas arritjes së sukseseve të disa prej llojeve që përmendëm më sipër, pas një karriere të suksesshme në një fushë të caktuar e nën vëmendjen e njerëzve a të medias në përgjithësi, mund të bëhesh i famshëm. Por edhe mund të arrish sukses e të preferosh të bësh jetën tënde personale mes miqsh e familjarëve, pa dëshiruar që të tjerët të dëgjojnë për ty a të njohin suksesin tënd, ndonëse kjo në botën e sotme tejet të mediatizuar e të asaj online, është e vështirë të mos vërehet. Pra, i suksesshmi mund të bëhet i famshëm. Të jesh i famshëm në përgjithësi duhet të kesh qenë i suksesshëm, por e anasjellta nuk është gjithnjë e vërtetë. Ka mjekë a inxhinierë të suksesshëm, juristë etj., që ka pak të ngjarë të bëhen të famshëm, sepse njerëzit janë pak të interesuar për këto fusha. Dhe që të arrish suksesin e për më tepër që të kalosh nga suksesi në famë, duhet të ketë jo rrallë kombinim të rrethanave fatlume, fat të mirë, njohje me një person të fuqishëm a të famshëm që të ndihmon, por sigurisht të gjitha këto me parakusht vullnetin, përpjekjet, aftësitë. Le të themi suksesi e më pas fama në përgjithësi vijnë si rezultat i përpjekjeve të mëdha, vullnetit të çeliktë por edhe si rrjedhim i një fati të mirë.

Kur njeriu e arrin famën, kupton se është bërë i famshëm, shikohet si i tillë, si fillim ndjehet shumë mirë. Është diçka që njerëzit e kërkojnë kur nuk janë të tillë dhe kur e arrijnë janë vërtet të lumtur, disa në qiellin e shtatë. Amerikanët, veçanërisht, e kanë aq të dëshirueshme famën, e admirojnë të famshmin, lënë kokën, ca herë nderin, mendjen për të. Pastaj vjen ngopja dhe pasojat pozitive por edhe negative të famës. Bezditë, sulmet, përgjimi i intimitetit, ndërhyrja në jetën personale, penalltitë. Por këto bashkëjetojnë me të mirat e famës përsa kohë suksesi (në sport, biznes, art etj., ) vazhdon. Njeriu është qenie sociale dhe pa njerëzit nuk rron dot. Ai ka nevojë për vlerësimin e tyre, kontaktin, ngrohtësinë, simpatinë, mbështetjen, ka nevojë t’i ketë ata përreth, ta dëgjojnë, kuptojnë, t’i buzëqeshin, dhe kur është i famshëm të gjitha këto janë maksimale. Me famën ndryshon pothuaj gjithçka në jetë. Sidomos kur fama është e merituar veç shprehjeve të dashurisë, simpatisë, idolatrisë, edhe ofertat materiale e honorifike vijnë nga të katër anët. Ftesa për pjesëmarrje, programe televizive, oferta sponsorësh, reklama, programe ndihme, fansa që e rrethojnë të famshmin nga të katër anët, pasuri, veneracion, idolatri, nganjëherë madje deri në bezdi. Admirimi, fetishizimi e bëjnë të famshmin e ri të përjetojë një gjendje parajsore. Restorante luksoze, hotele, jetë e mbushur me evenimente. Raportet sociale shumëfishohen në mënyrë të jashtëzakonshme. Qenia ndryshon gjithashtu mjaft së brendshmi në aspektin psikologjik, ndryshon këndvështrimi për veten, vetëvlerësimi, pikëpamjet, ajo çka thotë e bën dhe si pritet ajo. Vjen edhe pasurimi i shpejtë dhe së bashku me të edhe problemet. Njerëzit e thjeshtë do të thoshin: “le të vijë pasuria me të gjitha problemet e saj, se i pranojmë”, por nuk është gjithnjë kështu. Sidomos aty ku ligji dhe shteti janë shumë të fortë si në Perëndim, dhe aty ku këto nuk janë të tilla si në Shqipëri. Shpesh edhe fakti që të famshmit janë të pasur shihet negativisht, me sy kritik nga njerëzit e thjeshtë, për vetë sasinë e madhe të parave që harxhohen, luksin e tepruar dhe jetën përrallore krahasuar me të tjerët. Njeriu i famshëm e përjeton pra jetën si në Olimp. Ndjehet i përzgjedhur i perëndisë, imortal, i jashtëzakonshëm. Një imperator i njohur romak i thoshte shoqëruesit kur dilte përpara turmës që e brohoriste, t’i përsëriste vazhdimisht në vesh: “hej, je qenie njerëzore, je i vdekshëm’. Epitetet e tipit “gjigant”, “kolos”, “gjeni”, “i jashtëzakonshëm”, “i paparë’, etiketimet e medias, analistëve, fansave, lotët në sytë e tyre, histeria, idolatria, ekstaza (koncertet, ndeshjet e mëdha të sportit) mund dhe ta çorodisin të famshmin. Në anën e kundërt të famës qëndrojnë admiruesit, tek disa prej të cilëve shfaqet edhe një simptomë e njohur me emrin “Celebrity Worship”(Adhurimi i të famshmëve). Njerëzit me këtë simptomë bëhen aq të fiksuar pas detajeve të jetës personale të të famshmëve, saqë këto bëhen e mbeten aktiviteti kryesor i jetës së tyre. Njihen edhe tek ne njerëz me këtë simptomë aq të fiksuar sidomos pas sportistëve të njohur, aq saqë gjithçka në jetën e tyre lidhet me detajet, jetën, aktivitetin deri të përditshëm të idhullit të tyre të futbollit. Ata mbajnë mend e dinë gjithçka nga jeta e VIP-it që hyjnizojnë dhe në njëfarë mënyre e kthejnë jetën e tyre në një shtojcë të jetës së të famshmit. Të gjitha këto e bëjnë njeriun (jo gjithnjë) ta mendojë, a së paku ndjejë veten si diçka të përafërt me perëndinë, më pranë me pavdekësinë, duke harruar që një ditë, dhe të gjitha këto së paku brenda tij do të bëhen kaq të vogla e të pavlerësuara në raport me jetën që ikën. Së fundmi, për jo pak të famshëm, vjen venitja e famës (jo gjithnjë) dhe njeriu kupton se çdo gjë vjen e shkon. Ai kupton dalëngadalë se po fillon të harrohet, të zhduket nga kujtesa e njerëzve, se të tjerë yje shfaqen në qiellin e famës, derisa qëllon që nën një këndvështrim panoramik, të mund të ndjejë dhe kotësinë e iluzionin e gënjeshtërt të jetës. Margaret Thatcher filloi të ndjehej aq keq qëkurse pak ditë pas largimit nga Downing Street vuri re se nuk i binte më telefoni. Të trishtueshme vitet e fundit të jetës së saj, paraqitur së fundmi në film nëpërmjet rolit të luajtur mrekullueshëm nga Meryl Streep. Kirk Douglas, aktori i famshëm, sidomos në rolin e Spartakut, tashmë në moshë shumë të vjetër u ndje aq keq kur disa vajza të reja pa ditur gjë për të, pasi i mësuan emrin, e pyetën se ç’e kishte Michael Douglas (të birin, aktorin e famshëm).

Por ka edhe raste kur të famshmit, pas famës nuk lëshohen në prehrin e dëshpërimit dhe të harresës. Ka të famshëm të tillë që kur fama, fuqia, talenti iu vdesin përpara vdekjes, mbijetojnë duke u marrë me biznes dhe duke shfrytëzuar emrin, fuqinë mbetëse të famës edhe më pas, pas rënies së fuqisë, prirjes. Të tillë janë Michael Jordan etj.

Fama II: Mania e famës te ne e gjen karikaturën te Zonë e lirë

download (1)-Vijon nga numri paraardhës

Njeriu i famshëm, pa dyshim veç këtyre zotëron edhe dimensione të gjera humane e sociale. Ai ka privilegjin t’i shohë fenomenet e njerëzit, ngjarjet e eventet, dhe t’i përjetojë ato ndryshe. Ai e ka këtë privilegj edhe sepse jeton në një atmosferë të ndryshme, sheh e dëgjon mjaft në sajë të raporteve të gjera sociale, ka lidhje të shumta e merr pjesë a ftohet të kontribuojë a japë mendim për mjaft ngjarje të mëdha. Ai ka edhe ndjesitë e të qenit i madh dhe kjo e bën të jetojë raporte të tjera me njerëzit. Jeta e njeriut si tërësi raportesh sociale, për të, është e ndryshme nga ajo e të tjerëve. Në disa raste të tjera ai trajtohet si fëmija i përkëdhelur i shoqërisë së madhe, ka teka, kapriço, që i plotësohen por edhe shmangie nga normat sociale, që disa herë e bëjnë të atakueshëm nga ligji e drejtësia, policia e media. Rasti i kleptomanisë së Winona Ryder, drogës së Charlie Sheen, grushtave të Mike Tyson, çoroditjes së Balotelit, ekstravagancave të Salvador Dali etj., janë vetëm disa në larminë pafund të tyre. Në publik ka kuriozitet të madh për jetën private të të famshmëve, ata ndiqen nga paparacët, bëhen objekt videosh, lajmesh sensacionale që herë-herë i bëjnë ata të jenë edhe më të famshëm, por në disa raste dhe të vuajnë hidhur. Të famshmit disa herë përshkruhen me ngjyra të mrekullueshme e si shembuj mirësie e perfeksioni sidomos kur marrin çmime a luajnë role të mëdha, e pastaj si imoralë e perversë kur u ndodhin a kanë lidhje me skandale a ngjarje të rënda. Gjithçka brenda famës, pra edhe ana dramatike, është më e madhe, më e rëndë, më tronditëse, ashtu si edhe vetë ana e saj e bukur, më e ndritshme, më e spikatur, më përrallore se realiteti.

Njeriu i famshëm kthehet edhe në status simbol. Njerëzit blejnë me çmime të larta bluzat me emrin VIP të stampuar apo produkte prodhuar nga biznesi i VIP-ave. Dhe kjo sjell privilegje të tjera e para të tjera. Krahasuar me të tjerë, të famshmit e kanë gjithçka në favor. Kështu p.sh, nëse fillojnë një biznes, ata e tejkalojnë shpejt nivelin mesatar të një njeriu jo të famshëm që fillon biznes.

Por njeriu i famshëm me meritë, nuk duhet harruar se është mbi të gjitha njeri i punës e talentit të jashtëzakonshëm, i orëve të tëra të aktivitetit të ngjeshur fizik apo mendor, dhe publiku i gjerë jo rrallë e harron këtë duke e identifikuar atë vetëm me shkëlqimin e jashtëm, syprinën, privilegjet, famën, pasurinë, qejfin apo skandalet. E vërteta është se për të arritur tek të gjitha këto është dashur, veç prirjeve natyrale jo të zakonshme (si p.sh, parametra fizike tepër të larta të Christiano Ronaldo në sport) edhe vullnet e motivim i jashtëzakonshëm, punë e pandërprerë, e pasion, orë të tëra stërvitjeje, studimi, përpjekjesh, ditë, muaj, vite të tëra këmbënguljeje duke filluar që nga fëminia e largët. Po të lexosh a shikosh në Tv jetën a biografinë e të famshmëve, vë re se gjithnjë prapa suksesit fshihet një punë shumë e madhe, vullnet i hekurt e përpjekje të mundimshme. Njeriu i fiksuar për suksesin e më pas për famën jep shumë nga jeta e tij për këtë. Por janë shumë ata që përpiqen t’i arrijnë këto, e të paktë ata që ia dalin. Fama sidomos në Perëndim është kodifikuar edhe në forma konvencionale. Kështu kemi p.sh, Hollywood Walk of Fame (Shëtitorja e Famës), në të cilën shkruhen emrat e aktorëve të famshëm të kinematografisë, kopertinat e revistave prestigjioze, muzeun ‘Madamme Tussauds’ me figurat prej dylli të personaliteteve të mëdha, revistën Forbes me emrat e njerëzve më të pasur. Fama kur është tejet e madhe e bën njeriun të njohur anembanë edhe thjesht si emër a lavdi, pa hyrë mjaft në brendësi të asaj që ata kanë bërë e krijuar për njerëzimin. Kështu edhe tek njerëz që s’kanë interes apo nuk e njohin pothuaj fare fushën e të famshmit, emri i tyre bëhet i njohur. Picasso njihet nga pothuaj të gjithë, ndonëse pak e njohin ku konsiston gjenia e tij në art, njihet Ainshtajni, pa njohur as fizikën dhe as kontributin e tij në atë fushë etj. Është sinjifikative për këtë, anekdota e gruas injorante që e admironte Ainshtajnin pikërisht sepse nuk kuptonte asgjë nga gjenia e vepra e tij. Në kohën e sotme fama lidhet mjaft edhe me internetin, rrjetet sociale, videositet si Youtube, Twitter, Facebook, Google etj. Bepe Grillo ia dedikon famën e pasurinë veç fjalimeve në piazza edhe klikimeve në faqen e tij, ku çdo vizitor paguan 1.5 euro për të hyrë. Por rrjetet sociale kanë edhe një funksion tjetër. Të famshmit komunikojnë edhe direkt me fansat e vet. Ata kështu humanizohen më shumë dhe e magjepsin edhe më shumë publikun. Detajet e jetës së të famshmëve bëhen kështu shumë më familjare.

Variacione të famës në Shqipëri: I kam kushtuar kësaj një libër të tërë me humor, me titullin VIP. Tek ne, sidomos vitet e fundit, fama ka marrë në sensin e saj më të çuditshëm përthyerje nga më të përçudnuarat, jorealet, apo për më shumë, qesharaket. Fama është këtu objekt dëshire i kujtdo dhe në mënyrë iluzore a të stisur, pronë e kujtdo. Media fabrikon në masë celebritete (të famshëm) qesharakë, vanitozë, të famshëm për asgjë, a njerëz që pretendojnë se janë të tillë për diçka. Këta jetojnë me iluzionin e të qenit i madh a i famshëm (a shtiren si të tillë) dhe tentojnë edhe tek të tjerët intruzionin e kësaj nëpërmjet shfaqjes e rishfaqjes së tyre në media. EmisioniZonë e lirë bën një nga karikaturizimet më të goditura të kësaj manie. Fama tek ne është ngatërruar me të bërit i njohur me çdo mënyrë, qoftë edhe duke amplifikuar daljet në media pa asnjë kontribut real. Kadareja ka një tregim për famën, për një njeri që e kërkoi pa sukses famën gjithë jetën, madje edhe duke vrarë e bërë cubin, por që nuk arriti të bëhet i tillë veçse pas vdekjes. Thjesht pasi e zuri një plumb qorr në pragun e një hani e një rapsod thuri një këngë me lahutë për të panjohurin që e vranë një natë diku larg. Unë mendoj se realiteti i sotshëm tek ne është mjaft pranë këtij tregimi. Natyrisht mes të gjallëve. Siç e thamë edhe më lart, tek ne (por ndonëse shumë më pak, edhe jashtë Shqipërisë), profesione shumë të nderuara e të vlefshme për njerëzit, si ai i mësuesit, agronomit, mjekut (edhe atij të mirit fare), inxhinierit, shkencëtarit e juristit, ka shumë pak të ngjarë ta bëjnë njeriun të famshëm edhe kur ai është mjaft i suksesshëm. Tipik është rasti i mjekut të kohës së luftës, që ndjehej aq keq që njerëzit e qytetit të tij njihnin shumë më tepër një futbollist sesa atë, që kish shpëtuar mijëra jetë njerëzish gjatë luftës. Kjo sepse njerëzit nuk janë kaq të interesuar për fusha të tilla si mjekësia, shkenca etj., që nuk janë fiction dhe nuk të zbavitin. E keqja e madhe e kësaj është se tek të rinjtë humbet pothuaj fare interesi për mjaft profesione të dobishme, por jo spektakolare. Kësisoj arti dhe sporti, por edhe politika mbeten fushat më të preferuara për t’u përfshirë, për të synuar fitimin, suksesin e më tej famën shpesh tek ne të formave të shpejta e të lehta. Kjo sepse aty spikasin më shumë të famshmit dhe njerëzit, dhe masa që konsumon më shumë pasivisht median, të përditshmen, rekreativen, është më e mundshme t’i ndjekë, admirojë, t’i njohë më mirë. Në Shqipëri ka mjaft njerëz që “janë të famshëm (në përpjekjen) për të qenë të famshëm”. Ata bëhen të tillë edhe thjesht duke qarkulluar emrin në qarqe të duhura, në media, tryeza thashethemesh etj. Disa prej tyre arrijnë edhe maja të larta që mjaft të aftë nuk i kapin dot. Nganjëherë edhe thjesht sepse shoqërohen me një të famshëm apo se i bien në sy, i rekomandohen a hyjnë nën përkrahjen e një njeriu të fuqishëm. Edhe pa talent e as aftësi të veçanta. Madje edhe kur ka tek ta ndonjë element të tillë të dobët, talenti a veprimi, fama e dukjes është në disproporcion (shumë më e madhe) sesa ajo që paraqesin se bëjnë, a ajo që kanë bërë. Tipike është për këtë vajza me vetë-nofkën Zhaku, tashmë e njohur “si e famshme për të kërkuar të jetë e famshme”. Ajo bën çdo gjë, shan, fyen, sajon sensacione të paqena për jetën e saj personale, përdor fjalë të pista, shfaqet në media, pretendon se është këngëtare, kantautore, shkrimtare, regjisore, aktore, showwoman etj., dhe në të vërtetë nuk përfaqëson asgjë me vlerë në asnjë nga këto fusha.

Është e vështirë të kesh akses te të famshmit në botë. Ata ruhen, kanë truproja, nuk frekuentojnë çdo mjedis, ruajnë jetën private. Tek ne, të famshmit i ke rrugësh me shumicë, lokaleve të dorës së dytë etj. Në vende të tjera, VIP-at u ruhen paparacëve, u shmangen daljeve të shpeshta në media, mënjanojnë shpesh gazetarët kuriozë. Tek ne, paparacët kërkohen nga pseudo të famshmit. Këta u luten atyre t’i ndjekin, t’ua “nxjerrin të palarat në shesh”. Po kështu u telefonohet e u lutet drejtuesve të programeve televizive, t’i ftojnë në emisione, vetëm me synimin për t’u parë, për t’u bërë i famshëm, pa qenë me vlerë për i tillë.

Andi Warhol fliste dikur për “15-minutëshin e famës” të secilit. Në shekullin tonë secili mund të bëhet i famshëm thjesht duke qenë në kohën e duhur, në vendin e duhur. Një lloj të tillë të famshmish 15-minutësh mund ta gjesh rëndom te ne, në TV, programe zbavitëse si spektator, karagjoz a pseudo-artist i madh, pseudopiktor a këngëtar i stisur, deri në njeri të zakonshëm, spektator i famshëm si në emisionet e tipit ‘talk show’ tek ne. Ata nuk janë të famshëm, por kthehen në të tillë për shkak të veprimeve a ndërhyrjeve qesharake, madje përdoren nga drejtuesi i emisionit për ta bërë atë më të këndshëm e të larmishëm, shpesh edhe në kurriz të personalitetit të tyre. Të tillë tek ne ka më shumë se kudo.

Edhe te ne fushat më të preferuara për të ardhmen e fëmijëve, për famë e pasurim të shpejtë janë sporti e arti. Edhe për bujën që kanë, por edhe sepse këto mendohen fusha më lehtësisht të kapshme e sepse janë të shumtë prindërit që mendojnë se kanë fëmijë talente, gjenij të vegjël dhe me një të ardhme të madhe vip apo me famë të siguruar etj. Por edhe lidhur me të famshmit e ardhshëm, ndryshimi ynë me vende të tjera është tejet i madh. Pikërisht sepse, siç e kam thënë edhe në trajtimet e hierarkisë së vlerave, ndonëse në pamje të parë duket se nuk ka asgjë të keqe, problemi në thelb qëndron në përmbysjen e kësaj hierarkie të vlerave, mohimin a injorimin e saj, dhe promovimin e antivlerave a vlerave të stisura deri në absurdin e famës ireale.