Konformizmi social dhe përgjegjësia e secilit

23/07/2013 09:09

Konformizmi social është ndryshimi i sjelljes, sidomos asaj publike, i besimeve, ideve, opinioneve, (formalisht ose jo) për t’iu përshtatur besimeve e standardeve të shumicës, apo për t’iu nënshtruar presioneve sociale, të grupeve, individëve drejtues. Kjo bëhet për shkaqe të ndryshme, si nevoja për të qenë si të tjerët, mungesa e informacionit dhe gjetja e rrugës më të kollajshme për të ndjekur shumicën, një grup të caktuar, apo për t’iu përshtatur atyre, mos me qenë ndryshe nga të tjerët, nga frika e ndëshkimit, dëshira për të përfituar etj. Kulmi i konformizmit është bindja, deri tek ajo e verbër që ndodh kur njeriu u bindet urdhrave të një personi a grupi njerëzish autoritarë, në rastin kur ajo u shkakton dëme fizike e morale të padrejta të tjerëve. Gjatë tërë historisë së tyre njerëzit kanë kërkuar mjetet më efikase për të ndikuar, ndryshuar, modifikuar besimet, bindjet, sjelljet, qëndrimet e të tjerëve. Format e mjetet kanë qenë nga më të ndryshmet si bindja me argumente logjike, shpërblimi, kanosja, dënimi, dhuna, autoriteti i atij që influencon, pushteti, shteti etj. Të gjitha këto mund ta bëjnë njeriun të bjerë dakord me diçka, të bëjë sikur bie dakord, të ngrejë dorën apo të mohojë, të zbatojë urdhrat deri verbërisht, apo në të kundërt, të kundërshtojë, të luftojë për idetë e veta apo të atyre që i gjykon si më të vërtetë apo më pranë së vërtetës, deri të sakrifikohet për to. Më e rëndësishmja është të dihet se çfarë ka ndodhur vërtet te njeriu. Rezultatet më kryesore në këtë aspekt do të ishin dy: 1-Formimi apo ndryshimi i sinqertë i besimeve, ideve, sjelljeve, bindja në to, në sistemin e vlerave të tyre dhe 2-Konformizmi social.

Për kushtet sociale, ekonomike e politike që jetoi shqiptari gjatë rreth gjysmë shekulli, do të ishte me rëndësi për t’u studiuar jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen, si fillim konformizmi, si një sëmundje sociale që vazhdon ende me përhapje të gjerë, dhe më pas të shihen rrugët se si mund të formohen besimet, idetë, dhe bindja e fuqishme në ide e në sisteme të caktuara vlerash. Për këto të fundit para viteve ‘90, është folur shumë. Është propaganduar bindja e njerëzve në idealet e ideologjinë komuniste, në drejtësinë politike të vijës së partisë, sistemet e vlerave të asaj kohe si të vetmet të drejta në botë, dhe ndjekja e tyre në mënyrë të qenësishme. Por e vërteta ka qenë ndryshe. Rënia e sistemit ekonomik e politik totalitar dhe ndryshimi i menjëhershëm i bindjeve, së paku shfaqja e tyre ndryshe, i ideve, opinioneve, treguan se dhuna, ideologjike, politike e më tej fizike, mbanin me forcë në këmbë pseudobindje, e pseudobesime, vlera që ranë menjëherë. Konformizmi, ishte e vërteta e së shkuarës dhe për inerci dhe në një formë të re, pak më të diversifikuar, edhe e së tashmes në një masë të gjerë. Për këtë është folur pak asokohe, sepse të flisje për të, bije ndesh me tabutë politike e ideologjike të regjimit dhe dënoheshe. Ndërkaq konformizmi ka depërtuar thellë në mentalitetin dhe psikologjinë e shqiptarit. Por ndërkohë nuk po flitet për të pothuaj, as sot. Le të përpiqemi ta shtjellojmë këtë fenomen tek ne, sado në mënyrë joshterëse. Në një eksperiment të njohur psikologjik, njerëzit i janë bindur në një masë deri në 70 % urdhrave të një njeriu që eksperimenton, duke dëmtuar deri në rrezik jete, me goditje elektrike në distancë (të pakontrollueshëm prej tyre, pra imagjinar) viktima të supozuara, që nuk i përgjigjeshin drejt pyetjeve të një testi. Për çdo gabim jepej sipas urdhrit, një goditje elektrike me intensitet gjithnjë në rritje. Vetë eksperimentuesi është habitur në fillim me rezultatet. Njerëzit janë bindur, në një masë deri 70%, (akoma më lehtë do ishin konformuar po të  shihnin se të tjerët do bënin të njëjtën gjë. Konformizmi është edhe më i lehtë se bindja ndaj një autoriteti).Bindja në një masë aq të madhe, mund të justifikonte mjaft vepra kriminale, krime kundër njerëzimit në kohëra luftërash etj., të realizuara si rrjedhim i zbatimit të urdhrave eprore, pra formalisht pa përgjegjësi direkte personale. Por s’duhet harruar se në eksperiment nuk bëhej fjalë për ekstreme të tilla, por veçse për ndëshkime deri me pasoja fizike për përgjigje të gabuara. Po kur bëhet fjalë për probleme shumë më të komplikuara, për teori apo ide, probleme shoqërore e politike të rëndësishme, orientime apo opinione të caktuara? E vërteta është se te ne prej vitesh opinioni i individit bazohej dhe vazhdon të bazohet mjaft te shumica, te të tjerët, pa reflektime të thella vetjake, pa përpjekje për të thënë vetë diçka, duke harruar se kjo shumicë përbëhet nga individë të veçantë, nga “të tjerë” si ai, që sërish bazohen tek ajo pjesë e shumicës që mbetet duke mos llogaritur veten. (Bindja për të vepruar, nga ana e saj në një masë më të vogël, lidhet sërish ngushtë me liderin dhe urdhrat e tij dhe jo opinionet personale). Po të mund të eksperimentohej këtu, në Shqipëri, rezultatet do të dilnin ndofta edhe më të pabesueshme se në eksperimentin e përmendur më sipër. Megjithatë, duke kujtuar përsëri eksperimentin, e dimë se shumica e subjekteve të pyetur më vonë, pohonin në shumicën e rasteve se në brendësi e ndjenin se kishin gabuar. Mjaft nga shqiptarët mund të thonë gjithashtu se edhe ata (si subjektet e eksperimentit) e dinin apo e ndjenin se po gabohej. “Ndonëse shpesh ngrinim dorën, duartrokisnim apo votonim, (ca më keq kur zbatonin urdhrat e eprorëve për dëmtimin e të tjerëve)” mund të thonë një pjesë e mirë njerëzish, “ishim të bindur në vetvete se s’besonim në atë që po bënim, apo nuk ishim të bindur, por mendonim, le të veprojmë si shumica.” E vërteta është se, ndonëse dihet apo më mirë ndjehet (në disa raste në formë subkoshiente); nuk llogaritet apo nënvleftësohet forca e presionit social, nuk njihet shtrirja dhe ndikimi i konformizmit social deri në sjelljen tonë të përditshme. Pa dyshim këtu ka ndikuar së tepërmi edhe mungesa e përgjegjësisë personale për gjithçka ndodh përreth, e mendimit “ka kush merret me këto”, e moskuptimit të asaj që të gjitha këto përgjegjësi personale përbëjnë përgjegjësinë sociale për fatet e vendit e të ardhmen e tij politike, ekonomike etj. E kundërta e këtyre është alfa e qytetarisë demokratike pjesëmarrëse, e ndërgjegjes qytetare, në demokracitë e zhvilluara.

Një pjesë tjetër e njerëzve të së shkuarës rezultoi më interesante për t’u analizuar si konformistë. Është pjesa e konformistëve socialë që u “adaptuan”, u “asimiluan”, e atyre që deri në fund do t’u thoshin të tjerëve se nuk kanë gabuar, se ashtu ishte koha, se në fund të fundit të atilla ishin ligjet në fuqi. Ndër ta shumica nuk ka pasur bindje në vetvete. Por ca më keq kishte e ende ka (më pak) nga ata që e konsiderojnë atë sistem më të mirin. Këtu hynin kategoria e ish-udhëheqësve të shtetit, të rinisë, funksionarëve me peshë që zinin vend disi më poshtë piramidës, fanatikët e partisë etj. Sot, disa drejtues të partive rudimente komuniste, rilindur rishtazi në kushtet e turbullisë së tranzicionit demokratik dhe nevojave pragmatiste për vota të partive të mëdha. Këta si fillim adaptuan qëndrime, sjellje, pozicionime, të cilave u besonin. Më vonë një pjesë syresh, sidomos kur arritën të njihnin diçka nga bota, filluan të mos u besonin as vetë. Kjo pjesë në të shkuarën totalitare u rrit gjithnjë e më shumë dhe kaloi në nomenklaturën e re hipokrite, që nga njëra anë predikonte të mirat e sistemit, por nga ana tjetër e njihte mirë atë dhe përfitonte veç për vete. Ka pasur edhe një pjesë të vogël, që kur kuptuan diçka, në fillim ndofta, nuk ishin të qetë, pasi e vërteta nuk pajtohej me bindjet e injektuara apo ato që besonin vërtet (në qoftë se kishin të tilla). Kjo, dikujt ndofta i solli një lloj mungese komforti psikologjik e harmonie të brendshme, një lloj diskordance, papajtueshmërie të mendimeve e të ndjenjave. Njihet ky me emrin fenomeni i disonancës konjitive. Por tendenca e njeriut është t’i zvogëlojë konfliktet brenda vetes. Një nga mënyrat në rastin e shqiptarëve, ishte duke e bindur veten se po vepronte drejt, aq më shumë kur ofiqet, shpërblimet, privilegjet, por edhe ndonjë përkrahje më modeste, afronin një arsye të fortë për këtë. Justifikimi përpara vetes fitonte. Kur ndodhte apo ndodh që këta individë nuk panë më arsye me vlerë praktike për “të besuar” në atë që gjoja kishin besuar, erdhi dhe ndryshimi i plotë, që vuri më në pah hipokrizinë e bindjeve të tyre. U shfaqën kështu të ndryshuar edhe ish-udhëheqës partie, apo ish-udhëheqës të rinisë shqiptare, që dolën në publik në pleqëri apo në moshë të arrirë e “modifikuan” po publikisht bindjet e veta. Madje kërkuan sërish të krijonin “bindje” të reja. Ky ishte një lloj konformizimi me sistemin e ri për t’u përshtatur, për të qenë sërish në majë, për të marrë shpërblime, ofiqe, minimalisht për të mbijetuar në kushtet e reja. Sipas teorisë së disonancës, këto shndërrime të njerëzve lidhen me nevojën për të qenë koherentë. Në mjaft vende ish-komuniste kjo ka ndodhur. Në rastin tonë, jo. Tek ne, kjo mund të emërtohet ndryshe: adaptim apo adaptueshmëri kameleonike, konformizëm i ri. Në kategorinë e këtyre konformistëve u përfshinë edhe intelektualët e fushës së artit apo të shkencave sociale, por sidomos ata që u morën me politikë, ata që nga njerëz me bindje të thella ideologjike komuniste, u kthyen në ithtarë të ekonomisë së tregut, të ekonomisë së kapitalit etj., që modifikuan shkrimet, idetë, veprën e së shkuarës sipas modeleve të kohës së re. Këta syresh që arritën të jenë sërish në majë, sot bëjnë ligjin tek ne. Konformizmi i së shkuarës, tani shfaqet në kërkesën e tyre për t’iu imponuar të tjerëve, masës, për të kërkuar konformizmin e tyre brendapartiak e më gjerë, me forma më të kamufluara, kinse demokratike, por në thelb esencialisht të vjetra. Nëse brenda partive politike pothuaj nuk ka përplasje mendimi, idesh, zgjidhjesh alternative për ekonominë, progresin, politikën, por thjesht përplasje për shkak hatërmbetjesh, përjashtimesh nga listat elektorale, apo moszgjedhjesh në forume partiake a caktimesh në poste qeveritare: kjo nuk është jo më luftë antikonformistësh kundër autokratëve me trashëgimi mentaliteti të së shkuarës, por përplasje individësh për pushtet e privilegje, e zakonshme kudo por sidomos në Shqipëri në të gjitha kohërat.

Një influencë të jashtëzakonshme sociale ka pasur mbi shqiptarët dhe konformizmin e tyre social, sidomos autoriteti social i imponuar i njëshit. Natyrisht, më i madhi syresh në të shkuarën totalitare ishte vetëm ai i një lideri, ai i kryeliderit të partisë në pushtet, i sovranit (diktator). Nuk është sot fjala vetëm për një, por për disa autoritete të tilla sociale, me mendim të pagabueshëm, me vendim e fjalë të prerë, me gjykim gati sovran. Sot janë disa, natyrisht më të moderuar, por gjithashtu imponues të konformizmit social. Sigurisht, jo çdokush ishte e është në kontakt direkt me komandantin a komandantët. Por edhe masa e gjerë e ndjen pushtetin e tij a të tyre gati direkt, të përçuar nëpërmjet dhjetëra apo qindra komandantëve a kryetarëve, shefave, kryepartiakëve lokalë, a drejtorëve më të vegjël, e deri në drejtues ndërmarrjesh a institucionesh e sidomos sekretarë partish dikur, apo ca më poshtë, që impononin nënshtrimin e verbër ndaj autoritetit të tyre social. Secili syresh modelonte te vetja nëpërmjet imitimit të sovranit të madh, një autoritet në miniaturë të ngjashëm me të, duke u identifikuar herë-herë me një diktator të vogël, apo sot një njeri që të ka në dorë. Këta kërkojnë a imponojnë në një mënyrë ose tjetër konformizëm tek masa e vartësve apo punonjësve. Personalitete të tillë autoritarë e perceptojnë botën të ndarë në të fortë e në të dobët. Lidhjet e tyre me njerëzit vihen gjithmonë në lëvizje nga një stimul i fuqishëm; lufta për pushtet a mbajtje pushteti. Ata iu nënshtrohen atyre që i ndjejnë më superiorë se vetja dhe janë përbuzës e autoritarë me ata që i konsiderojnë inferiorë. E kanë të vështirë të pranojnë ambiguitetin dhe kanë tendencë të adaptojnë principe tepër konvencionale. Janë të paaftë të pranojnë dobësitë personale (madje as si mundësi), tendencat agresive apo dobësitë te vetja. Të gjitha këto cilësi të padëshirueshme ata i projektojnë te të tjerët. Janë mjaft të ndjeshëm ndaj ideologjive të tipit diktatorial. Të tilla autoritete priren e realizojnë nënshtrimin e njerëzve dhe kjo ushqen e është përsëri në vazhdën e konformizmit social.

Autoriteti social i imponuar, ai diktatorial sidomos, bashkëjeton për mrekulli me konformizmin. Një skenë tipike që e ilustron më së miri këtë ishte tepër e njohur për të gjithë shqiptarët asokohe: Një udhëheqës i lartë partiak e shtetëror flet përpara një auditori kuadrosh. Të gjithë si nxënës kanë ulur kokat mbi blloqe për të mbajtur shënime me shpejtësi. Janë të sigurt, madje edhe ata që njohin stenografinë, se shumë gjëra nuk do t’i shënojnë dot dhe kështu as fjalimin a bisedën nuk do ta dëgjojnë siç duhet. Tek e fundit janë të bindur se ky fjalim do të botohet nesër, pasnesër e do ta blejnë. Megjithatë, të bindur mbajnë shënime, ndonëse askush nuk ua ka kërkuar një gjë të tillë. Por kështu vepronte shumica, dhe po të mos veproje kështu mund të bije në sy për keq. Drejtuesve për më tepër u pëlqente kjo. Edhe më tipike ka qenë skena e ngritjes së dorës nga qindra apo mijëra njerëz në votimet unanime nëpër mbledhje apo rezultatet 99,9%, madje një herë edhe 100% në zgjedhje. Sot militantizmi shfaqet duke kërkuar të bjerë në sy të lidershipit, të vënies në shërbim pa rezerva, në aktivizimin formal e të zhurmshëm, në brohoritjet e tipit të së kaluarës, e deri edhe në bindjen pa hezitim (natyrisht më rrallë) karshi urdhrave të ngjashme me ato të kohërave të shkuara. Historia e këtyre 23 vjetëve ka njohur raste të tilla bindjeje të verbër, që i kanë çuar më pas konformistët extreme, të bindurit, në funde të palumtura personale. Në thelb, drejtuesit më të lartë kanë dalë sërish pa lagur.

Me komponentë të tillë si servilizmi, paaftësia, bindja e nënshtrimi i verbër, konformizmi ka qenë ndër aleatët më të mirë të diktaturave dhe është ende sot një ndër pengesat më të mëdha të ndërtimit të një demokracie reale. Mungesa e guximit qytetar, megjithë vështirësitë e mëdha të shprehjes së tij në sistemin diktatorial, ka qenë përreth gjysmë shekulli një ndër minuset më të mëdha të shoqërisë shqiptare dhe një ndër gjeneratorët e fuqizimit të pushtetit diktatorial dhe të autoriteteve të rreme sociale e atyre diktatoriale. Sot në një formë më të kamufluar dhe natyrisht jo të atyre përmasave, konformizmi përthyhet në dhjetëra konformizma më të vegjël, karshi mjaft liderëve partiakë, njerëzve më pushtet, njerëzve që përfaqësojnë forcën, qoftë edhe atë kriminale. Pluralizmi formalisht goditi konformizmin monopartiak, e atë ndaj pushtetit absolut unik diktatorial, por thelbi i konformizmit nuk qëndron këtu. Tek ne sidomos, ai qëndron në mentalitetin e nënshtrimit e në paaftësinë për të gjykuar me mendjen e vet. A nuk është mëse tipike konformiste, pamja e turmave në fushatat e mëdha elektorale, e disi démodé krahasuar me zgjedhjet demokratike në Perëndim. Kryetari i partisë që mëton për pushtet flet për investime, subvencione, taksa progresive e të sheshta, integrime etj. (fjalë të pakuptueshme apo të pazbërthyeshme në detaj për mjaft dëgjues), dhe njerëzit marrin pjesë, duket sikur dëgjojnë a kuptojnë, brohorasin në intervale të caktuara. Po të vihet re me kujdes, njëra fytyrë është e drejtuar diku jashtë podiumit, një tjetër flet me shokun, një i tretë ka ulur kokën e seç mendon, dikush qesh, një tjetër shfaqet i papërqendruar. Kur papritmas dëgjohet një brohoritmë e orkestruar, të gjithë i bashkohen, bërtasin, ngrenë duart lart, e sado të pavëmendshëm karshi fjalimit (shumica), brohorasin, duartrokasin, kalojnë në histeri. Turma është prezente, ajo konformohet. Lideri ngjiret, por efekti arrihet. Për ta plotësuar analogjinë me të kaluarën, në podium dalin djem artistë, grupe muzikore, vajza me kostume kombëtare, bie dajrja e daullja dhe gjithçka përsërit konformizmin e gati 50 vjetëve të shkuara, tashmë dedikuar jo më një partie, por shumë, mjaft më shumë partive të ndryshme. Pushteti ka tashti shumë kokë. Ai jep mundësi për më shumë komandantë, por edhe për më shumë konformizma, ngjyrimesh të ndryshme. Konformizmi ka më shumë zgjedhje. Pastaj kjo shpërblehet me poste, ofiqe, për më të konformuarit, më militantët, dhe siç e kemi thënë, hierarkia e vlerave, goditet sërish. Konformizmi godet hierarkinë e vlerave. Në thelb jemi përsëri konform me komandantin (tët), por në interes të përfitimit, jo aq si dikur të frikës.

Pothuaj askush nga njerëzit që mbushin sheshet sot, nuk mendon disi ndryshe nga komandanti: të rrallë janë ata që bien në mendime për ato që dëgjojnë, askush nuk pëson ndonjë ndryshim brenda vetes a të pasurohet në ide a bindje të reja, së paku pas disa muajsh fushatë ku paraqiten programe, sa shumë programe të reja, të thella, të ndritura, për të ardhmen e vendit. Fushatat, sidomos për zonat e shumta e sidomos të largëta provinciale, janë në një aspekt evenimente të rralla, një lloj feste popullore, ushqim për kuriozët, një lloj ekrani i madh ku njerëzit shohin live komandantët që i kanë parë aq shumë në ekrane. Mjaft syresh madje, deri diku shushaten, magjepsen, kur i shohin aq nga pranë, aq të gjatë a aq të gjallë, figurat aq shpesh amplifikuar nga media. Sugjestionimi është maksimal sidomos kur lideri u jep ndonjë shtrëngim dore, përgëzim, rrahje shpatullash. Fushatat sot janë një lloj koncerti, shfaqjeje, evenimenti, ngjarjeje e pazakontë, aq e rrallë, një herë në 2 apo 4 vjet, saqë duhet kuptuar a mirëkuptuar edhe pjesëmarrësi, qoftë militant ose jo. Sidomos në mungesën e variacionit, zbrazësinë e aktiviteteve kulturore a artistike aq të rralla për provincat tona. Por fushatat konformiste janë edhe një lloj sporti, (edhe sporti tek ne, për mungesë mbështetjeje financiare, nuk arrin të ngopë nevojën e njerëzve për iluzion e konsum adrenaline, si në mjediset sportive e stadiumet e mëdha të botës), një lloj tifozllëku ku adrenalina rrjedh lumë, ku njerëzit ngjiren, ulërijnë, bëjnë tifozin, të lirë tashmë të shajmë kundërshtarin a kundërshtarët. Skuadrën kundërshtare. Vini re sa me vend e ka quajtur Rama, skuadër, thjesht skuadër, ekipin e vet politik: sipas modelit skuadër sportive, siç e duan tifozët, por edhe skuadër sipas modelit të së shkuarës, skuadrave të pionierit, të punës, të Timurit etj.. Tifozi ynë konformist ka kështu “lirinë” (pa frikë nga polici a spiuni si dikur, ç’liri!), të qeshë a shpotisë hapur. I kënaqur me talljet që komandanti ynë X, i bën komandantit sharlatan Y a komandantëve të tjerë kundërshtarë, sado të mëdhenj e me pushtet të jenë ata (demokraci jo shaka). Madje disa nga turma, ata më të guximshmit a të programuarit, po të  duan vetë, mund të marrin fjalën e të shajnë kundërshtarin duke marrë rrahje krahësh nga komandanti në tribunë (ishallah nuk vjen në pushtet ai tjetri). A nuk është “antikonformizëm” ky? Dhe së fundmi tifozeria shkon në shtëpitë e veta dhe i tregojnë njëri-tjetrit a atyre që nuk ishin, se ç’panë, sa e bukur ishte shfaqja e si ia plasi komandanti atij tjetrit. E përsëri shumica nuk kupton se është konformuar. Në një masë të madhe me diçka që nuk e dinë si do përfundojë, me ide, programe që rrallë i njohin. (Nganjëherë vetëm nga ngjyra e kopertinës). Përjashto këtu konformistët-pragmatistë, që nëpërmjet këtij konformimi, (në rast se fitojmë), do të “kapin” një punë të mirë, një shkollë a një post, pse jo. Sidomos kur konformisti ka rënë mirë në sy të liderit partiak fitimtar.

Nobelisti Saramago në romanin e tij ndërton situatën hipotetike të mosvotimit të shumicës. Vetëm 2-3 % votojnë dhe pjesa tjetër nuk beson asnjë palë. Në kushtet e mosbesimit ndaj të gjitha palëve, ndofta kjo e dyta do të ishte më pranë situatës demokratike, jo konformiste. Ndonëse për ne sureale e për botën demokratike më pranë së vërtetës. Apo e anasjellta.

Konformizmi social ka qenë e mbetet një fenomen me përmasa tepër të gjera në Shqipëri. Ndikimi i tij në jetën sociale shqiptare përreth gjysmë shekulli nuk mund mos ketë pasoja për të tashmen e për të ardhmen. Ai është pothuaj e pamundur, të zhduket menjëherë e përgjithmonë, së paku për kohërat tona. Madje edhe në kushtet e një demokracie tepër të avancuar do të ishte e zorshme të pranoje zhdukjen e tij të plotë. Shumë-shumë te ne mund të pretendohet për zvogëlimin e përmasave të tij, por në një masë të madhe, kjo do të arrihet relativisht më vonë. Sigurisht, nga brezi i më të rinjve me formim perëndimor, me arritjen e një niveli më të lartë kulture të përgjithshme e në veçanti të një niveli kulture demokratike qytetare e pjesëmarrjes më masive. Për ta arritur këtë shkolla duhet të japë një edukim antikonformist demokratik më bazal, teorik e praktik. Po kështu duhet ta ushqejë këtë antikonformizëm familja qytetare e kulturuar. Kjo do të vijë natyrisht edhe kur të reformohen partitë në sensin e antikonformizmit, të ringrihet hierarkia e vlerave, të formohen besimet e qëndrueshme, bindjet e vërteta, idetë, qëndrimet personale. I gjithë ky kompleks ndryshimesh është gradual dhe kërkon kohë, por është i pashmangshëm. Me kushtin e ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes të sa më shumë njerëzve në të.