Lidershipi. Profile psikologjike, liderët shqiptarë

28/04/2013 14:10

Prof. Dr. Ylli Pango

TIRANE - Lidershipi është proçesi i influencës sociale nëpërmjet të cilit një individ (lideri), është i aftë të sigurojë ndihmën e mbështetjen e njerëzve për ta ndjekur në realizimin e projekteve a ideve të caktuara. Lidershipi është faktor bazë në jetën sociale, ecjen e progresin e saj. Ai lëviz, transformon potencialin mendor e fizik të një grupi njerëzish a të një populli për arritje të caktuara. Lideri krjon dhe çan rrugë e ide të reja, aty ku të vjetrat humbin efektivitetein e tyre. 

Dikur teoritë psikologjike mbështeteshin kryesisht, tek personaliteti i liderve të mëdhenj, mitikë, të lindur, tek veçoritë e spikatura të tyre si inteligjenca, vizioni, talenti, energjitë, vetëbesimi, vullneti, karizma, autoriteti, aftësia inspiruese etj. Në psikologjinë e sotme veç këtyre shihen mjaft faktorë të tjerë përcaktues në formimin e suksesin e liderve. Kështu sipas mjaft psikologëve lideri nuk lind por formohet nëpërmjet të mësuarit, vëzhgimit etj. Madje sipas disa të tjerëve nuk ka liderë të përshtatshëm për çdo situatë por liderë të vecantë për situata të veçanta. Kështu ka liderë më të aftë për të drejtuar në situatë lufte, të tjerë për situata paqeje a rindërtimi, etj. Sipas tyre koha, rrethanat, krijojnë liderin e duhur. Situata të ndryshme kërkojnë karakteristika të ndryshme të personalitetit të liderit. 

 

Për rrjedhojë nuk ekziston profil optimal psikografik i liderit. Kështu ka ndodhur edhe tek ne kur pas rënies së komunizmit mendohej e pamundur që dikush mund të zinte vendin e liderve komunistë amplifikuar si personalitete nga media, propaganda e sistemi i përcaktuar totalitar. Koha tregoi se në skenën e lidershipit u shfaqën mjaft njerëz, ndonëse mjaft syresh të paaftë, për të drejtuar e menaxhuar vendin. Gjithsesi një pjesë e mirë e tyre as e kishin menduar ndonjëherë të luanin rol lideri. Psikologë të ndryshëm venë në bazë të lidershipit ndërveprimin leader-pasues, shkëmbimin ku lideri jep detyrat, këshillat, mbështetjen, shpërblimet dhe pasuesi jep respekt, kooperim, angazhim në detyrë dhe performancën e mirë. 

Ndër bashkëpunëtorët dallojmë grupet e afërta a të brendshme, in-groupe, më të lidhura me liderin, më pranë tij, dhe grupe më të largëta, outgrupe. Të parët shihen nga lideri si më kompetentë e më me përvojë dhe kanë më shumë përgjegjësi, detyra speciale, por edhe shpërblehen më mirë, marrin më shumë vlerësime, poste e ofiqe,krijojnë lidhje të forta e kanë backgrounde e interesa të përbashkëta me liderin. Të dytët (out-group), marrin më pak vëmendje prej tij dhe ai mban më shumë distancë. 

Për ta ka më pak vlerësim e lideri tenton të operojë me ta më shumë nëpërmjet autoritetit formal. Gjithsesi ata janë të nevojshëm dhe lideri kërkon që ata t'u binden gjithnjë kërkesave të tij. Ata janë më pak të kënaqur me postet e punën e tyre e kërkojnë gjithnjë më shumë. Lideri luan me ta me joshjen e promovimit e përfshirjes në grupin e afërt. 

Sipas James Scoullers, liderët e sotshëm duhet të zhvillojnë e përsosin personalitetin e tyre si liderë, qëndrimin karshi të tjerëve dhe fleksibilitetin në sjellje duke njohur e operuar mbi veten psikologjikisht. Pra lideri duhet të formohet në vijimësi sepse nuk ka stil ideal e njëherë e përgjithmonë të dhënë për çdo situatë. Por është gjithashtu e vështirë e nganjëherë e pamundur që lideri, të mund të ndryshojë sjellje kaq lehtë sipas situatave të ndryshme sepse si tek çdo njeri tek liderët ekzistojnë besime subkoshiente, frikëra, zakone, besime e paragjykime, fiksime të rrënjosura hershëm. Ndryshe, edhe ata nuk dalin nga vetja kollaj. As nga besimet, fiksimet etj. 

Rama është tipik i tillë. Ai e ka vështirë të dalë nga komplekset e së shkuarës, frikërat, madje ato më të largëtat e fëminisë. Ato janë ngulitur e reflektojnë tek ai në tipare të personalitetit si vrazhdësia, arroganca, zymtësia etj.. Tek ai spikasin mjaft stereotipe negative që i dëmtojnë mjaft imazhin si lider partiak. 

Lideri, në të kundërt duhet të rritet së brendshmi si lider, në njohuri, shkathësi e aftësi, të krijojë raporte të reja fleksibël, bindjeje e besimi me të tjerët dhe njëherazi të bëhet mjeshtër i vetvetes, të njohë e të punojë me psikologjinë e vet, veten e tij, të ndryshojë e krijojë të renë edhe tek vetja. Por gjithnjë të mbetet autentik e i lidhur ndërkaq me vlerat bazë. 

Vetëm kështu mund të vazhdojë të komandojë, inspirojë njerëzit, motivojë, të mbajë besimin dhe t’i bëjë ata të punojnë me të drejt progresit. Nëse kjo nuk arrihet, vjen koha dhe lideri dështon. Në këtë aspekt është i spikatur tek drejtuesit tanë partiakë një sklerotizim i zakoneve, sjelljeve, gjesteve, veprimeve dhe raporteve me njerëzit në përgjithësi e pasuesit e afërt në veçanti. 

Media reflekton e shpesh amplifikon të njëjtat statura tash 22 vjet dhe shikuesi percepton kryesisht veç përmbajtjen neurotike të discoursit politik, lojën ende primitive politike, mungesën e të resë. Për rrjedhojë qytetari, ndjen edhe mërzinë e të shikuarit gjatë të të njëjtave figura e të njëjtave zakone a shprehi. Nuk mund të injektohen ide e programe të reja veshur me të njëjtin kostum psikologjik i cili edhe për së pari, është i pari që ndikon së jashtmi, a si imazh, në psikologjinë e zgjedhësit. Përpjekjet formale për tu treguar popullor, për të marrë pamjen e njeriut të merakosur për hallet e popullit në takimet me të (Rama me dorën e vënë me sëkëlldi nën mjekër tek dëgjon ankestarët, shpesh të sajuar, dhe reagimet e tij stereotipe të mëpasshme, të llojit: ”hajde tani…, votën aty dhe të heqim Saliun...”). 

Këto nuk sjellin mesazh të ri e as shpresë. 













Kësisoj betejat elektorale ju dedikohen më tepër nevojave për të larguar kundërshtarin politik, denigrimit të tij e premtimeve për të plotësuar nevojat pragmatiste për punësim, biznes, para, ofiqe, të grupeve më të afërta me lideri, se sa vizionit e shpresës që ngjall për masat, lideri opozitar sado modern në formë në disa raste. 

Kështu në inskenimin për një arsim të ri, Rama shfaqet si mesia nga terri në dritë pas cicërimave sqaruese të dy zogave të reja dhe intermexos së Erion Velisë, duke dhënë një formë të re teatrale-politike por pa asgjë të re në thelbin e saj politik. Tipikisht, efekt, një nga preferencat e Ramës inspiruar nga background i tij profesional. 

Sipas një teorie më të re, neoemergjente të shkollës së Oksfordit, ideja a imazhi për lidershipin a liderin krjohen sot më shumë përmes informacionit që jep ai dhe mbështetësit e tij e që ju intereson atyre. Pra riprodhimi a përpunimi i informacionit real ose historive a miteve për liderin, informacionet mediatike për të, propaganda, janë baza e perceptimit të lidershipit nga shumica. 

E meqënëse kjo shumicë praktikisht nuk e njeh veçse në këtë mënyrë pra jo direkt edhe imazhi për liderin është shpesh i fabrikuar, i përpunuar, madje mjeshtërisht, sidomos në kohërat tona kur media, ekspertët e imazhit, blogjet etj, transformojnë gjithçka. Sot shtypi, blogjet, etj., shprehin shpesh pikpamjet e veta për liderët. Por këto mund të bazohen ose jo në realitet, mund të jenë porosi a manipulime politike, të paguara nga partitë apo stisur sipas interesave të autorit, porositësit a interesave ekonomike të medias përkatëse. 

Për rrjedhojë në kohërat e sotme perceptimi për liderin, imazhi i tij, shpesh është i sajuar, i krijuar dhe shpesh nuk reflekton cilësitë e vërteta të tij. Thuhet se ky truk është luajtur edhe kohë më parë. 

Disa liderë-komandantë ushtarakë,shkruanin e dërgonin nga fusha e betejës, versionet e tyre për to e kur ktheheshin në atdhe priteshin si heronj. Tek ne ky manipulim ze gjithashtu vend ndonëse në një farë masë si vend i vogël, mjaft fakte e realitete, sidomos në zonat e mëdha urbane, njihen e kapen më lehtë nga njerëzit. Gjithsesi roli i medias në manipulim, në favor të liderëve partiakë të cilëve u shërben media e caktuar, është mjaft i madh. 

Ka krahina të largëta, zona rurale, etj, ku gjithë informacioni merret syresh, është i vetmi burim dhe lideri imagjinohet veç mediatikisht, sipas menysë së servirjes mediatike. E.Rama, njohës mjaft i mirë i manipulimit e ka përdorur mjaft median për transformim e ndërtim imazhi të rremë. 

Gjithsesi siç u tha më lart, vetja e tij e vërtetë, spikat më shumë tek ai. Mitet për lidershipin shfaqen tek ne edhe në formë tjetër. Kështu mjafton qarkullimi i emrit të dikujt, promovimi i tij në media dhe njeriu fillon të zerë vend në mendjen e njerëzve edhe pa asnjë meritë, talent, prirje a output që ta dallojë nga të tjerët. Njihen mjaft raste njerëzish me poste mjaft të larta që përfaqësojnë nulitete të dalluar si të tillë që në vitet e shkollimit e në vijimësi. 

Ky mund të shihet edhe si fenomeni i xhirimit a qarkullimit të emrit deri në mitizim. Tek ne kjo shfaqet edhe sepse mungon hierarkia e vlerave Emocionet, gjendja shpirtërore dhe humori i liderit kanë gjithashtu mjaft ndikim tek bashkëpunëtorët. Si të jenë ato do jetë dhe humori e gjendja shpirtërore e tyre. Liderët me humore negative të qëndrueshme u a transmetojnë këto dhe të tjerëve. Mekanizmi i i transmetimit nga lideri në grup vepron si një sëmundje ngjitëse emocionale. 

Në të kundërt, kur humoret janë pozitive, ky mekanizëm ngjitës vepron efektivisht që lideri karizmatik të influencojë pozitivisht pasuesit, në punën në grup, koordinimin, përpjekjet, suksesin. Por liderët kanë në dorë edhe t’i masterizojnë edhe vetë e venë në dukje qëllimet a qëndrimet e tyre nëpërmjet shprehjes së gjendjeve e shprehjeve emocionale të caktuara. Kësisoj ata me emocionet e tyre pozitive, inkurajojnë tek pasuesit energji, pasion,nxitje dhe këta u përgjigjen kështu këtyre sinjaleve mendërisht e aktivisht pozitivisht. 

Derisa sjellja e produktiviteti ndikohen nga emocionet atëhere dhe feedbacket që jep lideri, shpërblimet etj, ndikojnë në gjëndjet emocionale e pra në produktivitet. Lideri duhet t’i studiojë e marrë në konsideratë emocionet e pasuesve. Inteligjenca emocionale, aftësia për të kuptuar dhe menaxhuar gjendjet shpirtërore dhe emocionet e vetes e te tjerëve, ndikon në efektivitetin e lidershipit. Kështu një lider si E.Rama me gjendje të qëndrueshme emocionale negative, edhe për shkak të problemeve shëndetësore por edhe të personalitetit të tij të zymtë, krijon ndikim negativ në gjendjen shpirtërore të vartësve pra edhe probleme në suksesin e punës së ekipit që drejton. Berisha përdor mjaft humorin me bashkëpunëtorët edhe në punë, gjë që e ndihmon për të shtensionuar situatat apo edhe lehtësuar faktin që është mjaf autoritar.

Janë disa llojet e lidershipit që njihen deri më sot. Le të shohim në këtë aspekt ku hyjnë drejtuesit tanë partiakë edhe si reminishencë e së kaluarës, edhe si përpjekje për tu korigjuar, vetëkorigjuar a mundësi për tu zëvendësuar. 

Liderët autokratikë, janë ata me pushtet të centralizuar, dhe shfaqja e tyre më tipike janë diktatorët fashistë apo komunistë. Ata përdorin, forcën, dhunën, krimin, sugjestionimin, çdo mjet për mbajtjen e pushtetit. Vendimet merren vetëm nga diktatori dhe ai përfaqëson autoritetin total etj. Nga ana tjetër lideri demokratik, perfshin te tjeret ne vendimmarrje por vendimin final e merr vete. Përfshirja e te tjerëve ne vendimmarrje, nuk merret si dobesi por si shenjë fuqie dhe respektohet nga vartësit. Kjo sidomos kur lideri ka kualitete dhe informacione plus të tjerëve, por edhe pa pritur që ai t’i dije te gjitha. 

Ky lider promovon interesat e pasuesve por sidomos të gjithë popullit, përpiqet për barazi sociale. Në demokraci lidershipi nuk konceptohet si pushtet mbi të tjerët, mbi popullin, por më shumë si pushtet me popullin që ekziston si një relacion reciprok midis liderit dhe pasuesve të vet. Ndryshe nga c’besohet, përdorimi i manipulimit, shtrëngesës dhe dominimit për të influencuar të tjerët është jo një kërkesë e domosdoshme për të qenë lider. Liderët që kërkojnë konsensus grupi, dhe përpiqen të punojnë për të mirë të interesave të të tjerëve, mund të bëhen liderë efektivë mjaft të mirë. 

Në një nënndarje më të ngushtë, liderët mund të kategorizohen edhe sipas disa kritereve të tjera të lidhura më shumë me mënyrën si drejtojnë dhe sipas tipareve të personalitetit. Kështu sipas punës njihet një lloj lideri transaksional me princip bazë shpërblimin e ndëshkimin e vartesit sipas punes. Ai vlerëson, korrekton, trajnon dhe shperblen për rezultatin. Sipas tij, njerezit jane me te motivuar nga shperblimi dhe ndeshkimi. Sistemet sociale punojnë me mire me nje zinxhir te qarte komandash. 

Kur njerëzit bien dakort të bëjnë një pune, ata duhet t’i nënshtrohen autoritetit te drejtuesit te tyre duke bere cfare ju thotë ai. Lideri transaksional punon duke krijuar struktura e kerkesa pune, të qarta, struktura shperblimesh te qarta, ndeshkime që nuk permenden gjithmone por nenkuptohen dhe sisteme te disiplines formale. Lideri transformues motivon grupin te jete efektiv dhe eficent. Për të komunikimi është baza e arritjes së qëllimit. Ky lider është shume i dukshem, fokusohet te tabloja e madhe i rrethuar nga njerez qe merren me detaje te vogla. Gjithmone kerkon ide te reja qe te levize perpara grupin. Eshte vizionar. 

Në aspektin karakterial njihet dhe Lideri narcistik i interesuar veç tek vetja madje edhe në dëm të të tjerëve. Ai ekzibon karakteristikat e një arrogance narcisiste, dominancën, egocentrizmin. Ky narcisizëm varion nga i padëmshëm deri në destruktiv. Vetpërmbushja, magjepsja nga vetja, dhe një nevojë egotike personale për pushtet dhe admirim, janë gjithashtu tipare të tij. Elemente të tilla gjenden në cdo lidership, por në nivele të ndryshme. Thuhet se askush që fillon të zotërojë qoftë edhe një grimë pushteti, nuk i shpëton dot kësaj. Gati gati tipar organik i njeriut. 

Në ndryshim nga ky lideri karizmatik pa u sforcuar, injekton energji dhe deshire per pune tek pasuesit. Ai i gëzon suigeneris tiparet që narcisisti dëshiron t’i ketë. Është joshës, tërheqës dhe liderët e këtij lloji i rezistojnë gjatë kohës. Ai mbështetet në ide të mëdha, vizione, fokusohet në ideale dhe aspirate të mëdha. 

Të shohim si qëndrojnë në këto raporte liderët tanë dhe sa reminishenca kanë nga e kaluara në psikologjinë e tyre, si i shfaqin ato, a i kapërcejnë dot, apo bëjnë përpjekje për t’i kapërcyer ato. 

Pothuajse të gjithë drejtuesit tanë partiakë të këtyre 22 vjetëve të fundit, shfaqet hapur dëshira për vendimmarje personale dhe mospërfshirja e të tjerëve në të. Pothuaj te të gjithë ata shfaqet centralizimi i pushtetit si reminishencë e së shkuarës totalitare dhe ushtrimi i forcës karshi mosbindjes. 

Natyrisht në kushtet e demokracisë kjo forcë shkon deri në moszgjedhje si deputet të pasuesit të pabindur, përjashtim faktik a formal nga partia, etj. Ndëshkime më të rënda shfaqeshin më shumë në fillimvitet 90 e u rishfaqën në këto ditë të fundit në kërcënimet karshi K.Islamit në parlament dhe demonstrimet e tipit të revolucionit kulturor kinez, para shtëpisë së tij. 

Lidershipi konceptohet përgjithësisht si pushtet mbi të tjerët dhe përdorimi i manipulimit, shtrëngesës dhe dominimit për të influencuar të tjerët është i zakonshëm që nga rruga si janë zgjedhur disa liderë partiakë e deri në mbatjen e pushtetit prej tyre. Në aspektin e shperblimeve e ndëshkimeve të vartësve deri militantëve sipas punes a militanitizmit më shumë, shquhet Ilir Meta që bazohet mjaft në sistemin e shpërblimeve e darovive. Berisha është gjithashtu i kujdesshëm për këto ndërkohë që Rama shquhet për paqëndrueshmëri në shpërblime e ofiqe dhe heqje të tyre pas një kohe të shkurtër. 

Ai nuk e njeh madje as mirënjohjen personale, jo më atë për militantin dhe krijon mjaft pakënaqësira. Madje është organikisht I pazoti të punojë gjatë me të njëjtët bashkëpunëtorë dhe i ul e ngre ata me lehtësinë e lëvizjes së marionetave. Ndëshkimin, përsa e lejon demokracia, Rama e ka të parevokueshëm autentik Enverian, natyrisht zbutur sipas kohrave të reja. Të tre liderët tanë kryesorë e dinë se njerezit jane me te motivuar nga shperblimi dhe ndeshkimi por nuk kanë struktura shperblimesh a ndëshkimesh të qarta. Nganjëherë, sidomos Rama, i ka ato konfuze. 

Ilir Meta edhe për shkak të faktit që partia e tij nuk është ende e madhe, pothuaj nuk ndëshkon por edhe kur e bën këtë, revokon. Elementi narcistik deri në sfumim i të tjerëve shfaqet gjithashtu tek Rama. Protagonizmi dhe eliminimi i cdo elementi të tillë te të tjerët është tipik për të. Rama ekzibon edhe karakteristikat e një arrogance narcisiste, dominancën, egocentrizmin. 

Tek ai ky narcisizëm kalon deri në destruktiv. Një nevojë egotike personale për pushtet vetëm personal dhe admirim, vetvlerësimi maksimal, janë gjithashtu tipare të tij. Elementi karizmatik, ai tipar që injekton energji dhe dëshirë per pune tek pasuesit spikat tek Berisha. Ai i gëzon suigeneris tiparet që liderë të tjerë dëshirojnë t’i kenë dhe për vetë faktin se është përgjithësisht i paprekur nga veset e vogla të pushtetit, ato që dëmtojnë imazhin e sjellin rrëzimin e shpejtë. Ai mbetet disi i paprekur si reputacion karizmatik, së paku tek pjesa më e madhe e pasuesve dhe militantëve të vet. Përjashto këtu vesin e madh të pushtetit. 

Ai është joshës, tërheqës, sugjestionues, energjik dhe si i tillë i ka rezistuar gjatë, kohës. Ka kërkuar gjithnjë ide e projekte, vizione, të mëdha që të mbetet në hstori të cilën siç e ka thënë vetë, nuk do ta shkruajë vetë por pret t’ja shkruajnë të tjerët. 

A ka Berisha tendencën e centralizimit të pushtetit ? Pa dyshim. 

Po a është deri diku kjo e domosdoshme ende në kushtet e tranzicionit, mungesës së traditës demokratike, një tendence të shqiptarëve për anarki, vetgjyqësi, mosnjohje autoriteti shtetëror a bravura personale ? A do të mund të mbijetonte Berisha dhe cilido tjetër në vend të tij, në këta 23 vjet, po të ishte ndryshe ? Vështirë. Po një lider tjetër, jo Berisha, a do të mishëronte po këto tipare nëse do të donte të mbijetonte, të ishte jetë gjatë ? 

Rama nga Tirana, është shembulli më tipik i mbijetesës së këtij modeli. Madje Rama nga ana e vet mbetet më shumë i frikshëm për pasuesit e afërt, dominant, central dhe i largët (distant për militantët, duke e dëshiruar edhe vetë këtë dhe duke e amplifikuar edhe me prezencën e vet fizike). 

Në rastin e tij karizma eliminohet pothuaj krejt përderisa edhe për të hyrë tek ai, njerëzit më të afërt presin me frikë tek pragu dhe pyesin si e ka humorin sot. Në të gjitha aspektet, pjesa më e madhe e drejtuesve tanë partiakë e shtetërorë, mbeten në personalitetin e tyre, një përzjerje e tipareve të liderit në demokraci, tipare imponuar këto edhe nga sistemi i ri në formim demokratik, përzier me elemente reminishentë të personalitetit të liderve të të kaluarës totalitare, përsëri për aq sa u ja lejon koha e sistemi i ri formal demokratik.