Qëndrimet, besimet, sjelljet e shqiptarit sot

23/07/2013 09:11

(Të gjithë kemi humbur nga njeriu)

Prof. Dr. Ylli Pango

Udhëtonim nga Bari drejt një qyteti të vogël të Pulias. Do të zhvillonim një bisedë me mësuesit e kolegjit të atjeshëm. Italiani që na shoqëronte, një profesor filozofie i Kolegjit Rajonal të Studimeve Pedagogjike, hapi papritur një bisedë për fenë. “Si është e mundur, Shqipëria është ateiste?? Si është e mundur që nuk besoni?”, pyeti papritur ai. Ishim ende në fundin e viteve ’80. Komunizmi ende nuk kishte rënë. Ngjarjet e mëdha ishin në prag. Kolegu im, anëtar partie me studime të larta kryer më parë, në një vend të quajtur asokohe revizionist, u përpoq t’i sqarojë ndjenjat ateiste të shqiptarit, rolin e parëndësishëm të fesë në koshiencën kombëtare etj, etj., dhe së fundi thirri në ndihmë Pashko Vasën me thënien e njohur “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Italiani vazhdimisht tundte kokën me një politesë paksa mohuese. Te kjo e fundit buzëqeshi e tha: “Po kjo është tjetër gjë. Atdhedashurinë e kemi edhe ne. Feja është gjë tjetër. “Pastaj papritur morëm vesh se veç filozofisë ai merrej edhe me predikim, kishte një famulli të vogël në rrethinat e Barit, pra ishte edhe prift. Me paragjykimin e ngulitur ndër vite për fenë, kolegu im e konsideroi më pas profesorin e filozofisë, një lloj jezuiti hipokrit që nga njëra anë përpiqej të shpjegonte botën filozofikisht, e nga ana tjetër mashtronte njerëzit me përrallat e fesë. Filozofi-prift vazhdonte të sqaronte me zë të butë se edhe në Itali, në ditët e sotme, ndonëse një pjesë e mirë e të rinjve nuk i ndiqte ritet fetare, së paku ai besonte se në brendësi ata në një pjesë të madhe besonin tek Zoti dhe në të mirën që predikonte feja. “Feja për ta sot është më shumë një rregullator moral”, e mbylli bisedën ai.

Duke kujtuar atë ngjarje më lindte shpesh më vonë pyetja: “Po ne, e sidomos rinia jonë, çfarë besojmë?” Sidomos në fillimin e viteve ‘90 kur ideali i socializmit e ai i komunizmit mbetën pas e dolën të gënjeshtërt edhe për ata që e besonin, apo të pazbatueshëm në praktikë. E sidomos sot, pas 23 vjetësh kur konceptet, qëndrimet, kanë ndryshuar aq shumë, kur rinia ka lindur në këto vite e s’ka asnjë ide për të kaluarën, por kur edhe shkolla e arsimi në përgjithësi nuk ka ende bazamentin e formimit moral dhe përballet me një eklektizëm e inkoherencë të paparë. Sidomos edhe sepse fenë, të rinjtë veçanërisht, nuk e kanë as të ngulitur që në moshë të njomë e as të formësuar nëpërmjet ndonjë lloj shkollimi. Por edhe sepse vlerat morale, standardet ose mungojnë, ose ajo çka ndeshet në jetën e përditshme bie kaq ndesh me idealet morale, qëndrimet e bindjet qytetare, vlerat etj…Dhe kjo nisi që në fillimvitet ‘90, kur  pas 45 vitesh zhgënjimi qëndrimet, vlerat morale janë vënë në dyshim më shumë se kurrë. Pra, çfarë besojmë sot vallë?

 

Çdo gjë mund edhe t’ia falnim socializmit, veç një gjë jo, shkatërrimin e njeriut, ka thënë përafërsisht Haveli. Fitorja më e madhe e Partisë dhe socializmit është njeriu ynë i ri, thoshte Enver Hoxha. S’u deshën veçse disa muaj të fillimviteve ‘90, për të kuptuar se vlerat morale, “besimet e patundura” në komunizmin e idealet e tij, qëndrimet karshi njëri-tjetrit e sistemit ishin imagjinare. Dekadenca u shfaq hapur duke i reflektuar këto mungesa besimesh e bindjesh në asgjë, edhe në sjelljet dhe veprimet e mjaft njerëzve, sidomos të rinjve. Këto u përplasën me paraqitjen e gënjeshtërt të vlerave morale dhe doli një mospërputhje midis sjelljes dhe qëndrimeve, domethënë asaj që ishte menduar se besonin njerëzit (së paku një pjesë e tyre) për rreth gjysmë shekulli.

Rregullatori apo “boshti i betontë” moral e socialist, tek i cili mendohej se mbështetej ngrehina sociale e komunizmit, doli se ishte i zgavërt brenda, ashtu si monumenti i diktatorit. Dhe së bashku me të u shembën edhe degët, vlerat morale, të cilat konsiderohen si më superioret e vlerave të tjera, si format më të larta të koshiencës psikologjike. Ato u shembën menjëherë dhe u shfaq sjellja e vërtetë, që shprehte qëndrimet dhe besimet e vërteta karshi vlerave të tilla morale si dashuria, familja, qëndrimi karshi të tjerëve e respektimi i detyrimeve morale ndaj tyre, prona, detyra, humanizmi etj.

Qëndrimet njerëzore janë, sipas një përcaktimi (ka edhe të tjerë), predispozita reagimi apo reagime psikologjike a konkrete të mësuara në një mënyrë të caktuar, pozitive a negative karshi fenomenesh, teorish, ideologjish, njerëzish, objektesh, ngjarjesh etj. Mbi bazën e tyre ne përcaktojmë se ç’beson njeriu, ç’bindje, ç’formim a ide mbi botën, njerëzit, jetën, ka ai. Le të shohim nëpërmjet shembujsh se çfarë ndodhi me këto tek shqiptarët.

Së pari, dashuria. Pamë e dëgjuam në fillimet e viteve ’90, për vajza të reja të martuara me të huaj të moshuar. Madje pas një njohjeje me korrespodencë. Një shembull i këtij lloji: dy studente të njohura kësisoj, së bashku me familjet e tyre presin dhëndurët e huaj. Njëra syresh pi edhe kafet dhe puna mbaron. E dyta nuk e pranon dot. (Mesa duket ai i së parës “çka, nuk është i keq”.) Dy qëndrime, dy zgjidhje për jetën. Dilemat e para qëndrimore të një shoqërie karshi një aspekti kaq me rëndësi të jetës njerëzore.

Vajza të tjera ikën të gjejnë fatin jashtë shtetit dhe përfunduan prostituta. U shitën. Të tjera u shitën nga të fejuarit e tyre. (Këtu del në pah formimi dhe qëndrimi shtazor karshi femrës, i këtyre të dytëve). Një pjesë e vajzave të shkollës së mesme deri të tetëvjeçares prej vitesh mësuan të thonë, e tashmë e kanë bindje, se “martesa është llogari” ndofta pa e kuptuar ende mirë atë që thonë, duke harruar se pas mirëqenies edhe në qoftë se e arrijnë, vjen ngopja dhe me të edhe kërkesa për vlerat morale ideale, për dashuri, për një ndjenjë të vërtetë që të qëndrojë më lart se gjithçka. Rastet dhe psikoza e mësipërme u përhapën me aq shpejtësi në këto vjet saqë mund të mendohet se tani kjo është kthyer në një infeksion, në një plagë të madhe sociale, shërimi i së cilës do të jetë i vështirë.

Në aspektin psikologjik u formuan me shpejtësi qëndrime të reja negative ndaj vlerës morale të dashurisë dhe ndaj martesës, pjesa më e madhe e të cilave u fituan nëpërmjet eksperiencës së të tjerëve, një rast tipik i të mësuarit vëzhgues e më pas i imitimit. Askujt nuk i duket demode në botë të vazhdojë t’i këndojë dashurisë, të shkruajë e të xhirojë filma për të, ndërkohë që te ne cinizmi ndaj saj shprehet mjaft qartë në rastet e mësipërme. Harrohet se imoralitetit, prostitucionit apo lidhjes për interes nuk i është thurur himn asnjëherë. Pa dyshim që së bashku me dashurinë e martesën fatlume është e natyrshme të kërkohet edhe mirëqenia. Problemi është, a mbijeton ndjenja e lumturisë, së paku e kënaqësisë vetëm me këtë, pa dashurinë?

Një qëndrim tjetër me rëndësi: qëndrimi, respektimi i detyrimeve morale ndaj të tjerëve dhe i të drejtave të tyre, i qetësisë, i familjes, dhe i pronës, koshienca morale se ato janë të paprekshme, prerogativa të personalitetit të njeriut. Ndërkohë nëpërmjet sjelljeve u shfaq e vazhdon egër të shfaqet e kundërta. Braktisje, në rastin më të mirë, flakje e prindërve të moshuar pa pikë mëshire në azile, pseudoazile ku destinacioni është vdekja e shpejtë, armiqësim deri në vëllavrasje brenda familjes për çështje prone, sinori, morali. Provokime, fyerje në mes të rrugës, në lokale e deri në plagosje, zënka me armë e vrasje: urrejtje njerëzore ekstremale. Cenim i pronës së tjetrit, tjetërsim i saj, përvetësim, shkatërrim e dëmtim i hapësirave publike përpara pronës private të tjetrit.

Ndotje mjedisore, akustike etj. Shpesh njerëzve u imponohet zhurma dhe qejfi i të tjerëve. Ca më keq me një pjesë të të ikurve. Në fillimin e viteve ‘90 italianëve u ka qëlluar të shohin me neveri të rinj që masturbonin në mes të ditës, në mes të rrugës, duke soditur çifte të dashuruarish. Të tjerë tregojnë për djem, që italianë zemërmirë i ftonin për drekë apo për darkë dhe që kur iknin u vidhnin orendi apo sende me vlerë. Të tjerë grabisnin dyqane në Gjermani. (Natyrisht jo të gjithë emigrantët ishin të tillë. Shumica madje punonin e punojnë dhe nxjerrin me ndershmëri e djersën e ballit jetën e tyre. Por mjafton një pakicë për të prishur imazhin e për ta bërë aq të vështirë sa ç’e bëri, pranimin e shqiptarëve si pjesë e Europës, integrimin e tyre në tërësi) Ç’dekadencë! Njeriu mund të kthehet në kafshë njerëzore. Vallë ç’koshiencë morale, ç’qëndrime kishin këta? Çfarë besonin? Ndofta asgjë. Veç instinkte shtazore jetese e mbijetese pa asnjë kufizim veprimi.

Hidhemi te familja. Koshienca e detyrës prindërore dhe bashkëshortore, respektimi i tyre, përbëjnë gjithashtu një vlerë apo qëndrim moral. Bota që shahej aq shumë në këtë drejtim nga korifenjtë e liderët komunistë të së shkuarës, në pjesën më të madhe e ka mjaft të shëndoshë familjen, qelizën bazë të shoqërisë. Ndryshe shoqëria njerëzore do të kishte marrë fund. Ndërkohë në fillimvitet ‘90 kishte burra që braktisnin familjen dhe iknin jashtë shtetit për të jetuar më mirë. Madje edhe gra, ndonëse më pak.

A e dinin vallë se fëmija që në muajt e parë të jetës ka nevojë për një mjedis afektiv, emocional që nuk mund t’ia japë veçse familja? Sepse sado në kushte të mira, në çerdhe apo në spital, në jetimore apo diku gjetkë, fëmijët pa prindër kanë vonesa në zhvillimin fizik e sidomos në atë psikik, duke filluar që nga muaji i gjashtë i jetës. Por përgjegjësia më e madhe është formimi apo në rastin konkret disformimi i koshiencës morale të fëmijëve, i qëndrimeve e i bindjeve. Në këtë kontekst shembujt që përmendëm më sipër përbëjnë kulmin e imoralitetit. (Me moral nuk kuptohet vetëm ai që lidhet me seksin dhe dashurinë). Shopenhaueri e quan mëshirën, dhimbjen për fatkeqësinë e tjetrit fondamentin e moralit. Ç’mund të thuhet kur njeriut i mungon dhimbja edhe për fëmijën e vet?

Përse vallë ndodhi dhe ende po ndodh kështu? Sepse vlerat materiale dolën menjëherë e sidomos sot kanë dalë dukshëm mbi ato morale. Madje i kanë mbytur këto të fundit. Sepse tek ne moralja u absolutizua (pa ekzistuar në thelb), në ekstrem, në kurriz të materiales. Dhe kjo e fundit e tejshtypur, e minimizuar, si për t’u hakmarrë në mënyrë spontane apo të vetëdijshme kaloi në ekstrem. Hakmarrje e shpirtit të munduar njerëzor. Efekt i komprimimit shumëvjeçar të një sistemi absurd. Gjithsesi, me çdo lloj justifikimi, një fakt i rëndë. Ndërruan pra rolet. Vlera morale u minimizua. Si hakmarrje ndaj saj edhe si pasojë e hipokrizisë së paraqitjes së saj si mbisunduese në shoqërinë totalitare. Madje duke qenë e flakur tej prej kohësh si e tillë nga lidershipi komunist e nga mjaft oborrtarë.

Por kjo ka pasoja kolosale edhe sot. Ekseset pjellin eksese. Dhe ne jemi sot në fazën kur qëndrimet tona janë ekstremalisht të kundërta me qëndrimet e vlerat së paku minimale shoqërore që mbajnë botën në këmbë. Deri në pikat kulmore, kur brohoritet persekutori, fitimtari i korruptuar, krimi në pushtet. Dhe injorohet, përbuzet viktima, i paafti, ai që nuk mund të mbijetojë në këtë mënyrë e vetëm punon ndershmërisht. Jemi në një situatë kur njerëzit janë pajtuar në atë nivel me të keqen saqë e pranojnë atë si modelin e vetëm dhe sigurisht edhe qëndrimet e tyre e të fëmijëve të tyre janë të tilla që në të ardhmen të punohet vetëm mbi bazën e këtyre jo parimeve, antivlerave, qëndrimeve.

Kjo përbën disekuilibër social dhe natyrisht si i tillë nuk mund të mbijetojë gjithmonë. Së paku duhet të ndryshojnë e të bëhen më të arsyeshme raportet. Por problem është çështja e kohës. Sa kohë do të dojë ekuilibri të vijë? Ndërkohë është kollaj të thuash “herët ose vonë” do të vijë. Sa më gjatë të shkojë, aq më thellë e keqja e qëndrimeve antihumane depërton deri në qelizën më të vogël sociale.