Rinia politike; fenomeni i të rinjve në politikë (I)

13/05/2013 11:13

 

Prof. Dr. Ylli Pango

Rinia, cilët konsiderohen të tillë në Perëndim e cilët në Lindje. Të rinjtë në psikologjinë moshore perëndimore download (16)konsiderohen përgjithësisht ata që mbushin moshën 20 vjeç. Deri në moshat që mbarojnë me “teen” (sixteen, seventeen, eighteen, 16, 17, 18 etj) ata konsiderohen adoleshentë. Në regjimet komuniste sipas modelit të Bashkimit Sovjetik, moshat rinore zinin fill a konsideroheshin ato rreth të 16-ave nisur nga supozimi që të rinjtë piqen shpejt e këto mosha mund të fillonin angazhimin në punë, revolucion, ndërtimin e socializmit, politikë, të bënin heroizma etj. Kriteri i përcaktimit të moshës së adoleshencës sipas mbaresës së moshës me “nadcat, vosemnadcat, semnadcat” etj (gjashtëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë, tetëmbëdhjetë) nuk ndiqte modelin perëndimor. Po kështu në Gjermaninë e viteve 1922-1945, adoleshenca 14-18-vjeçare konsiderohej rini dhe u përfshi në organizata rinore politike apo paramilitare të partisë naziste si Hitler-jugend. Ajo ndiqte në mënyrë strikte ideologjinë dhe urdhrat e partisë, u angazhua në politikë, aksione raciste, pogrome e më së fundmi direkt në luftë. Ky retrospeksion mbi dallimet moshore të asaj që quhej a konsiderohej rini, në periudha a vende të ndryshme të botës, vlen sepse lidhet edhe me përfshirjen në politike, a më saktë politizimin e rinisë në periudha të caktuara. Thjesht sepse edhe politizimi e përfshirja në politikë me hir a me pahir në regjimet totalitare, komuniste e fashiste, zinte fill herët sepse u interesonte partive totalitare. Ky angazhim i hershëm në politikë plotësonte nevojat për mish të freskët e më vonë për mish për top në luftërat e mëdha agresive. Por pa dyshim nevoja më e madhe ishte ajo e përjetësimit të pushtetit diktatorial nëpërmjet një rinie të indoktrinuar, që më shumë se cilado grupmoshë a shtresë mund të mbronte aktivisht regjimin e lidershipin totalitar. Këndej zënë fill aksionet rinore fashiste, terroriste, raciste etj., ku rinia me energjinë dhe arrivizmin e saj shquhej ndër të parat. Në vendet komuniste rinia ishte e para që nxitej të ndërmerrte aksionet politike e ato ekonomike. Kështu, tek ne ishte ajo që u indoktrinua a urdhërua të shkatërronte kishat më 1967-ën. Pra të rinjtë konsideroheshin të rritur, të pjekur, të gatshëm për partinë. Rinia politike ka historinë e vet edhe në format e organizimit të saj, në Europën e pasluftës. Kështu në Gjermani u themelua Rinia e Lirë Gjermane si alternativë komuniste ndaj Rinisë Naziste, Hitlerjugend. Në Britani ka patur gjithashtu organizma të fuqishme rinore si Këshilli Britanik Rinor, Parlamenti Rinor Skocez etj. Tek ne ka ekzistuar BRPSH dhe më vonë Eurosocialistët etj. Ndonëse pa pushtet direkt, këto organizata kanë lidhje të ngushtë me partitë, dhe përgjithësisht shfrytëzohen nga partitë për të realizuar objektivat e veta politike.

Në kohërat e sotshme, sidomos në demokracitë perëndimore liberale, organizimi është ndryshe. Ka madje edhe zhvleftësim të organizatave politike rinore dhe në vend të tyre janë krijuar organizata rinore që më shumë angazhohen me probleme që lidhen direkt me jetën e rinisë. Kështu janë formuar organizata të tilla si Shërbimi i Avokatëve për të rinjtë, Organizata Rinore të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve etj. Kësisoj, rinia shumë- shumë impenjohet me angazhime konkrete rinore a probleme që e prekin atë direkt, sesa drejtpërsëdrejti me politikë. Kjo nuk përjashton të rinjtë që ingranohen në organizata politike rinore (ndonëse të pakta), apo direkt në parti politike tradicionale, duke nisur kështu rrugën e karrierës politike. Martin Luther King dhe Bill Clinton kanë qenë angazhuar në organizata rinie politike. Te ne rrugën e karrierës e kanë nisur direkt në parti politike, madje duke kërcyer në rangjet më të larta të saj Pandi Majko, Ilir Meta etj. Megjithatë duhet thënë se, sa i takon formës së organizimit, militantizmit a vlerave kulturore të të rinjve të angazhuar në politikë, në vendin tonë vazhdon të influencojë së paku në formë modeli i vjetër i kohërave të shkuara. Gjithsesi, me apo pa struktura bazë shumë aktive, si të kohërave më parë. Ndërkohë të rinjtë e angazhuar në politikë në fillimvitet ‘90, morën shpërblime ekstra nga më të lartat në politikë e në administratën shtetërore e në hierarkinë politike. Që nga pozicionet kryeministrore e deri në kryesimet partiake. Pa marrë parasysh mungesën e eksperiencës. Kjo u bë njëfarë mode në vendet e Ballkanit të fillimviteve ‘90, edhe për faktin se brezi i mesëm e i vjetër i politikës, që vinte nga angazhimet e lidershipet partiake të së shkuarës shihej jo rrallë si i dyshimtë a disi i damkosur nga regjimi i kaluar totalitar. Për rrjedhojë të rinjtë shiheshin me sy pozitiv e si të panjollosur. Në ditët e sotme, veç rilevimit të individëve të rinj në postet e larta politike shfaqet edhe fenomeni i përdorimit a aktivizimit të të rinjve si fasadë e rinovimit të partive a e retushimit të portreteve të liderëve të konsumuar. Stimulohet kështu aktivizimi formal në politikë i të rinjve ose krijimi i klisheve e përçimi i ideve e qëndrimeve të vjetra nëpërmjet fytyrave të reja. Një rast tipik është ai i Edi Ramës, përdorimi i të rinjve prej tij si fasadë partiake. Nga ana tjetër, imitimi identik i gjesteve, frazeologjisë së tij syresh, flet për një rini politike krejtësisht jokreative e nën dirigjimin unik të liderit partiak.

Pse duhet të përfshihen të rinjtë në politikë. Politika është shkenca e menaxhimit të vendit apo shtetit. Të rinjtë janë si gjaku i ri për organizmin dhe luftëtarë aktivë të ndërtimit të shoqërisë njerëzore, për nga vetë mosha, energjitë e dinamizmi. Për këtë arsye ata duhet të marrin përgjegjësi për drejtimin e vendit, duke u angazhuar në politikë. I riu duhet t’i bashkohet politikës edhe që ta përmirësojë vetë atë e jetën partiake apo atë politike. Ka gjithashtu më shumë të ngjarë në moshë të re, të hyhet me aspirata e ideale në politikë. Të vjetrit janë më të prirur të ruajnë zakonet e dogmat e vjetra dhe idealet vdesin me moshën në përgjithësi. Nganjëherë mendohet se të rinjtë janë gjaknxehtë e mund të sjellin violencën dhe rrugët e ashpra të zgjidhjeve në politikë. ‘I riu si veriu’, thuhet te ne. Por kjo varet mjaft edhe nga inspirimi e edukimi i tyre, niveli kulturor, familja, forma e qeverisjes e niveli i demokracisë së vendit ku jetojnë. Kështu një i ri i moshës 30-vjeçare, si diktatori aktual i Koresë së Veriut, me aventurizmin e tij rrezikon të sjellë pasoja për mbarë njerëzimin. Faktor këtu veç sistemit totalitar është sigurisht edhe mosha e re, aventurizmi e bravura e saj, pasi në përgjithësi edhe në regjimet më totalitare të kohërave të sotme, diktatorët me mosha më të mëdha janë më të rezervuar edhe për shkak të frikës e këndvështrimit realist të raportit të fuqisë së tyre ndaj asaj të botës demokratike. Në vendet me demokraci liberale ku pushtetet kontrollojnë njëri -tjetrin dhe karriera kalon gradualisht e natyrshëm nivele, shkallë formimi e mosha të caktuara, deri në arritjen e majave, ky aventurizëm është i pamundur pothuaj. Për rrjedhojë, temperamenti nganjëherë edhe i nxehtë rinor, në këto raste ka më shumë të ngjarë të sjellë vetëm ndikim e veprim pozitiv në politikë. Kur backgroundi është negativ, ka të ngjarë që edhe në vende demokratike angazhimi në politikë i të rinjve të sjellë, rrallë, edhe pasoja negative. Megjithatë, në përgjithësi për të patur një vend gjithnjë në zhvillim, me progres ekonomik, e të fokusuar në zgjidhjen e problemeve sociale, të rinjtë duhet të hyjnë në politikë. Ata kanë tjetër mentalitet, vizion, psikologji, reflektojnë të renë dhe ndryshimin. Të rinjtë janë të aftë të sfidojnë e kalojnë pengesat e vështirësitë, pa u fshehur pas sloganeve e dogmave. Gjë që realizohet më me zor nga ata që janë të lidhur a të fiksuar veç tek e kaluara a tek e tashmja e sigurt, tek status-quoja, e që i ruhen rrezikut. Cilësitë e të riut, fuqia mendore, temperamenti, vullneti, imagjinata, kuraja, motivimi, shpirti i aventurës, i duhen gjithnjë çdo vendi që kërkon progres.

Interesi i të rinjve për politikë. Sa janë të interesuar të rinjtë për politikën, e në veçanti për t’u pajisur me njohuri e kulturë politike? Në vitin 1950, të rinjtë amerikanë ishin mjaft pasivë në aspektin e pjesëmarrjes në proceset politike. Në vitet e fundit, nga një anketë, vetëm një në tre të rinj amerikanë shfaq interesa të tilla. Pjesa tjetër ka interes më shumë për sportet e zbavitjet sesa për politikën e të rejat jashtë vendit. Nga njëra anë kjo vlerësohet si neveri e të rinjve karshi politikës e imazhit të saj, por të mos harrojmë të dyja anët e medaljes. Indiferenca karshi politikës sjell sklerozimin e saj, sepse gjithnjë duhet që dikush të trashëgojë e çojë përpara edhe politikën si pjesë e kulturës njerëzore, sado problematike por të domosdoshme për funksionimin e shoqërisë. Kjo duhet filluar që nga procesi më elementar i pjesëmarrjes në votime të rinisë dhe deri në angazhimin e saj maksimal si aktor politik. Po në Shqipëri? Kohët e fundit vërehet një pjesëmarrje disi më e madhe e të rinjve në politikë, deri në angazhime konkrete partiake, por duhet bërë dallimi midis idealizmit, dëshirës e motivimit për të ndërtuar të renë; e pragmatizmit formësuar e edukuar tek disa të rinj vitet e fundit, sipas të cilit, pjesëmarrja në një parti politike sjell përfitime të mëdha në aspektin material, pozicione komode pune, poste të larta në administratë publike e deri në lavdinë aq të dëshiruar nga i riu arrivist. Këtu lind nevoja për t’u dhënë të rinjve njohuri dhe shprehi politike si fillim e më pas nxitje për angazhim. Faktet tregojnë se tek ne ka mjaft të rinj që nuk kanë as njohuritë më elementare lidhur me mënyrën e votimit, le më pastaj për mënyrën sesi mund të realizohen ndryshimet politike a si e ndryshon politika vendin. Më të kultivuarit syresh, kur pyeten se si mund ta përmirësojnë edukimin a pjesëmarrjen në politikë, angazhimin qytetar a pjesëmarrjen në demokraci, pranojnë shumë, shumë aktivitetet praktike a përfshirjen mes shembujsh konkretë. Zor të arrihet në formime të tipit se si të rinjtë mund të arrijnë të realizojnë ndryshime politike ose së paku të ndikojnë disi tek politika në favor të interesave të grupmoshave të cilave u takojnë. Pjesa teorike e formimit ende pothuaj nuk përfillet. Kështu p.sh, aktivitetit politik e shoqëror i Albin Kurtit është shumë më i prirur të imitohet si model praktik nga disa të rinj në Shqipëri, se sa si model pune a formimi të mëparshëm teorik. Nga ana tjetër të rinjtë duan arsim, punë, para, dëfrim, por ndryshe nga vendet e zhvilluara, mundësitë për këto tek ne e në vendet në zhvillim janë të pakta. Po kështu janë më të pakta mundësitë për shpalosje talenti, shfrytëzim potenciali etj. (Në fillimvitet ‘90 u angazhuan më shumë pragmatistët me reminishenca nga pjesëmarrja në grupet e organizatat rinore të kohës së Enverit, militantët e pasuesit e tipit të vjetër etj). Sot angazhimi rinor politik lidhet më shumë me ato forma e qëllime, mishërimin e të cilave të rinjtë e shohin tek vërsnikët që përfitojnë mjaft nga angazhimi politik në aspektin e famës, atë material etj.

Rinia politike: fenomeni i të rinjve në politikë (II)

Prof.Dr. Ylli Pango

Rritja e angazhimit politik e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë.images

Kjo është mjaft e rëndësishme. Pjesëmarrja e rinisë në politikë përfaqëson treguesin më sinjifikativ të edukimit qytetar, të demokracisë pjesëmarrëse, përgjegjësisë qytetare, të së ardhmes së demokracisë. 3-4 vitet e fundit në fushatat politike shfaqet një tendencë për angazhim më të madh të rinisë, qoftë nëpërmjet niveleve të larta të pjesëmarrjes në zgjedhje si votues por edhe si aktivistë, apo dhe të zgjedhur. Veç të tjerash edhe interneti, si metodë e re sensibilizimi, pjesëmarrjeje, komunikimi, ndikimi politik, ka ndikuar mjaft në këtë rritje. Kjo teknologji e re ka reduktuar koston e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset politike dhe ka rritur shpejtësinë e organizimit e komunikimit të tyre duke krijuar kontakte imediate e zgjidhje eficiente problemesh pavarësisht nga distancat e mëdha. Kjo ka lehtësuar gjithashtu rrugët e shpërndarjes së informacionit të gjithëve njëherazi. Mjete të tilla si rrjetet sociale, blogjet, Youtube, mesazhet, kanë qenë të suksesshme për të mobilizuar të rinjtë për votime por edhe më tej në angazhimin e tyre politik e qytetar. Jo më kot Berisha kërkoi pjesëmarrjen e adoleshentëve 16 vjeç në votime. Interesi i tij për internetin dhe përhapja e tij falas, u ka dhënë atyre jo vetëm akses në zbavitje, komunikim mes tyre etj., por disi në formë naive edhe në politikë, ku po të votonin, natyrisht do preferonin politikanët që ua krijuan këtë mundësi.

Një formë tjetër e sensibilizimit të rinisë për politikën është përfshirja e çështjeve të rinisë në programet politike të partive, dhe përcaktimi e realizimi i objektivave që zgjidhin probleme rinore. Këtu duhet të përfshihen edhe zbatimi i programeve të posaçme për rininë, sepse të rinjtë kuptojnë e angazhohen më mirë në çështjet që i shqetësojnë ata e që vënë në lëvizje qëllimet e tyre perspektive. Studimet tregojnë se në mjaft raste është më efektive të sigurosh pjesëmarrjen politike të rinisë në çështje për të cilat ata kanë interes direkt, të tilla si punësimi, arsimimi, kostoja e studimeve, sesa ta angazhosh atë në çështje puro politike e ideologjike.

Përfshirja e rinisë në vendimmarrje, pa dyshim mbetet më e rëndësishmja për një demokraci reale e funksionale. Kjo realizohet nëpërmjet përfshirjes së të rinjve në këshilla, institucione, organe të zgjedhura, apo duke mbështetur financiarisht problemet e grupeve të interesit të të rinjve. Deri në emërimin e më të aftëve syresh në pozicione të larta të administratës publike.

Të rinj që sjellin të renë, apo të rinj që imitojnë të vjetrit. Kur i riu nuk sjell gjë të re në politikë, nuk ka kreativitet a potencial kulturor a intelektual, ai priret të imitojë politikanët e vjetër, e sidomos, liderin e gjithëpushtetshëm. Sidomos kur e ka frikë atë, kur frustrohet prej tij, ai e ndjek atë hap pas hapi, e imiton, kopjon shtampat e tij, deri në gjestet e frazat parazitare. Kësisoj tek ai mbetet vetëm një synim: të ecë në karrierë e të përfitojë më vonë nga zemërgjerësia e kryetarit. Ndryshe ky shfaqet edhe si Fenomeni i të rinjve agresivë, por njëherazi servilë e të frymës së vjetër në politikë. Kjo tendencë e cila po ndiqet nga mjaft të rinj të angazhuar në politikë kohët e fundit sfumon kreativitetin e të renë në politikën shqiptare, aq të nevojshme për ndryshim. Këta janë të rinjtë që e lënë  shoqërinë e politikën shqiptare në stadin rudimentar të centralizimit të pushtetit me reminishenca të forta të modelit të vjetër totalitar, pra në demokraci formale. Të rinjtë duhet të futen në politikë për të qeverisur ndryshe në të ardhmen, për të zgjidhur problemet e vendit, pasi i kanë kuptuar thellë ato, për të punuar për të ardhmen e tyre e të të tjerëve dhe për të vendosur si qytetarë të lirë. Këta do të krijonin një bazë shoqërore të re, të predispozuar të kërkojë ndryshimin brenda vetes dhe jo vetëm duke pritur nga liderët. Ndërkohë te ne spikasin prej kohe në politikë, një grup të rinjsh, oratorë të komanduar, që stisin e rrjedhin mjaltë fjalësh e fjalish të pastra e të qëruara gramatikisht, por që në një vështrim të kujdesshëm, nuk kanë as thellësi mendimi e as shprehin aspirata të thella politike a humane. Këta në pamje të parë, në formë i krijojnë një ide të cekët, sidomos njeriut të thjeshtë naiv, për një ndryshim a risi të pastër në atë krah të opozitës ku janë pozicionuar. Në të vërtetë, jo. Ata syresh, që kanë arritur deri aty, e kanë synim pushtetin, por si pushtet i të mirave në vetvete a për vetveten. Mjetet e format për arritjen e tij i shohin shpesh në formë agresiviteti, ashpërsie, polemike të papajtueshme a sherri banal me kundërshtarin në media, ku jo rrallë thelbi i goditjes është shpifja, biografia e tjetrit a cenimi i personalitetit. Këtu nuk ka risi, por vetëm përsëritje të politikës së vjetër. Por sidomos problemi është tek pjesa e dytë e problemit: a janë ata vërtet bazë shoqërore? A kërkojnë ndryshim brenda vetes e në shoqëri apo ia kërkojnë këtë liderit? Këtu “ngec se ç’ëndrra shohin ata të rinj” do të perifrazoja Shekspirin. Se këtu pastaj ka aq gracka të joshjes së pushtetit, ku mjaft syresh ngecin që në krye, madje pa e kuptuar as vetë dhe rezultojnë a shfaqin padashur të vërtetën e vetes, me një mentalitet tejet të vjetër e klasor antagonist ndoshta të trashëguar nga baballarët a indoktrinuar nga liderët aktualë. Mentalitet madje të frikshëm kur e sheh nën kostum të ri. Ndër më tipikët e këtij mentaliteti, është djaloshi i ri i politikës së vjetër E. Velia.

Case study. Kur E. Veliaj erdhi rishtazi nga përtej oqeanit, disa njerëz patën naivitetin, sadopak kohë, të besojnë se ky njeri vinte nga larg me një mentalitet të ri e aspironte vërtet progres e të mira në shoqëri. Fliste qartë e rrjedhshëm dhe mjaft të rinjve sikur filloi t’ua mbushte mendjen. Më pas doli qartë se ku instruktohej dhe deri këtu nuk ishte aq keq se në fund të fundit kishte zgjedhur, sado në klandestinitet, një lider partiak si model për ta ndjekur a më mirë për t’iu bindur. Por këtu e keqja filloi me adaptimin me sistemin e vjetër të të menduarit politik dhe brendësimin e tij si mentalitet vetjak. Kështu qëlloi që, ndonëse nisi bujshëm ai u shua shpejt, si rrjedhim i gabimeve të veta por dhe tutelës së Ramës e pamundësisë së tij gati organike për të duruar sadopak rivalitet. Kur u rishfaq pas sfumimit të parë, ishte tjetër, disi më i butë, i shtypur, i nënshtruar, i rrahur. Për të mos thënë kone e rrahur. (Është vërtet brilant si rast tipik studimi). Si i ri arrivist e karrierist, kuptoi se madje edhe shfaqje të vogla origjinaliteti në formë a guximi të hovshëm rinor, nuk shiheshin fort me sy të mirë nga udhëheqja partiake. Vetiu i sugjerohej vetëm një rrugë: ndjekja deri në kopjim e rrymës centrale të udhëheqësit partiak, drejtuesit të së majtës luksoze (nëse mund ta quajmë të tillë sipas një modeli  francez politik të dikurshëm). Erioni filloi të përdorë termat e ashpra të politikës së vjetër, nisi gërmimet në të kaluarën a biografinë e kundërshtarëve politikë, dhe në pak kohë u modelua e realizoi kuvendin sipas vendit. “O Zot, po ne diku i kemi dëgjuar këto më parë, madje ca si shpesh”, thanë njerëzit. Po, këto ishin po ato fjalë që përdornin e ende përdorin sot e gjithë ditën pothuaj gjithë liderët e politikës sonë për njëri-tjetrin! Po! Kjo ishte lufta e klasave me kostum të ri, me fjalë pak më të qëruara…por po ajo. Veç nga goja e të riut veshur me kostum trendy, por me të brendshme të ushtrisë së vjetër a të baballarëve të luftës së klasave. Ndjekja këmbë pas këmbe, në fjalë, gjeste, terminologji e tyre. Pastaj, sërish Erioni nisi të shfaqej pak e më pak. Kjo ishte faza e dytë e ciklit. Regjja me dhunën partiake. Më rrallë e shihnin në ekrane a mitingje. Së fundmi ai ishte në rresht me të tjerët. Në korsi. Me korse madje. Deri në momentet kur urdhërohet të dilte, jo shpesh, veç me urdhër në ekrane. Rama këtë veçori kontrolluese-shkelmuese të njerëzve poshtë vetes, e ka sui generis, tipike, nevralgjike, organikisht enveriane. Kur ndokush e tepron me protagonizëm, qoftë dhe imitativ, protagonisti mënjanohet pa dorashka, deri me shkelma. Po ajo që bën vërtet përshtypje interesante, ishte reagimi në zgjedhjet e vitit 2009 i elektoratit ndaj Erionit. Rama e hodhi Erionin në betejë elektorale vetjake-grupore. Edhe për të luajtur siç bën shpesh me këdo, por dhe për t’i treguar vlerën e lëkurës, që më vonë të kujdesej më me mençuri për të duke konsideruar që si lëkurë cilësie të dobët, mund të grisej më lehtë. Kështu Erioni konkurroi më vete me grupimin e tij. Dhe këtu ky elektorat shqiptar që rrallë ka gabuar: nuk i dha vota Erionit të ri, “frymës së re në politikë”. Përse ndodhi? Ku vajti simpatia e qëmotit? Nuk ka njeri interes të japë vota një fryme të vjetër veshur me petk të ri. Mjaftueshëm të vjetër i marrin këto vota. Kjo ndjehet intuitivisht nga votuesi shqiptar, madje dhe tek ai pa ndonjë trajnim special politik. Të kishte qenë ndryshe, të kishte qenë vërtet një i ri i pavarur nga të mëdhenjtë, nga politika e vjetër, një frymë e re në politikë, mendoj se do të kishte patur mbështetje. Antipodi i tij Albin Kurti në Kosovë, arriti të ketë jo pak deputetë në parlament. Njerëzit kanë nevojë për të renë në politikë, por Erioni nuk ishte i tillë. Pikërisht, prandaj Velia përbën fenomen tipik negativ rinor në politikë dhe modelin e asaj se si të rinjtë nuk duhet të jenë në politikë. Ky është modeli agresiv, njëherazi servil, që për t’u rilevuar, mimetizon liderin autoritar deri në vetëdhunim. Kjo vërehet lehtë madje edhe nga sy të pastërvitur. Pra formë, kostum, syprinë e re, pa të brendshme, gjithnjë në gatishmërinë e dhunimit të herëpashershëm nga i madhi. Nga këta, shoqëria nuk mund të presë progres, por veç “Kuaj të mbretit, në rol kalorësish të rinj” sipas një titulli romani të së shkuarës. Erion Veliaj u bë i pakëndshëm për njerëzit se i gënjeu. Qoftë edhe me pamjen mashtruese prej të riu progresist socialist, në mos revolucionar. Madje në disa emisione televizive tentoi të gënjente me mirësi të shtirur deri edhe politikanë të vjetër si Dashi. Ishte ky, që i dha Erionit titullin ‘Lej Fen’ sipas emrit të heroit imagjinar rinor të revolucionit kinez. Në të vërtetë kategoria rinore Veliaj nuk është ajo për të cilën kërkohet angazhimi politik. Dikur, në një debat televiziv, i pata thënë një të riu pa brumë që nuk reshtte së përsërituri, “ne të rinjtë, ne të rinjtë”, “Mosha e re nuk është atribut në vetvete, së paku në politikë… por dhe gjetkë. Kur i riu ka brumë, natyrisht mosha e re është një atribut shtesë, një vlerë e shtuar, që i jep vlerë plus talentit, aftësive, duke i shtuar dhe energjinë, vrullin, pavarësinë e mendimit rinor”. Në të kundërt i riu mbetet vetëm moshë, numër…asgjë tjetër. Dhe po qe veç i tillë në politikë, s’mbetet veçse imitator i të vjetërve, pra i ri i plakur. Ka pra të rinj të plakur a të rinj pa talent që duke mos qenë veçse të rinj, e kthejnë këtë atribut në një vlerë minus. Mendoj se të një pjesë e të rinjve vazhdon të mbijetojë mentaliteti i vjetër dhe ende pothuaj nuk shohim të rinj-yje të shkëlqejnë në qiellin e politikës sonë. Por dikur do të ketë. Kur të shpeshtohet oksigjeni i rralluar i atmosferës sonë politike.