METODAT STATISTIKORE NË STUDIMET PSIKOLOGJIKE

METODAT STATISTIKORE NË STUDIMET PSIKOLOGJIKE

 

Në studimin e dukurive dhe proceseve psikike, metoda e vëzhgimit dhe ajo eksperimentuese zë sot një vënd qëndror. Vetë gjeneza e psikologjisë si shkencë lidhet ngushtë me shtrirjen e kërkimeve eksperimentuese në fushën e studimit të proceseve psikike.

Nën  ndikimin e fuqishëm të mënyrës klasike të konceptimit dhe të përkufizimit të një shkence, psikologjisë për shekuj me radhe iu kundërshtua në mënyrë të prerë çdo përpjekje për shkëputjen nga kanonët e teorisë dhe vetëm asaj. Motivimi i këtij kundërshtimi ishte thjesht obskurantist ose buronte nga nje argumentim skolastik mesjetar. Edhe qëndrimi akademik ndaj këtij problemi shprehte të njëjtën pamundësi për të hyrë në studimin e kësaj fushe, por në rrugë më të tërthorta. Meqënëse psikika në vetë thelbin e saj është adimensionale, në studimin e saj, sipas këtij qendrimi, nuk mund të zbatohen as operacionet e matjes as dhe gjuha e shifrave. Dalja ne skenë e psikologjisë si shkencë e pavarur nuk i detyrohet analizës psikologjike subjektive të bazuar në metodën e introspeksionit, e cila filloi të merrte hov në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, por vecanërisht studimeve të kryera në fushën e fiziologjisë së përgjithshme të sistemit nervor psikofiziologjisë së organeve të shqisave si dhe fizikës. Në Shqipëri metoda e eksperimentit natyror në studimet e karakterit psikopedagogjik ka gjetur një vënd të dukshëm. Në eksperimentet që u ndërmorën në vitet 70 për përfshirjen e fëmijëve të moshës 6 vjeçare në sistemin shkollor të detyruar, metodat eksperimentuese dhe ato statistike u përdorën gjërësisht. Edhe dukuria e përshpejtimit fizik dhe psikik të fëmijëve tanë është një nga dukuritë e rëndësishme të natyrës psiko-sociale. Njohja shkencore e kësaj dukurie, e përmasave, e ndikimeve dhe e rezultateve të saj, organizimi shkencor i punës për drejtimin e saj në rrugë eksperimentuese është një nga problemet më të rëndësishme që shtrohet përpara arsimtarëve dhe specialistëve tanë në fushën e arsimit. Në këtë kuadër qëllimi i këtij libri është që pas një përshkrimi të shkurtër të disa prej karakteristikave kryesore të metodave të studimit e punës shkencore në fushën e psikologjisë, si vëzhgimi e eksperimenti natyror, anketimi etj., të japë gjerësisht metodën e përpunimit e të interpretimit të bazuar shkencor, statistikor, matematik të të dhënave të vjela prej tyre. Dhënia në gjerësi e kësaj metode nënvizon gjithashtu faktin se ajo është një metodë përpunuese e domosdoshme për t’iu bashkangjitur çdo metode tjetër.