PSIKOTERAPIA

PSIKOTERAPIA

 

Libri “Psikoterapia” është botimi i parë i mirëfilltë shkencor në fushën në fjalë, që prej kohësh ka munguar. Ai ka si objektiv të njohë studentin e shkencave psikologjike, sociale dhe atë të mjekësisë me problemet e trajtimit psikoterapeutik te çrregullimeve psikologjike. Për nga tematika e problemeve që trajtohen në këtë libër, ai është një material shkencor bazë, jo vetëm për psikologët e ardhshëm, por sidomos një udhërrëfyes në praktikën klinike të mjekëve psikiatër. Në këtë punim voluminoz përshkruhen në mënyrë të qartë dhe me kompetencë profesionale e shkencore një pjesë  e madhe e çrregullimeve të ankthit, të gjëndjes shpirtërore , të personalitetit etj, bëhet vlerësimi klinik, diagnoza si dhe trajtimi psikoterapeutik i çdo crregullimi psikikologjik. Libri pajis specialistët e shëndetit mendor me metoda e teknika për të trajtuar me baza shkencore psikoterapeutike të gjitha llojet e çrregullimeve psikologjike. E vecanta në këtë libër është ilustrimi që së bashku me trajtimin teorik të çrregullimeve, përbëjnë bazën e punës klinike në trajtimin e klientëve me çrregullime psikologjike.

Psikoterapia e njohjes dhe e sjelljes është baza teorike e librit. Ajo është ndër psikoterapitë më bashkëkohore e të aplikueshme, që ka për qëllim korrigjimin e perceptimit, të menduarit, përfytyrimit, kujtesës e të shumë elementeve të gabuara të njohjes dhe të sjelljes së shtrembëruar e të papërshtatshme, të personave që vuajnë nga çrregullime psikologjike. Pjesa appendiks e librit, ajo me qëndër klientin apo rogeriane, zë një pjesë më të vogël dhe vlen për të njohur e futur lexuesin e interesuar në fushën e një lloj tjetër psikoterapie, e cila mund të gjëndet më e zgjeruar në manuale të tjera.  Libri është i pajisur dhe me bateri testesh për diagnostikimin e çregullimeve, si dhe më një fjalor të vogël psikologjik. Ai është i vlefshëm në pjesë të tëra të tij edhe për masën e gjerë të lexuesit që mund të njihet kësisoj me çregullimet e rendit psikologjik ende jo të rekomanduara për t’u trajtuar nga psikiatri, por nga psikologu. Me të tilla çregullime mund të haset edhe njeriu i zakonshëm, fakt që i bën këto çregullime të quhen “të paradhomës së psikiatrisë” dhe të rekomandueshme për t’u njohur nga cilido. Libri është ribotuar 7 herë.