Çfarë ndodh brenda njeriut që la në heshtje mediat për shumë kohë ?

18/01/2013 11:31

Intervistë me Prof. Dr. Ylli Pangon: psikologji, politikë dhe të tjera vlerësime rreth realitetit shqiptar

Intervistoi:Doriana Metollari

TIRANE - Është një prej personazheve më në qëndër të vëmendjes brenda skenës së turbullt të politikës shqiptare. Interesi i gazetarëve ndaj tij, nuk është shuar asnjëherë, kjo dhe për pikëpamjet bashkëkohore e shkëncore që ka, përveçse politike. E megjithatë Prof. Dr. Ylli Pango, ka lënë pas dere thuajse të gjitha mediat për një kohë të gjatë. Një nevojë për të qenë vetëm dhe për t'u përqëndruar në të vetmen punë që nuk e ka zhgënjyer për asnjë moment: shkencën, të renë, studimet mbi ndryshimet shoqërore, një mbështetje e fortë për të, në rrugëtimin e kohëve të fundit. Ai thyen heshtjen pas shumë kohësh dhe i rishfaqet publikut nëpërmjet të njëjtit pushtet që dikur e mënjanoi nga politika. Medias. Ishte befasuese gjatë intervistës, të kuptoja se kjo shkëputje nuk i ka prekur energjitë e tij dhe ndjehet po kaq i gatshëm t'i rikthehet të njëjtit suksesit në punën e tij të dikurshme. Por çfarë ndodh më të vërtetë brenda njeriut që la në heshtje gazetarët për shumë kohë ? Transformimi i shoqërisë dhe si ndikon kriza ekonomike në proçes ? A jemi aq të fortë sa të shkëputemi nga paragjykimet për të jetuar të lirë ? A ka vërtet frymë të re në politikën shqiptare ? Këto janë disa prej pyetjeve që Prof. Dr. Ylli Pango iu përgjigj gjatë një interviste eksluzive për Hermesnews.

A po ndikon kriza ekonomike në rritjen e agresivitetit të njerëzve në shoqëri ? 

Them se po. Direkt dhe indirekt. Nëse në kushtet e krizës, njeriu përballet me mungësa të mjeteve le të themi jo elementare të jetesës por të dëshirueshme apo të domosdoshme për kohën, pa dyshim do të kërkojë t’i plotësojë ato. Në mungesë të këtij plotësimi kemi kundër-reagimin i cili reflektohet, në agresivitet, dhe në rastet me ekstreme dhe në krim. Sidomos kur këto nevoja janë elementare ky agresivitet arrin kulmin. Njihet në psikologji termi personalitet antisocial. Unë mendoj se ky personalitet kryesisht formohet në rrjedhen e jetës dhe kriza ndikon në këtë. Ky personalitet njerëzor shquhet për raporte të frustruara, probleme në ndërveprime me të tjerët, sjellje antisociale, deri në agresivitet.

Kërkimi i një "fajtori" dhe i një problemi medoemos dhe vetëm jashtë njeriut dhe sidomos "shkatërrimi" i individit dhe identifikimi i tij me "një armik", në kohën kur kjo pengon të kemi një panoramë të plotë të realitetit, është një dobësi e njerëzve që mund të kthehet në mjet. A ka të bëjë mentaliteti i mbyllur diktatorial, në kufizimin e lirisë së individit. Pra a përballen njerëzit ende me këtë kufizim të trashëguar nga diktatura ?

Pyetja është shtruar bukur dhe mesa duket e ka brenda vetë një pjesë të mirë të përgjgjes. Më pëlqen dhe si shtrim problemi. Në shumë raste në historinë e njerëzimit shtrimi i drejtë i problemit ka qenë më i rëndësishëm se zgjidhja e tij. Në fund të fundit pa e shtruar drejt diçka, nuk mund të gjendet një zgjidhje e drejtë. Të rikthehemi tek pyetja: Absolutisht po. Eshtë ndër rastet më të rënda të shkatërrimit të personaliteti njerëzor që tenton asgjësimin e tij të plotë, pavarësisht kontributeve, aftësive, talentit, gjithë asaj ngrehinë të madhe të quajtur jetë njerëzore, ngritur me mund e djersë. E gjitha kjo sipas dëshirës, urrejtjes, ambicjeve të individëve të caktuar, (në rastet e diktaturave sidomos të vetë diktatorëve), shëmbet menjëherë me një të rënë lapsi.

Përmban në vetvete kënaqësinë sadiste të shkatërrimit të jetës së tjetrit, mllefet e frustracionet e jetës së shkuar të agresorit apo asgjësuesit, ligësinë njerëzore në kulmin e vet dhe mbi të gjitha cinizmin e padrejtësinë. Janë jo të pakta rastet në diktaturat staliniane e enveriane, kur njeriu sa çel e mbyll sytë përfundonte në hiç, duke kënaqur kështu epshet e ambiciet e egra jo vetëm të ekzekutorit por dhe të një turme të tërë pagane e mediokre, gjithnjë në pritje të rënies së figurave, personaliteteve, si kompensim i vuajtjeve të veta personale të mosarritjeve e dobësive, inferioritetit e mossuksesit në jetë.

Reminishenca e këtyre ngjarjeve makabre, në kohën tonë ende jodemokratike, qëndron në faktin se dhe sot e gjithë ditën shohim të goditen pa skrupull njerëz në media e kudo, shpesh për urrejtje personale, arsye politike a interesa të fëlliqura. Madje dhe në rastet kur nuk provohet asnjë lloj fajësie e viktimës a vërtetohet se vetë sulmi a goditja janë kriminale, atentatori i jetës së tjetrit, vazhdon të jetojë i qetë ndërsa viktima merr fund me gjithçka e askush nuk bën apologji...Jo më të flasësh për dënim të agresorit për krimin e shkatërrimit të një jete njerëzore. 

Në fund të fundit vdekja sociale është më e rëndë se ajo fizike e cila merr fund menjëhere. Kjo e para, vdekja a ekzekutimi social, janë të vijueshme, torturuese, dhe për karakteret jo të forta, jo rrallë marrin fund me vetëvrasje, rrënim, çmenduri etj. Kjo vazhdon tek ne dhe është një nga treguesit më të qartë që ende demokracia nuk ka ardhur e se ajo do të quhet në rrugë të mbarë kur të fillojnë ndryshimet e mëdha të mentalitetit njerëzor, respekti për njeriun. Më e keqja është se ekzekutorët e kohërave të sotme janë vegla a pjesë me rëndësi e pushtetit mediatik e politik.

Raporti i njeriut me trupin e vet (psh shumëkush ndjehet i lirë të ndjekë plazhe nudistësh, ndërsa për shumë kultura të tjera është ende tabu), a ndikon në lirinë personale të njeriut, e rrit apo e kufizon atë ? 

Po t’i referohemi kulturës së parakristianizmit, të shfaqurit e bukurisë trupore, apo thjesht trupit, jo vetëm nuk konsiderohej turp por objekt krenarie. Ekzistonte kulti i trupit madje. Tendenca e njeriut lidhur me zbukurimin, mbajtjen mirë por dhe ekspozimin e trupit të vet, sot shkon drejt kësaj. Mendoj se më tepër se liri personale a rritje e saj, është rikthim në vlerat e natyrshme njerëzore të cilat pa kaluar në detaje të tipit, ekzibicionizëm, plazhe nudiste etj., në vërtetë janë të pranueshme. Natyrisht do duhet kohë për t'u rikthyer plotësisht atje për shak këtë një përpunimi shumëshekullor në të kundërt, përpunim ky kulturor e psikologjik, tradicional tashmë.

Për çfarë keni siguri në jetë ?

Për aftësitë e mia. Për forcën e personalitetit. Për aftësinë për t’i parë ngjarjet, njerëzit, nga një këndvështrim shumë me panoramik e të gjërë se shumica e njerëzve. Si pjesë e një të tëre pa fund, para së cilës jemi aq të vegjël, saqë dramat tona personale nuk duhen përjetuar kurrë si gjëma të mëdha. Thjesht të parët e vetes, si një pjesë e një të tëre e cila në kulturat e Lindjes shkrihet a përfshihet në dramën a komedinë universale. Kjo më ka ndihmuar shpesh në jetë të përballoj situata ku të tjerë janë mbytur a vetëvrarë, zhdukur a shkatërruar mendërisht a fizikisht apo si personalitet. Mund t’ju jap vetëm dy shëmbuj të kësaj nga jeta ime: atentati me bombë ndaj jetës time me 2003, shkatërrimi i personalitetit a më shumë i imazhit tim me një "atentat" tjetër akoma më të rëndë me 2009. Pa llogaritur denigrime, sulme, poshtërsi të tjera karshi meje me të vogla por jo të vogla.Ç’është më absurdja, në të gjitha goditjet ekzekutorët kanë marrë kurora lavdie, kanë vazhduar poshtërsitë e tyre, ndërkohë që viktima madje dhe në tryezën e operacionit a shtratin e spitalit, është denigruar më keq, duke tentuar a rekomanduar në biseda publike televizive deri asgjësimin e tij. Këto të fundit janë parë nga mijëra njerëz.

Nëse do të mund të zgjidhnit një moment në jetë ku do të ndaleshit për të reflektuar më tepër, a do merrnit vendime të tjera ?

Mars 2005. Momenti kur vendosa të hyj aktivisht në politikë. Dhe jo me ftesë bujarie si për një pjesë të mirë të deputeteve të futur në Parlament nga dashamirësia e listave. Por me kërkesë për një betejë që mund ta cilësoj sot me plot gojën më të fortën e më të vështirën e betejës elektorale të vitit 2005. Kundërshtari im, disa herë ministër në ministri nga më të rëndësishmet. I suksesshëm në biznes, i pasur, i aftë dhe unë për herë të parë në një betejë të tillë, i ardhur drejtëpërsëdrejti nga bota akademike. Pranova sfidën, luftova, fitova, më vonë u bëra ministër, por pagova shumë.Ambicia e mediokërve më shkatërroi një pjesë të rëndësishme të reputacionit, jetës, atyre të mirave publike që mund të kisha bërë. Tentuan ta shkatërronin të tërën. Tani po të isha në atë moment, do të kisha vazhduar karierrën e sukseseshme universitare a do kisha themeluar universitet privat gjë që e fillova por e lashë për shkak të konfliktit të interesit. Gabim i madh.

Ka shumë elemente për të cilët kërcënohet realisht mazhoranca në këto zgjedhje ? Hipotizojmë dy situata të kundërta: Rasti i parë, Berisha fiton një mandat të ri: cila do të jete e reja në qeverisjen e shqiptarëve ? Po në rastin e Ramës ?

Sigurisht që ka. Nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë vend e me asnjë parti politike që të mos ketë pasur absolutisht asnjë risk. Natyrisht këto risqe nuk do t’ja thotë kurrë vetes mazhoranca e as do t'i përmendë asnjë njeri i saj. Parimi numër një, së paku i politikës sonë: ”Fitore, fitore dhe vetëm fitore...asnjë dobësi a të metë që ta shfrytezojë kundërshtari”. Meqë ra fjala më kujtohen disa kandidatë krejt të panjohur për kryetar bashkie, disa vite më parë. Të gjithë të sigurt në fitore. 100%. Madje dhe ata që nuk kishin kandiduar kurrë më parë.

Pra ka elemente që duhen marrë parasysh dhe mendoj se një problem është i të qënurit në pushtet për një kohë të gjatë që në përgjithësi e korrobon pushtetin. Këtu nuk e kam fjalën për Berishën që vazhdon të gjenerojë energji, ide dhe dinamizëm. Natyrisht si ish pjesëtar i kësaj mazhorance nuk mund të mohohen, sado të bërtasë opozita shumë arritje të kësaj periudhe. 
Por jo të gjithë njerëzit e PDsë, mjaft bashkëpunëtorë të Berishës etj., nuk reagojnë a komunikojnë si duhet me njerëzit, madje as me elektoratin e vet, dhe kjo përbën një rrezik. Së dyti nuk duhet harruar se kundërshtari përdor një propagandë të shfrenuar në TV në disa nga kanalet më të shikuara dhe kjo ndikon sidomos tek njerëzit në përgjithësi dhe tek ata pa formim në veçanti. Të gjitha këto janë vota. Nga ana tjetër kundërshtari jep disa mundësi të mira për fitoren e PDsë. Paaftësia e Edi Ramës për të bashkëpunuar e ndërtuar aleanca, përvoja e tij e dy mandateve të fundit si kryetar bashkie kur punët e pa filluara a të lëna në mes terrorizuan Tiranën, personaliteti i tij tepër i dyshimtë për t'u dhënë njerëzve shpresa humanizmi a jete më të mirë, etj.

Të marrim dy variantet: nëse Berisha fiton, sigurohet vijimësia në fushën e investimeve në rrugë, hidroenergji, përgjithësisht në ekonomi, vijimësia drejt integrimit të plotë në BE, etj., Sigurisht nuk janë gjëra të vogla dhe për mua kjo rrugë së paku në këto dy drejtime duhet vazhduar si e sukseseshme. 

Varianti i dytë: Rama fiton. Nuk mendoj se do të vinte për herë të parë në pushtet. Të jesh ministër i një kabineti qeveritar, disa herë kryetar bashkie, e tëra kjo 10 vjet, nuk është pak. Dhe vlen ajo çka ka bërë si një tregues mjaft i qartë se cila është shkolla qeverisëse (nëse mund të quhet shkollë) që përfaqëson. Kabineti ka ekzistuar edhe në bashki. Edhe në ministri. “Eshtë çështje përmasash” do të thoni ju. “Më shumë pushtet, fatet e vendit në duart e një njeriu”. Po ju jap një shëmbull në pamje të njëjtë, por në thelb të kundërt. A nuk u muar parasysh eksperienca e Mario Montit në administratën e Komisionit Europian kur e emëruan Kryeminister ? Dhe rezultoi e sukseshme. A nuk ishte e tmerrshme eksperienca e viteve të dy mandateve të fundit të Ramës, sheshi i shkatërruar i qëndrës së Tiranes, krrusma punëve të bashkisë, indiferenca totale për punët publike. E pse të mos mendojmë se pas një fillimi spektakolar në formë (këto ai i qan), me formë e tantana, me roje të veshur bukur në hyrje të Kryeministrisë, me lajle e lule, me batuta në mbledhje qeverie e me rioshe që i rrokullisin fjalët si rruaza, ëmbël e më sqime, përgjithësisht pa gabime ortografike por pa lëng jetësor, do të vimë sërish në neglizhencë e tallje të njerëzve e fateve të tyre nga ana e opozitarit të madh,

“L’home c’est le style” (Njeriu është stili), thuhet me të drejtë. Dhe Rama nuk ndryshon në thelb. Si mund të ndryshosh kur ke në kurriz jo pak por 10 vjet qeverisje si Ministër e kryetar bashkie. Dhe diku rreth 50 vjeç si Edi Rama (nuk e di saktë sa vjeç është pretendenti për lidër ekzekutiv).

Fenomeni i të rinjve në politikë: ekziston një tendencë e cila po ndiqet kohët e fundit. Me pak fjalë, të rinjtë duan të futen në politikë për të qeverisur apo për të kuptuar ambientin ku jetojnë dhe për të vendosur si qytetarë të lirë ? Ne rastin e të parës, a do të thotë se shoqëria shqiptare vazhdon rrugën e centralizimit të pushtetit ? Në rastin e së dytës, a mendoni se rinia sot vërtet po krijon bazë shoqërore të re e cila është më shumë e predispozuar të kërkojë ndryshimin brenda vetes dhe vetëm të presë nga liderët ?

Me gjasë të madhe ju po më bëni pyetje që më kanë shqetësuar prej kohësh si studiues e psikolog apo më mirë si njohës jo i keq i kësaj shoqërie. Ka një grup të rinjsh që siç e vura në dukje pak më sipër stisin e rrjedhin mjaltë fjalësh të pastra e të qeruara por që në një vështrim të kujdesëshëm, nuk kanë asnjë aspiratë të thellë a humane. Këta në pamje të parë ta mbushin mendjen për një ndryshim a risi të pastër në atë krah të opozitës. Por mjerisht jo. Mendoj se këta që kanë arritur deri aty e kanë fort për zemër pushtetin por vetëm ate, atë në vetvete. Dhe sidomos problemi është tek pjesa e dytë e pyetjes: a janë ata vërtet bazë shoqërore ? A kërkojnë ndryshim brenda vetes e në shoqëri e a ja kërkojnë këtë liderit? Këtu “ngec se ç'ëndrra shohin” do të perifrazoja Shekspirin. Dhe këtu pastaj ka mjaft gracka ku mjaft syresh ngecin madje pa e kuptuar as vete dhe rezultojnë a shfaqin padashur të vërtetën e vetes, me një mentalitet tejet të vjetër e klasor antagonist ndoshta të trashëguar nga baballarët. Madje të frikshëm kur i sheh të veshur me kostum të ri. Më tipiku syresh është Erion Velia. Kur pata qenë dekan, pata naivitetin sado pak kohë, të besoj se ky njeri vinte nga larg me një mentalitet të ri e do bënte vërtet të mira. Fliste qartë e rrrjedhshëm, e pse jo dhe mjaft të rinjve u mbushte mendjen. Më kërkoi dhe mua ta ndihmoj.

Donte sallën e madhe të fakultetit për aktivitete dhe e ndihmova me sinqeritet duke besuar se ishte krejt i pandikuar nga askush. Më pas doli qartë se në cilin krah prononcohej dhe deri këtu nuk kishte asnjë të keqe sërish. Në fund të fundit kishte zgjedhur, sado në klandestinitet, një lider partiak për t’ju bindur. Dhe këtu u shfaq i vërtetë e i plotë. Filloi të flasë me terma të ashpra për të kaluarën e çdo kundërshtari politik, të kujtojë kush kishin qenë, ata, baballarët e tyre, të godasë pa mëshirë. O zot, po ku i kishim dëgjuar këto...këto ishin po ato fjalë që përdornin pothuaj gjithë liderët e politikës për njëri- tjetrin ! 

Kjo ishte lufta e klasave e kostum të ri, me fjalë të zgjedhura, nga goja e të rinjve veshur ndryshe por më të brendshme të baballareve të luftës së klasave. Kjo ishte ndjekja këmbë pas këmbë e liderit padron, në fjalë, gjeste terminologji dhe as gek as mek ndryshe. Ja e shikoni të levizë tani? E shihni të ekspozohet si më parë. Jo tani është i kontrolluar. Në korsi. Me korse madje. Rama këtë veçori kontrolluese-shkelmuese, e ka tipike si të Enverit. 

Kur ndokush e tepron me protagonizëm, qoftë dhe imitative, të tipit Rama, e mënjanon protagonistin pa dorashka. Po ajo që më bëri vërtet përshtypje të këndshme, ishte reagimi në zgjedhje i elektoratit ndaj Erionit. Rama e hodhi Erionin në betejë elektorale dhe për t'u tallur, por dhe për ta parë sa i vlen lëkura, madje dhe për ta ulur ca më poshtë se kishte marrë shumë yrysh. Dhe thoni si të doni por ky elektorat shqiptar kurrë nuk ka gabuar: nuk i dha vota Erionit të ri, "frymës së re në politikë" dhe e dini përse ndodh ? Nuk ka njeri interes të japë vota një fryme të vjetër veshur me petk të ri. Mjaftueshëm të vjetër i marrin këto vota. Të kishte qenë ndryshe, të kishte qenë vërtet një i ri i pavarur nga të mëdhenjtë, nga politika e vjetër, një frymë e re në politikë, mendoj se do të kishte patur mbështetje. Njerëzit kanë nevojë për të tillë. Por Erioni nuk ishte nga ato lule.

Sidoqoftë, për ta mbyllur me këtë pyetje, do të doja të përsërisja atë që i kam thënë një të riu pa brumë që nuk reshte së përsërituri, "ne të rinjtë, ne të rinjtë", në një debat televiziv. “Mosha e re nuk është atribut në vetvete, se paku në politikë por dhe gjetkë. Kur i riu ka brumë, natyrisht mosha e re është një atribut shtesë, një vlerë e shtuar, që i jep goxha shtesë vlerë talentit, aftesive, duke i shtuar dhe energjinë, vrullin, pavarësinë e mendimit rinor.

Në të kundërt ka të rinj të plakur a të rinj pa talent që duke mos qenë veçse të rinj, e kthejnë këtë atribut në një vlerë minus. Mendoj se të një pjesë e të rinjve vazhdon të mbijetojë mentaliteti i vjetër dhe ende nuk po shoh të rinj-yje të shkëlqejnë në qiellin e politikës sonë. Por dikur do të ketë. Për këtë jam i sigurt. Kur të shtohet oksigjeni i rralluar i atmosferës tonë politike.

Fenomeni LSI: mendoni se skandalet do t'i krijojnë boshllëk brenda elektoratit të vet në zgjedhje ? 

Meta është një drejtues pragmatist që njeh mirë mentalitetin shqiptar e sidomos atë oborrtar. Meta darovit mirë bashkëpunëtorët dhe mjaft njerëz e dinë këtë. Meta shfrytëzon me rentabilitet supermaksimal atë pjesë të pushtetit që i jep vota e votuesve të vet duke e kthyer këtë në vlerë ekuivalente plus, vlerë goxha të shtuar ekzekutive. Në këto kushte, ai zmadhon mundësitë për mbështetje duke rritur numrin e darovive. Këto pastaj shtojnë votat e kështu me radhë. Dhe nuk është çudi që kjo rritje progresive vazhdon. Mendoj se në këtë terren ku jetojmë, veprojmë, mendojmë, në këtë atmosferë politike, Meta nuk do të humbasë copa të terrenit të vet. Pastaj ju flisni për skandal. Mor po ku është skandali ? Gjyqin e fitoi...madje as kanali më i madh televiziv që shfaqi ca skena, nuk e përmend më. Në Shqipëri gjërat evolojnë shpejt. Edhe Prifti e kuptoi gabimin me sa kam dëgjuar....

Fenomeni FRD: cila kategori e qytetarëve do t'i besojë votën Topit ?

Nuk mendoj se do të ketë vota për FRD. Maksimumi vota për një deputet që është shumë e vështirë për ta kuptuar se kush do të jetë. Argumenti im është i thjeshtë dhe pa asnjë njëanshmëri: Nuk kam parë në udhëheqjen e këtij grupi, pothuaj asnjë figurë të re nga bota akademike, kulturore, biznesi etj, apo që të përfaqësojë një shtresë. Pjesa më e madhe janë ish poltikanë që kanë milituar në parti të tjera a ish punonjës të kabinetit presidencial.

Berisha gjatë tetë viteve ka mbajtur le të themi timonin e një anijeje që shpesh herë është rrezikuar seriozisht nga dallgët: a do e fajësonit për diçka ?

Nuk ka anije politike a lider politik që nuk rrezikon të mbytet. Pa shikoni në botë. Jo vetëm në vendet jo demokratike por dhe në ato me traditë të gjatë në demokraci. Tani se fundmi në vendet arabe, por dhe në Kroaci, në Itali. Me liderë e me parti. Zaten risku i humbjes së gjithçkaje dhe disa herë humbja e të gjithave janë arësyeja që politika ka koston më të lartë se çdo domen tjetër, riskun më të madh...se ka dhe përfitimin më të madh, atë të lavdisë, pushtetit, adrenalinës. Në këtë aspekt Berisha ka rrezikuar shumë, që nga koka e deri tek familja, që nga imazhi politik e njerëzor e deri tek liria. 

Anija e tij ka rrezikuar vërtet mbytjen, madje dhe është dëmtuar keqas por përsëri ka riparuar avaritë e ka dalë në det të hapur. Problemi për mua është jo mbytja. Risku mendoj do të jetë një ankorim i gjatë i anijes në liman kur të jetë pa Berishën. Në këtë sens ai pa dyshim dhe ka gabuar, dhe ka rrezikuar, por për hir të asaj që duket qartë e nuk e ndryshon dot kush, rezultantes historike, ai i ka vënë vulën e vet politikës e historisë së këtyre me se 20 vjeteve. Nuk ka njeri që nuk ka gabime. Pa dyshim mund t’ja them dhe unë një ditë si dhe të tjerë, por sigurisht pas zgjedhjeve. Për hir të së vërtetës unë nuk kam kaluar në asnjë kamp tjetër politik dhe përsëri dëshiroj fitoren e PDsë.

Jam i detyruar të mos i jap armë kundërshtarit politik. Ka një moral politik. Por edhe një njerezor. Nuk jam nga ata bukëshkalë që kanë marrë aq shumë nga PD e në rastin më të parë kur nuk kanë marrë kanë sharë e pështyrë. Ai edhe me mua ka nxituar, e gabuar por në terësi raporti im me të e vlerësimet e tij për mua, me fjalë e vepra konkrete, sidomos në momente të vështira të jetës time, për shembull pas bombës që më vunë në vitin 2003, më bëjnë ta anoj peshoren nga pozitivja. Kështu mendoj se duhet gjykuar në politikë e në jetë. Të mira e të këqia. Në përgjithësi mendoj se ne jemi shumë mosmirënjohës si shqiptarë e kemi të vështirë të mbajmë mend kollaj 100 të mira por mjaft të lehtë të konsiderojmë një të keqe të vetme kryesore e kapitale për gjykimin e nje njeriu. 

A ndjeheni i vendosur për të rimarrë hapat e politikës ?

Sinqerisht nuk e di. Por di një gjë me siguri. Kam një karierë aq të gjatë e të pasur në mjaft fusha të jetës, saqë do te isha i vlefshëm edhe për shumë kohë. Gjithsesi beteja me mediokritetin brenda partive poltike është fituar në përgjithësi nga ky i fundit. Janë shumë...janë tepër të rafinuar, janë të lindur vetëm për të shkatërruar dhe nuk merren veçse me atë punë. Këtu nuk ju a dal dot.

Cili është profili ku ju ndjeheni më komod ?

Ai nga i cili u shkëputa. Ai akademik. Madje dhe këtë profil e goditën qenërisht me urrejtje të paparë duke dashur që së bashku me të, të më zhdukin me të tëra. Gjithsesi më thërrasin e do të më thërrasin profesor sa të vdes. E kam marrë me punë e vepra këtë titull. Kam rreth 15 libra të botuar e me mijëra ish studentë, në matematikë e psikologji se i kam dhënë ëe dyja lëndët. Janë ca gjëra që ngjizen thellë e gjatë e nuk ka zot t'i shkulë dot. Janë ca fusha ku medokrit, intrigantët, plehu i këtij vendi nuk fitojnë dot. Ndonëse dhe këtu në përgjithësi bota akdemike ka marrë goxha goditje.

Nëse do të uleshit, në një tavolinë me të gjithë ata që le të themi bënë të mundur që ju të largoheshit nga politika për gjatë gjithë kësaj kohë: çfarë do t'i thonit sot ?

“A jeni të kenaqur o miq”? Ky do të ishte varianti i shkurtër. 

Varianti i gjatë lidhet me vazhdimin e përpjekjeve të disave edhe sot për të më luftuar e shkatërruar më tej, deri në fund, pa kthim. Këta janë urrejtësit e palodhur, pjesa brilante e urrejtjes meskine, injoranca e provincializmi meskin në disa fusha në pushtet. Këtyre u kam thënë nëpërmjet të tjerëve: ”Po si nuk u ngopet me urrejtje e helm o njerëz ? Po a e dini që ky helm, ju dëmton se pari juve vete” Se duhet ta dini: urrejtësi mbart një sasi goxha të madhe helmi me vete dhe nuk lodhet kurrë së përtypuri e ripërtypuri atë. Kjo natyrisht nuk kalon pa efekte të brendshme. Dhe po t’ju avitesh këtyre njerëzve, madje dhe së largu e ndjen: “Qelben helm”. Gjarpëri është pa dyshim shumë më i pafajshëm. Së pari helmin e ka të dhënë nga Zoti. Dhe në shumicën e rasteve, këte e dimë nga zoologjia, nuk të ngacmon po nuk e preke. Kurse këta verbohen dhe kur të shohin. Njëri syresh, kryekontrollori Bujar, që ka nxjerrë shpatvn tash ca muaj, e po tenton të vrasë e presë, majtas e djathtas njerëz pa faj, ka deklaruar në tryeza orgjish se ”do më marrë shpiritn”. E shikoni sa e vështirë është të jetosh këtu...e ca më shumë të punosh, të drejtosh a të merresh me politikë.

Si ndjeheni në këtë moment ?

Aktiv, me energji, siç ndjehesha kur i kam thënë dikujt: "Nuk është se kam ndonjë neps për post, por nuk rri dot dhe kështu, thjesht pasiv.." (isha ende deputet). Jam më aktiv tani se atëherë, ndonëse institucioni që drejtoj është më i vogël, e kemi bërë atë të njohur për mirë në Komisionin Europian, e kemi bërë që të vlerësohet në Progres Raportin e vitit 2011 për Shqipërinë. 

Lexojeni online ne faqen 58-59 varianti anglisht. ARTI, agjensia jonë përmendet 7 herë, më tepër se dy ministri së bashku. Më duhet ta them këtë tej çdo modestie: është kontributi jo vetëm imi por i gjithë stafit që drejtoj e me të cilin punojmë së bashku tash tre vjet. Kemi fituar dhe projekte të mëdha të BEsë, me partnership me Univesitete italiane, austriake etj. I fundit 600000 Euro.( “Por shshhht..mos u ndjeni...mos tregoni...nuk i kemi bërë reklamë as konferenca shtypi...se na dëgjon i ligu e bëhet xheloz e na vret me intriga pastaj.:)...Ndonëse partneri italian Universiteti "Aldo Moro" i Barit, na thotë ta bëjmë bashkë një konferencë për shtyp së shpejti.

Çfarë ka ndryshuar brenda jush gjatë kësaj kohe ? 

Jam më i qetë, më i tërhequr, më pak, shumë më pak i shfaqur në publik. Së brendshmi jam i njëjti. Jam gati në çdo moment të shpenzoj energji të pamata sërish. Si atëherë kur më ndërprenë punë e realizime shumë të mëdha e të bukura në Ministri.

Cilët janë fjalët që do t'i thonit të gjithë atyre që e lexuan këtë intervistë ?

Miqtë e mi. Pasi të lexoni, mundohuni të vlerësoni edhe me mendjen tuaj. Kur bëhet kjo, jemi së bashku, më pranë të vërtetës.