Identiteti, kultura, emancipimi: prej ku vijmë dhe ku duam të shkojmë ?

16/02/2013 11:40

Intervistoi:Doriana Metollari

Flitet për psikoloji popujsh, identitet kulturor, kulturë dhe emancipim. Por cila është marëdhënia e shqiptarëve me vetveten ? A e njohin ? Sa ka ndikuar e kaluara në të adhmen e mbyllur të qytetarëve shqiptarë ? Mbi të gjitha kush ishim dhe ku po shkojmë. Këto dhe të tjera pyetjeve i është përgjigjur eksperti i psikologjisë Prof. Dr. Ylli Pango...

TIRANE - A mund të flasim për psikologji të shqiptarëve ? 

Pa dyshim ka psikologji te shqiptarëve sikurse ka psikologji të çdo populli a ndryshe psikologji kombëtare a nacionale. Wundti, psikolog i njohur gjerman i shekullit të 19, u muar i pari dhe përdori termin psikologji e popujve. Psikologjia kombëtare është ajo çka i dallon popujt nga njeri tjetri (veç tipareve të përbashkëta) në tërësinë e tipareve psikologjike të personalitetit, në sensin e vlerave, emocioneve e ndjenjave, besimeve qofshin fetare në sensin më të gjerë, qofshin të besimeve më të specifikuara në një aspekt më të ngushtë, në aspektin e mentalitetit, moralit, qëndrimeve karshi fenomeneve a ngjarjeve të caktuara. 

Të gjitha këto tipare formësohen e mbështeten, mbështeten e zhvillohen edhe nga familja, edukata qe jep ajo, shkolla, gjuha që i mishëron këto vlera të përbashkëta, mjedisi kombëtar, etj. Normat, reagimet tipike emocionale kanë gjithashtu tipare dalluese, vec të [përbashkëtave, për popuj a grupe popujsh. Kështu flitet për temperamentin mesdhetar, me tipare si gjaknxehtësia, dinamizmi që i karakterizon ata. 

Në këtë shembull mund të flitet pra edhepër psikologji grup-popujsh,të atyre mesdhetarë. Dhe temperamenti e emocionet janë pjesë e psikologjisë, kjo dihet. Virtytet e veset e koncepti për to në popuj të ndryshëm i dallojnë ata gjithashtu nga njeri tjetri. Tek ne fjala vjen është bërë mbizotërues këta 23 vjet mentaliteti i vlerësimit a mbivlerësimit të të fortit, të më të fortit, fituesit, qoftë ky edhe jo në anën e së drejtës a moralit të gjithëpranuar formalisht. 

Nga ana tjetër del në pah në jo pak raste edhe përbuzja a së paku shpërfillja e viktimës e humbësit. Por ka pa dyshim ndikim edhe reminishenca e regjimeve totalitare. Shumica e popullit, në mos i gjithi duhet të ishte me një ideologji, një parti, një bindje. Me atë fituese. Madje edhe në fushën e sportit, një pjesë më e madhe e njerëzve ishte tifoz fjala vjen me Partizanin si ekip i pushtetit dhe shumë pak me të tjerët.

Po kështu ne flasim për një qëndrim të vecantë karshi punës të popullit gjerman dhe kjo bindje për këtë btipar kombëtar gati gati është aq e vjetër saqë edhe në historinë e Francës njihet pranohet roli e ndikimi i kësaj psikologjie disipline gjermane të punës në viset e Francës veriore banuar kryesisht nga fise me prejardhje gjermanike. 

Ne flasim gjithashtu për bindje të thella fetare të popullit rus në shekujt e carëve, për besim të tillë që e bënte fshatarin e thjeshtë rus, megjithë jetën e skëterrshme, të vdiste kurdoherë i qetë me sigurinë e thellë se e priste paqa e amëshuar. 

Turgenievi ka një tregim të mrekullueshëm për këtë. Si vdes rusi. Ne njohim gjithashtu qëndrime a raporte të caktuara tepër specifike të japonezëve karshi grupit a kolektivit, Që në shkollimin e hershëm, dikur, ky formim i jepte japonezit mentalitetin e ekzistencës brenda një të tëre, grupi, duke e njësuar a identifikuar veten e tij me të deri në vetflijim. Individi në vetvete ishte shumë i parëndësishëm në këtë raport. Kjo përbënte të paktën deri vonë një tipar tërësisht kombëtar të psikologjisë japoneze.

Krenaria e shtetasit amerikan, kompleksi i superioritetit kudo në botë thjesht për faktin se është amerikan, qytetar i një shteti me rol primar në botë sidomos pas luftës së dytë botërore, është kthyer gati gati në tipar të fituar, të mësuar të psikologjisë kombëtare. Dembelizmi a tradita e rehatisë në disa vise shqiptare të Shqipërisë së mesme, është gjithashtu një tipar lokal, ndoshta i trashëguar nga periudha e pushtimit turk.

Të gjitha këto janë shembuj të dallimve të psikologjive të kombeve a popujve të ndryshëm që janë trashëguar gjatë a janë fituar a zhvilluar edhe në kohra moderne.

Pa dyshim që brenda popujve ka pastaj dallime nga individi në individ, psikologji individësh, ndryshime individuale, motivime a gjendje shpirtërore të ndryshme, aftësi a bindje që ndryshojnë nga njeri individ tek tjetri, qëndrime krejt të ndryshme karshi politikës, jetës, fesë, ideologjive etj. Por ka edhe paragjykime e diskriminime tepër dalluese për të tjerët brenda psikologjive kombëtare, ka racizëm, e diskriminim që i bashkon sic bashkonte dikur jo pak njerëz në ShBA në raport me racat e tjera

Edhe brenda së njëjtës familje ka dallime e njëjësime. Brezat e rinj karshi të vjetërve, emigrantët e rinj dhe përqafimi syresh i tipareve konbëtare të vendit ku janë, të folurit, konsideratat, mentaliteti, ndryshimi i tyre në varësi të vendit ku rrojnë e rriten, flet gjithashtu për huazim a marrje të tipareve të psikologjisë kombëtare të atij vendi ku jeton dhe humbje të një pjese të atyre tipareve që karakterizojnë popullin të cilit i takojnë prindërit tuaj.

Por sot krahas dallimeve të psikologjive kombëtare ka edhe tendencë për kozmopolitizëm, afrim psikologjish kombëtare tek njera tjetra, në një lloj psikologjie ndërnacionale që i kundërvihet gjithnjë e më shumë psikologjive nacionale, ka edhe amerikanizim, ka edhe njësime...

Psikologjia është e gjërë dhe nuk pëfshin vetëm mentalitete, por edhe ndjenja, emocione, qëndrime, modë, kopjime, ndryshime të tyre, huazime nga të tjera psikologji zotëruese etj.

Për rrjedhojë kemi edhe psikologji shqiptare kombëtare që është me mjaft me vlerë të studiohet dhe të analizohet. Nuk është e lehtë... dhe për mua është një premtim i vjetër që ja kam bërë vetes ta kryej në një të ardhme nëpërmjet një libri. 

Gjithsesi sa për një ide paraprake kemi edhe ne tipare tonat të ngulitura brez pas brezi, disa të tjera të sjellla nga pushtuesit a regjimet shtypëse a diktatoriale, tipare të tjera në ndryshim të vijueshëm e të tjera fort të ngulitura. Si të tilla ka gjithashtu syresh negative e pozitive. Sa më shpejt t’i rilevojmë, studiojmë, njohim, aq më mirë do të jetë për një ringritje të mëtejshme të ndërgjegjes e personalitetit kombëtar, identitetit e anëve pozitive të tij, por edhe të mënjanimit të aspekteve negative.

A mendoni se koncepti i ndërgjegjes së lirë dhe lirisë, është kultivuar mjaftueshëm këto 20 vite në shoqërinë shqiptare ? Jemi ende të lidhur me një model të vjetër edukimi ?

Jo nuk është kultivuar mjaftueshëm. Ky është mendimi im. Është ende shpejt të flasësh për një ndërgjegje të lirë e liri mendimi, të shprehuri, veprimi..Këto nuk janë të lehta të arrihen dhe do të ishte pretendim i madh të mendoje se u arritën kaq shpejt në 23 vjet. 

Kombeve më të zhvilluara e shumë të civilizuara ju është dashur rrugë e gjatë për të arritur deri atje. A e dini për shembull se vetëm aty nga fundi i vitev 90 të shekullit të kaluar, Franca arriti t’i konsolidojë dhe së fundmi i konsideron të lira a të pavarura nga pushteti politik a qeveritar, mediat e gjyqësorin? Ju do të thoni,” po kjo nuk ka të bëjë me lirinë individuaale a atë të ndërgjegjes”. E si nuk ka, kur institucione a pushtete të fuqishme si ai mediatik e gjyqësor, solidare brenda njeri tjetrit, vuajnë kaq gjatë për të arritur këtë liri e pavarësi, c’mund të pretendohet për individin shpesh të pambrojtur ?

Por le të shkojmë më tej: tek ne individi nuk është thjesht i lidhur me një model të vjetër edukimi dhe për rrjedhojë të kësaj nuk është i lirë. Të ishte vetëm kaq, do të mjaftonte të ndryshonim shkollimet a shkollat, të fusnim lëndë të caktuara të tilla si edukimi qytetar e ai demokratik(në një masë të caktuar është bërë tek ne), dhe të propagandonim këto vlera në të gjitha format nëpërmjet medias, tubimeve, shoqatave, etj (edhe kjo në një masë, ndonëse shpesh formale, është bërë). 

Problemi është të ç'rrënjosësh disa tipare të kthyera gati gati në kombëtare, që pengojnë individin të shprehet lirisht kur sheh, dëgjon, ndjen dicka të keqe të dëmshme qoftë kjo e mishëruar në një a disa persona të fuqishëm a me ndikim, a qoftë kur është (disi më e lehtë kjo) e mishëruar në fenomene. Është fjala për një individualizëm të strukur ekstrem qe nuk sheh kurrë më larg se hunda e vet madje edhe kur digjet shtëpia e komshiut e flakët mund të vinë shpejt të djegin shtëpinë e vet. 

Është fjala për të tmerrshmen, të frikshmen, egocentriken “ç’më duhet mua”, dhe largimin nga cdo problem që në dukje nuk të takon ty por që të nesërmen e shpejtë të pllakos mbi kokë. Është fjala për një frikë të rrënjosur thellë si fillim nga pushtuesit e më vonë nga diktatura, që frenon cdo përballje me një kundërshtar të fuqishëm, a në rastin më të vështirë kur ky kundërshtar është shtet, shtetar, mentalitet, padrejtësi, bandit-komshi, i fortë. Por kjo nuk është vetëm frikë, kjo është edhe strukje në mizantropi, strofkë e vogël e skortit të urtë të Shcedrimit që jetoi e jetoi 100 vjet pa nxjerrë as hundën nga vrima nga frika e peshkut të madh. 

Kjo është pse jo, në mjaft raste edhe gëzim i lig për fatkeqësinë e tjetrit dhe për faktin :”që nuk më ndodhi mua dhe shyqyr o zot që jam mirë e gjallë me fëmijët e gruan time”. Dhe më pas kur gjëma vjen e troket në derë, ndjen sa vetëm, sa tmerrësisht vetëm je. Madje edhe intelektualë nga më të njohurit e këtij vendi, shkrimtarë, profesorë, mjekë të njohur, rrallë guxojnë a pothuaj nuk guxojnë të dalin a nuk ka kurajon civile a më mirë prirjen qytetare të mbrojnë individë të persekutuar a të lincuar në kohrat tona moderne. Dhe tremben se mos u vjen vetë radha të persekutohen, a pranojnë edhe vetë në heshtje të persekotohen nga forca kriminale, në një masë më të vogël ndofta, nga forca të egra që persekutojnë edhe mjaft të tjerë. 

Ata nuk guxojnë duke pranuar a duke njohur kështu fuqinë e atyre pushteteve dhunuese që mund të jenë politikë, gjyqësorë, mediatikë, e duke ju nënshtruar kështu atyre. Në Francë pasi u kujdesën që pushtetet gjyqësorë e mediatikë, të jenë të lirë e të pavarur u kujdesën edhe që ata të mos bëheshin hegjemonë duke bërë edhe shtesa në legjislacion që ruanin barazinë e pushteteve dhe kontrollueshmërinë e tyre. (hegjemonizmi tek ne është fenomen i frikshëm, e mjaft i përhapur. Në një masë të madhe, cilido me pak pushtet tenton të jetë i tillë aë a bëhet i tillë. 

Stereotipi i pushteti tek ne është i formësuar i tillë dhe kjo sjell pasoja të rënda. Po kjo është një temë më vete që mund ta trajtojmë në intervista të tjera). Natyrisht ajo cka thamë për ne, nuk do të thotë se në Europë a Amerikë mbizotëron dashuria e solidariteti shpirtëror, altruizmi e ndjenja e empatisë për tjetrin. (Ndonëse edhe raste të tilla atje ka). Por më shumë se kjo, atje vepron zgjuarësia, qartpamësia, perspektiva, parashikueshmëria, fakti që ajo cka i ndodh dikuj, nesër mund të më ndodhë mua, prandaj le të jemi bashkë në këtë të keqe, dhe nesër do të jesh ti që do të më ndihmosh mua. Ose le të ngrihemi bashkë kundër kësaj të keqeje qoftë edhe në pushtet e se kështu jemi më të fortë se vetëm.Ndryshe oppresioni do të rritet e do të bëhet i padurueshëm. E gjitha kjo është shprehje e divulguar e asaj që quhet ndërgjegja sociale e demokratike, edukatë qytetare, që atje është formësuar, vazhdon të ngrihet e prej kohësh ekziston.

Kriza sociale në shoqëri është rrjedhojë e një dëshirë të fortë për integrim në Europë dhe një ndrydhjeje të vullnetit për vendosjen e një sistemi real demokratik shoqëror ?

Kriza presupozon të cojë në mungesë stabiliteti, situata të rënda, rreziqe, për masa a grupe njerëzish, grupe sociale por edhe popuj e shoqëri të tëra. Pra ajo sjell ndryshime negative në siguri, vështirësi në gjëndjen ekonomike, probleme të mëdha shoqërore e furtuna politike. 

Krizat janë të papritura, kërcënuese dhe cënojnë rendin e zakonshëm të gjërave (në këtë aspekt jo rrallë ato prodhojnë edhe shkundje e mund të sjellin përmbysje pozitive radikale shoqërore, pra të jenë edhe për mirë ?

Sepse mund të bjerë një sistem i vjetër vlerash, shoqëror, politik, Sepse mund të reflektojnë nevojën për ndryshim. Por kriza mund të godasë edhe vlerat bazë a të sjellë luftë. Ka krizë varfërie, depresioni, papunësie. Ka krizë ekologjike, energjie, pesonaliteti, lufte, mjedisi Ka krizë sociale që është ajo që kap jetën sociale të individit e bashkë me të të masave të tëra.

Po kështu përfshirë në këtë krizë sociale ka edhe krizë vlerash (edhe identiteti) si tek ne. Për këtë e keni edhe ju fjalën. Kjo është baza e krizës tek ne. Ne ende nuk kemi identitet të ngjizur qytetar demokratik, ndërgjegje kolektive demokratike e brenda saj individuale të tillë të kristalizuar, të zhvilluar a të kultivuar. Për rrjedhojë në sensin ideologjik, politik, edukativ demokratik, ne hamë c’të na japin, në një masë të madhe si dikur. 

Pa asimilim, pa e kuptuar, pa sens kritik, pa mendim të pavarur, gjykues.
Pa dyshim ushqimi i së shkuarës ishte ushqim mjerimi, dietik i detyrueshëm, jo vetëm në sensin fizik të fjalës, por edhe në atë ideologjik, psikologjik. Ne hanim barishte të prishura a të thata pa asnjë vlerë ushqyese, në mungesë të biftekut intelektual. Ne hanim dogmë në vend të ushqimit që do jepte si produkt energji të lirisë, kreativitetit, hapësirës së të menduarit. 

Për rrjedhojë ne u rritëm aq të zbehtë e nevrastënikë mendërisht, psikologjikisht e do duhet sa e sa kohë ta marrim atë shëndet që e dallon njeriun modern civil, të edukuar qytetarisht e demokratikisht. Edhe në origjinë të afërt, ne jemi në një pjesë të madhe ende fshatërë të porsa ardhur në qytet që në vend që të asimilojmë atë pak kulturë qytetare edukuar qoftë edhe nga trotuari a dritat e neonit, reklama a bulevardi, vazhdojmë të imponojmë konsekutivisht nga dekada në dekadë, normat e rrugës së vogël të errët fshatare mbi qytetin e madh.

Një pjesë e mirë e qytetarëve u a ka mbathur në emigrim a është strukur në shtëpitë a parafabrikatet e veta të vjetra. Edhe ata mjeranë që duan të kthehen nga emigrimi se u lodhën atje, nuk kanë syhapësinë të kuptojnë se edhe të jenë sërish të parët në fshatin e madh(gjë që ka pak të ngjarë se nuk i le kush në garën e madhe pa rregulla) mund të rezultojë fatale për ta e familjen e tyre sado e mërzitshme jeta e qytetarit të dorës së fundit, (pa kafe e muhabet) në perëndim.

Për rrjedhojë ne nuk kemi ende jo më fuqinë për vendosjen e sistemit demokratik real shoqëror, jo më strukturën e domosdoshme zotëruese qytetare, por as edhe tek pakica minimale intelektuale mendësinë e njohuritë e nevojshme qytetare individuale për të vepruar e për t’i realizuar këto. 

Madje këto elemente mungojnë edhe te një pjesë dërrmuese të klasës politike e për rrjedhojë edhe atë që është pa dyshim shumë e shumë më e mirë se ushqimi bajat e i thatë i së kaluarës, ne e gëlltitim pa e përtypur, pa e kuptuar c’po hamë, pas berihajt, se kështu është më mirë, se do hamë me lugë floriri etj. E kam fjalën për integrimin Europian.

A është kjo kjo e dëmshme? Jo dhe aq sidomos krahasuar me atë ushqim e produkt që kishim soje aso kohe. E rëndësishme është pa dyshim të integrohemi, por pas gjysëm integrimit(i ploti është ende larg) do të ketë plot gromësima, gogësima të përgjumurish mentalitetesh turkoshake, konstipation, jashtëqitje jo të paqme e deri sëmundje që do marrin pse jo jetë njerëzish (krizat e bizneseve të vegjël, paaftësia për t’i mbijetuar një sistemi rregullash të forta, spekulime të dështuara etj.,)

Pse njerëzit udhëhiqen nga modelet ?

Teoria e modeleve, (shih librin tim Psikologjia sociale), jo gjithmonë apo më mirë jo vetëm ajo, i udhëheq njerëzit në formimin e tyre, në sjelljet e tyre, në rrugën drejt suksesit a në imitimin e më të suksesëshmëve. Por ajo ka pa dyshim një ndikim shumë të madh në jetët njerëzore. Ka një teori të tërë për këtë në psikologjinë sociale që rreket të shpjegojë vetëm me teorinë e modeleve gjithë reagimet sociale, madje zhvillimin e mbarë shoqërisë. 

Kam qenë gjithnjë i mendimit, që e kam shfaqur edhe në auditore, se cdo teori është një gur a grup gurësh të skalitur me peshë, me vlerë, në mozaikun e tërësisë së teorive sociale që përqasen a konkurojnë me njera tjetrën. Gjithsecila jep vlera por kurrsesi universale, as asgjësuese për të tjerat. 

Kjo teori që ju ma pozoni për shqyrtim, ka pa dyshim vlerë preponderante sidomos në kohra të sotme në një mjedis social si ky i yni (pse jo, por në një masë më të vogël edhe në vende të tjera) ku media, politika, arrivizmi kanë një influencë të jashtëzakonshme e ku jeta publike e njerëzve të suksesit influencon rëndshëm jetën e gjithsecilit. Ku gjithashtu jeta sociale e komunikimi social janë bërë gjithnjë e më shumë të shumanshme e polivalente, madje janë inkuadruar edhe në komunikimin global.

Tek ne ky rol i modeleve përforcohet edhe se pse nuk ka ikona, modele stabël tradicionalë, fetarë, idhujtarë e edhe sepse në një masë të madhe janë rrëzuar (tronditur!?) rëndom a pothuaj nuk kanë zënë vend shumë modele a pseudo modele që nuk kanë rezultuar të suksesshëm edhe si pjesë e modeleve shpesh të dështuara shoqërore e politike në Shqipëri. 

Zbrazësia e vlerave morale, vendet e lëna bosh nga shembja e ideologjive totalitare a të vjetëruara, mungesa e hierarkisë së vlerave(e si mund të krijohen kaq shpejt), ka sjellë etjen për modele dhe për sa kohë këto kanë qenë surogato, edhe imitimet kanë qenë të tilla e kanë yshtur e joshur gjithnjë e më shumë pasues a imitues të patalent e antivlera si synime të tyre a vice versa.Jemi në një fazë kur kryesisht udhëhiqemi nga modelet e këqia në politikë, media, gjyqësor, biznes, sjellja etj. Dhe kjo është një nga problemet më të mëdha të një shoqërie në zhvillim e ende të pademokratizuar në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

Identiteti me të tjerët, është dhe rrjedhojë e një klase politike, që kultivon pushtet të centralizuar; në politikë, institucione, shkolla etj ? A jemi ende nën "diktaturë" ?

Është fjala për njëjësim me të tjerët, në mjaft raste me individin e suksesshëm në poltikë, në art (pseudoart), biznes, a më gjerë, me cilindo që dëshiron t’i ngjash a ta imitosh duke u nisur nga dëshira për famë e para, lavdi, sukses e sidomos nëpërmjet rrugës së lehtë, të shtrembër, a kallpe, shabllone a të imituar, ahierarkike dhe të jashtëvlerëshme për rrjedhojë edhe lehtësisht të jashtëqitshme, në kohra të ardhme sado të largëta kur edhe këtu të zerë fill hierarkia e vlerave.

Klasa politike ka këtu pjesën e saj, por ajo është njeri, vetëm njeri nga faktorët, shkaqet a më saktë modelet për tu ndjekur, e që ndiqet. Sidomos nga të rinj qesharakë pa asnjë nivel kulturor që sa cel e mbyll sytë kthehen në politikanë a shtetarë (ajme, sa rëndom ka ndodhur kjo tek ne këta 23 vjet), që menjëherë zenë e u japin mend masave, në takime të vogla a tribuna, ekrane televizionesh, salla të mëdha. 

Aty njëherazi lindin edhe mijra dëshira të tjera të rinjsh ende gjimnazistë a studentë universitetesh private ku nuk mësohet por diplomohet, që të jenë edhe ata shpejt të tillë. Kështu bëhen regjistrime në parti, ata dalin e flasin sipas modelit të shokut a liderit të madh dhe orteku vazhdon e rritet e rritet. Këtu nuk është fjala për pushtet të centralizuar, por për rekrutim rekrutësh të rinj nën pushtete të centralizuar, dhe më vonë përgatitje të këtyre të fundit (kur koha ta lejojë) për kërcime drejt pushtetesh të tjera po kaq a ndofta më pak centrale, por gjithnjë centrale. Së paku me tendencë centrale. Në një farë mase kjo vazhdon të jetë historia e gjithë pushteteve në botë. 

Të mos ju a hamë hakun liderve sado demokratë në staturë e ligjërisht, edhe në Francë (Miteran), Merkel (tetoja e mirë gjermane, nuk është më pak centrale a centrifugale), ShBA ku presidenti emëron jo më pak se 4000 njerëz drejtpërsëdrejti etj. Por ne kemi edhe modelet e aritstëve a artisteve pa zë por me gjoks të madh që cajnë skenat e nxisin dëshirat për sukses edhe në fushën e artit(pa dyshim konbëtar, vetëm kombëtar. Edhe këta ndiqen në masë Ne kemi edhe modelet e libërshkruesve që botojnë vepra, vepra pa fund, të cdo gjinie e lloji, të cdo fushe a kopertine e këta gjithashtu përbëjnë modele të ndjekura në shoqërinë që synon vec të jetë shoqëria VIP. (Këto i kam trajtuar në një libër të tërë të quajtur VIP)

Por këtu tek ne, edhe për shkak të reminishencave të së shkuarës totalitare, tingëllima e centralizmit është më e cjerrë e më disgustuese, më e frikshme e më e ndjeshme. Por kurrsesi nuk është diktaturë. Këtu duhet të jemi të drejtë e realistë. Ju nuk e dini cfarë është ajo, diktatura. Ju e kini dëgjuar në emisione e parë në filma, por ju nuk e dini ta kesh në bark, atë e frikën soje, ta kesh si sëmundjen nën lëkurë, ta ndjesh biografinë brenda vetes si tuberkulozin a kancerin e të mallkosh ditën që ke lindur, të të shqyejnë mishin e të të kalbin në burg, kot, krejt kot, për hiçmosgje. 

Ju nuk e dini të duash a të digjesh nga dëshira të shkosh një herë diku jashtë vendit e të mos dalësh dot qoftë edhe njëherë jashtë të shohësh botën e të mos guxosh të thuash një fjala. Fjala vjen as të thuush, që italianët a grekët bëjnë këpucë të mira, se ha 7 vjet burg për agjitacion e propagandë(nuk ju besohet ? Po mund tu jap edhe emrat e të dënuarve për këtë). Jo kjo nuk ështtë diktaturë edhe se pse ti, unë e shumë të tjerë ikët kur deshët (një herë e në atë kohë nuk lëvizje dot se të vrisnin, madje edhe në 1990, në kufi) e ti e shkruan si do prej andej e unë prej këndej e nuk e kemi më problem të flasim për shumë gjëra, e të lëvizim të lirë kur duam, e në qofshim të zotë edhe të vemë dy lek mënjanë e të rrojmë më mirë, etj., etj. Le të jemi më të saktë e jo kaq kategorikë. 

Ne mund të themi, atë që në esencë e thamë në gjithë intervistën, që kjo demokraci nuk ëshë ende e plotë, e vërtetë, nuk është e arrirë, e sidomos në tru të njerëzve(të gjithë njerëzisë do të thoshte Migjeni), ka mjaft probleme e tenton të dalë aty ku janë më të mirat e llojit të demokracisë e është ende larg tyre. Por diktaturë...më fal ...kjo është e tepruar. Është krejt tjetër gjë. Le të themi demokraci me reminishenca të së kaluarës. Që të jemi më të ndershëm e më të saktë.