"Kurban- kultura (Kujtime nga koha e Edit Ministër)" Nga Ylli Pango

02/10/2012 00:00

 

Publikuar nё Gazetёn Sqiptare mё 14/11/2011

Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango nëpërmjet "Gazeta Shqiptare" replikon në distancë me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili në librin "Kurban" e ka akuzuar atë si shkatërrues të ndërtesave historike të Tiranës. "Ylli Blu i kulturës, ministri që mbulonte pikërisht funksionin e kujdestarit qeveritar për monumentet e trashëgimisë kulturore, i bashkëngjiti anash me kartonxhes një kapanon për zyra, si shqelm i fundit ndaj hijes imponuese të asaj ngrehine në mes të Tiranës", shprehet Rama. Por Pango e cilëson këtë pretendim të kreut të PS-së si shpifje duke sjellë si argument faktin se "nuk ka e nuk ka pasur në dy vjet të drejtimit tim as edhe një shkatërrim, dëmtim apo leje për shkatërrim të ndonjë monumenti kulture për të ndërtuar pallate mbi rrënoja të tyre siç kanë bërë këta sharlatanë të "botës së re mbi gërmadha", shprehet mes të tjerash Pango.

Nga Ylli Pango

Gazetari më pyeti a e kam marrë librin "Kurban". Jo! Librin "Kurban" nuk e kam parë ende. As për fytyrë. Lexova vetëm ato çka shkruheshin në këtë gazetë për qendrën e Tiranës, dhimbjen e Edit për të, e diku edhe do rrjeshta për mua e u ringjallën e më tu derdhën valë valë kujtimet e asaj kohe kur Edi me vath në vesh e me qillota si të Komandantit u vu ministër për Kulturë. Dhe u ula ta ngjatjetoj si qëmoti kur ashtu me pantallona të shkurtra më vinte në ministri të Arsimit për të më kërkuar ndonjë nder.

Desh Zoti e Monumentet e Kulturës nuk janë pare të vogla a objekte të llojit qostek që Edi i ylbertë i PS t'i fusë në xhep e "të mos ketë bir k... t'ja gjejë" (citoj Edvin Rama: "Fjalime të një kryetari Bashkie", 2000-2010). Kështu monumentet për të cilat do të flasim më poshtë janë të dukshme e cilido qartazi mund ta shohë edhe sot e gjithë ditën (shprehje e preferuar kjo e Edit), se kush shkatërroi e kush resaturoi monumente kulture. E tillë e madhe, fort e dukshme është edhe ajo ish-binaja, ish-godina e Lidhjes së Shkrimtarëve, kur na i dhanë ta transformojmë në Ministri Kulture. Nuk e ndërtoi Zogu siç e kanë keqinformuar Edin, por inxhiner Dhimitër Dhespoti, i jati i shokut tim të ndjerë të klasës, i ndrittë shpirti aty ku gjëndet. Kisha pra edhe një obligim më shumë.

Ishte katandisur ajo godinë në 2007 kur e filluam restaurimin e transformimin, në një karakatinë në shembje, që merrej me qira ditën për drekë e natën për darkë për ceremoni mortore. Edhe Edi e ca artistë të tjerë të kohës së mykut e patën marrë një herë, për një ceremoni post mortum të një miku të kohëve të artit të soc-realizmit. Në disa kthina të tjera që patën zënë myk, luhej poker e në ndonjë tjetër pihej gjithë ditën e lume. Muret ishin çarë e plasaritur, themelet po vithiseshin e godina po shembej. Mezi pritej dita e shkelmit përfundimtar për t'ja dhënë ndokuj lejen bashkiake që të ngrinte edhe aty ndonjë pallat me shigjeta.

VALENTINA LESKAJ

Patëm kujdesin ta fotografojmë godinën siç qe kur e morëm, dhe këto foto i vumë (dikush i hoqi kur ika unë) në hyrje për ta krahasuar me Ministrinë e re kur e ringritëm dhe e bëmë ashtu siç e njohin të gjithë sot. Të restauruar, të bukur e funksionale duke i rëdhënë sërish qytetit e qytetarëve të Tiranës një monument kulture që si shumë të tjerë po të mos e shpëtonim, ishte nisur të shkonte për dreq. Ajo puna e kartonxhesit që i preu fytin dhe e ndau në dy kate sallën e bukur të koncerteve, më kujton Vali Leskajn, një specie në zhdukje kjo në PS, e cila pat ardhur me disa deputetë të tjerë t'i hidhte një sy godinës së restauruar se i patën thënë që ishte bërë mjaft e bukur. E vetmja gjë që gjeti të thoshte zonja me atë informacion a le të themi "kulturë" që mund të ketë një grua që e nis karierën e saj te "Shqiptarja e re" dhe e mbyll si shqiptare e vjetër, ishte pikërisht kjo puna e kartonxhesit. Pa tjetër ajo ja ka thënë Edit se nuk kishte ç'të shpikte tjetër e se ky i fundit nuk kishte e as ende ka hyrë një herë të shohë ç'bëhet brenda në Ministri, që nga koha e merhumit. Veç të tjerash ai nuk e di se ai kartonxhes u vu se ajo godinë veç që shpëtoi u bë edhe më zyra për 100 e kusur veta. Pa atë ndarjen e sallës së madhe, lehtësisht e heqshme, njerëzit në Ministri nuk do të kishte ku të punonin por do t'u mbetej veç të vallzonin e këndonin "në atë sallën e madhe kubelartë". Mu aty ku siç mund t'u kujtohet a siç mund ta shihni tek ndonjë histori pa zhurmues nga e kaluara, pas viteve '90, mblidheshin nën palltot e vjetra duke u dredhur së ftohti shkrimtarët e së shkuarës për ndonjë ceremoni promovimi të njeri tjetrit.

SALLA

Për kënaqësinë e Edit e të Valit, ajo "prerje fyti është aq provizore", dhe aq e lehtë, transparente e elegante, ashtu siç janë të gjithë zyrat për specialistë të tipit amerikan që janë zyra për punë e nuk lejojnë si zyrat e qëmotit, të vihen furnella e zhezve kafeje në mes e të kërcasë muhabeti për shtatë palë qejfe. Pra është aq provizore sa për një gjysëm ore mund të hiqet e salla të jetë sërish kubelartë siç e do Edi për të kumbuar larg qoftë sërish nga zëri i etërve-psaltë të artit të realizmit socialist. Ndërkohë veç zyrave poshtë, sallën lart e ruajtëm dhe e zbukuruam e nuk ka besoj njeri që të ketë hyrë atje që të mos e ketë vlerësuar si të bukur e të hijshme. I vumë emrin e artistes sonë të madhe Tefta Tashko Koço. Aty i kemi dhënë çmim Kadaresë, Robert Eksier, e të tjerëve, aty erdhën profesorët e arkitekturës së Universiteti të Oksfordit që e pëlqyen mjaft, aty kemi ftuar mjaft miq të huaj, artistë, ambasadorë, kemi dëgjuar koncerte e kemi parë në ekran sinkron transmetimin e parë të imazhit të Shqipërisë turistike në CNN, aty kemi organizuar ceremoni promovimi e shfaqje fine nga ato që ishin harruar prej kohësh e që nuk i ringjalli dot Edi në kohën që ishte kujdestar për kulturë. U përpoq edhe ai disi me Kinemanë Republika të ringjallur që më pas i vuri kazmën për ta shkatërruar jo vetëm si Kinema por edhe si Monument Kulture i Tiranës e për të mbjellë beton. Krimi i parë antikulturë ky i Edit Ylber.

MINISTRIA

Po siç e thashë Edi nuk ka hyrë as edhe një herë të vetme ta shohë që atje kemi edhe salla të tjera të mrekullueshme, kubelarta kësaj radhe, si ajo e katit të parë "Ibrahim Kodra", vetëm për artistët e artit të tij të preferuar figurativ. Art ku mjerisht Edi nuk dha gjë për kënaqësinë estetike të shqiptarëve megjithë shpenzimet e mëdha morale e materiale të të atit e Fondacionit Soros për të. Aty kanë ekspozuar piktorë e skulptorë, të vjetër e të rinj, janë organizuar ekspozita të arteve figurative të gjitha llojeve. Nuk dua të flas për mjedise të tjera, për zyrat moderne e plot shije e arkitekturën që veç ruajtjes së vlerave i dha godinës edhe freskinë edhe funksionalitetin. Të gjitha këto po i them gjithnjë duke menduar se dikur Edi do të hyjë t'i shohë vetë më në fund dhe nuk do të mbetet tek Vali e pleksigllasti i kuq të cilin po, e ka parë e e ka shijuar e mendoj se në një ditë të mbrame mund ta zëvendësojë me pleksigllas blu duke realizuar kështu një ëndërr të vjetër të tij. Gjithsesi edhe Edi bëri Ministri kuture: Në godinën e ish Komitetit Qendror leu muret në vishnje të errët. Ngjyrat gjithsesi mbeten një preferencë e parealizuar e piktorit ende të ri. Dhe të mendosh që piktorë e skulptorë të mëdhenj kanë përdorur çdo material që u binte në dorë e kanë dhënë kryevepra. Mirpo fjala vjen, që Edi ka dashur shumë, do të ishte i nderuar ta përdorte dhe pleksigllasin. Më respekt për pleksigllasin Edvin, më respekt.

SHKATËRRIMI

Dhe meqë është fjala për shkatërimin apo restaurimin e monumenteve të kulturës, (të ishin a të mos ishin ato, kjo ishte çështja e Edit kur ishte Ministër), do të bëj këtu një ballafaqim të asaj çka bëmë ne për dy vjet me stafin që drejtova e asaj që çbëri apo ksibëri Edi si Ministër a kujdestar për Kulturë dhe le të flasë pastaj ndonjë nga sejmenët pa fat të tij, që Edi herë e mban pranë e herë në nerva e sipër i vërvit edhe tavllën e duhanit në kokë. Ndonjë nga ata si Artan Lame fjala vjen, gjelogu i notës 5 që u gëzua veç të tjerash me ikjen time se "na shpëtuan monumentet e kulturës". Nuk ka e nuk ka pasur në dy vjet të drejtimit tim as edhe një shkatërrim, dëmtim apo leje për shkatërrim të ndonjë monumenti kulture për të ndërtuar pallate mbi rrënoja të tyre siç kanë bërë këta sharlatanë të "botës së re mbi gërmadha". Ka patur përkundrazi si rrallë ndonjëherë në këtë vend, në kohën tonë, fonde të shumfishuara për restaurim, nga buxheti i shtetit, Komuniteti Europian, fondacione e mecenatë arti të huaj. Mbi 20 milion Euro. Pati si asnjëherë tjetër edhe një legjislacion që së fundmi i siguroi monumentet e kulturës më mirë se kurdo ndaj rreziqeve shkatërrimtare të lejeve të ndërtimit. Pati një krijesë të re, një Agjensinë të Shërbimit a më mirë të Shpëtimit Arkeologjik. Në atë kohë që ngritëm AShA, Agjensinë që do të merrte në mbrojtje çdo monument Kulture në rrezik sulmi barbar, sa e sa të tillë kishin ndodhur. Sidomos në kohën e Edit që i qante zemra për monumentet. Në njërin prej tyre, ndër më barbarët është shkatërruar muri rrethues i Durrësit dhe është ngritur ajo kulla me kafe në majë që sheh detin sot, por që i privon durrsakët për jetë të shohin lashtësinë e mureve rrethues të qytetit të tyre. Edhe këtë e bëri Ed Ylberi, e shqytarët e tij.

GJIROKASTRA

Në atë kohë(2007-2009), qeveria dha 2 milion USD fond për UNESCO-n për restaurimin e mjaft shtëpive e monumenteve vetëm për Gjirokastrën e këto u vunë në punë duke u restauruar Qafa e Pazarit, shtëpi karakteristike, kalaja etj. Me të tjera fonde u restaurua hani i Zagories, kompleks arkitektonik i rrënuar prej kohësh, shtëpia e Kadaresë, u ngrit Zyra e parë e Administrimit të qytetit të Gjirokastrës si qytet pjesë e trashëgimisë kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Ndërkohë që kur erdhi PD në pushtet ishin në rrezik shëmbje rreth 300 objekte të trashëgimisë kulturore (referojuni statistikave të 2004), mjaft nga të cilat në këtë qytet. Edhe vetë kryetari socialist i bashkisë së qytetit, ende kryetar sot, pat thënë pas punës sonë "se sa është bërë tani, nuk është bërë kurrë për Gjirokastrën më parë". Gjithsesi kur ndonjë gur rrukullisej nga ndonjë mur teqeje të vjetër, sejmenët e Edit dilnin para kamerave, vinin duart në kokë, sokëllinin e ulërinin: "bobo bobo po na shëmben monumentet". Tani mendoni, në një vend ku janë me mijra monumentet e objektet e trashëgimisë së kulturës sipas këtyre, nuk duhet të lëvizë asgjë, as era të fryjë e as shiu të bjerë. Duhet edhe të mos shihej edhe ajo që po bëhej por të gjurmohej a të pritej të rrënohej ndonjë mur a të binte ndonjë guralec diku, duke pretenduar që njëherazi të gjitha monumentet të lulëzonin me shkopin magjik e të gjendeshin miliarda në një kohë që në periudhën e Edit shëmbjet ndiqnin njëra-tjetrën të ndihmuara më pas edhe nga lejet e ndërtimit shkatërruese të zotërisë së tij. Nuk ka njeri të kësaj fushe që nuk e di se puna restauruese matet me çka është bërë e jo me ç'nuk është bërë e se as dhe vende kampionë të trashëgimisë kulturore si Greqia e Italia nuk arrijnë të restaurojnë njëherazi gjithshka e se fondet derdhen lumë e duhen vite e vijimësi për të restauruar qytetërime të tëra mijravjeçare.

BERATI

Në atë kohë ne bëmë që Berati të ndiqte fatin e bardhë të Gjirokastrës e të bëhej edhe ai pjesë e Trashëgimisë Botërore në mbrojtje të UNESCO-s. Kjo ndodhi në 2008 dhe sigurisht nuk u bë vetë. Edi e Tan Lamja nuk na dhanë as edhe një urim. Madje as nuk shkruan ndonjë rrjesht. Për Beratin, jo për ne.

 

 

SHKODRA

Në atë kohë, gjithnjë 2007-2009, ne ndërtuam rrugën e bukur "Kolë Idromeno" apo rruga e Dugajave të reja në Shkodër, një rikthim i imazhit të vjetër trashëgimor kulturor të këtij qyteti të rrënuar kulturalisht si asnjë tjetër në kohën e etërve spiritual të Ramës. Ishte një rrugë që në fushatën e zgjedhjeve të 2009 u përdor në emision televizive nga kryetarja e Kuvendit si një nga simbolet a ikonat e punëve të mira të kryera nga PD. Dhe historia e këtij restaurimi është e këndshme po ta shohësh nga këndvështrimi i fondeve. Isha në Kosovë në 2008 për promovimin e turizmit shqiptar në një panair në Prishtinë, kur më telefonon kryeministri e më thotë (ishte në takim me qytetarët në Shkodër në atë moment): "Zoti ministër, dua të më ndërtosh rrugën e vjetër të Shkodrës, rrugën e Dugajave të reja". Kishte kaluar mesi i vitit e fondet ishin dhënë e pothuaj shpenzuar prej kohe. "Nuk kam fonde", - i them. "Gjeji", - m'u përgjigj ai. U ktheva në Ministri e mblodha specialistët. Hoqëm pjesërisht nga një copëz të vogël disa objekteve që prisnin dhe shpallëm tenderin. Në krye të 4-5 muajve rruga u bë. Në janar 2009 i them kryetarit të Bashkisë së Shkodrës ta inagurojmë. "Prit", - më thotë, "Kam porositur stola e drita". U habita. Deri atëhere nuk kisha patur ndonjë propozim për ndihmë a fond nga ajo Bashki. Gjithsesi nuk e zgjata. Dy muaj më vonë rrugën e inaguruan. Pa mua.

Në atë kohë ne siguruam duke aplikuar në formë projekti, 9 milion Euro fonde nga Komuniteti Europian të cilat u përdorën e po përdoren edhe sot për restaurime e ndërtime të objekteve të trashëgimisë kulturore si Kalaja e Himarës, Kalaja e Krujës, e rruga e bukur inaguruar tash së fundmi pranë kalasë së Tiranës (shtëpia e Toptanëve). Kjo rrugë ishte parashikuar të bëhej me xham të trashë pjesërisht, që të shiheshin poshtë rrënojat e mureve. Po, edhe asaj rruge ne ja siguruam fondet e ne e tenderuam në bashkëpunim me zyrën e Komunitetit Europian, ndërkohë që Edi e Edi megafon (Shalësi), e reklamonin si punë të Bashkisë. Ndërkohë që kur u zbuluan muret rrethuese të Tiranës, Edi bëhej gati të ndërtonte atje një rrugë të zakonshem e t'i mbulonte muret e vjetra me asfalt. Në ekrane televizive Tan Lamja ulërinte e qahej se po rrezikohej kultura. Britma e ngashërime. (Me kë e kishte vallë? Me padronin me gjasë se aso kohe nuk e qaste). Bënte atë që ka bërë gjithnjë, fjalë e vetëm fjalë. Ne punonim. E kam bërë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, brenda pasdites për ta shpallur zonë të mbrojtur e monument Kulture zonën e gërmuar e për ta shpëtuar nga betonizimi i ish kujdestarit për kulturë Edi. Nuk e di a mori ndonjëherë fond nga Institucionet Ndërkombëtare Edi, në mungesë të fondeve nga buxheti i ekzekutivit socialist. Fondet që morëm e përdorëm ne për Monumentet e Kulturës ishin njëzet fishi i atyre që ka përdoru Edi. Jemi në epokë dixhitale e mund t'i shihni online.

Po kështu në atë kohë shkruam e aplikuam edhe mjaft projekte të tjerë. Njëri syresh adresuar qeverisë spanjolle. Na u akorduan 3 milion Euro të tjera nga Fondi i Qeverisë Spanjolle. Me to u sigurua fondi për Restaurimin e Muzeut Kombëtar. Nuk e di ç'u bënë paratë kur ika unë. Muzeu pret. Gjithsesi këto janë fondet që vec buxhetit të shtetit e bënë Ministrrinë të ketë 20 fishin e fondit të Edit për kulturë. Edi nuk dinte të nxirrte fonde atje, andaj edhe kur i thanë të kandidonte për herë të parë për Bashkinë, kërceu nga gazi; "Do të kesh 100 fishin e këtij fondi të mjerë që kemi këtu në kulturë" i pat thënë aso kohe kryeshqytari mërguar më vonë për korruptë.

GREQIA

Në atë kohë pas traktativash të suksesshme me qeverinë greke, ne kthyem nga Greqia disa objekte të trashëgimisë kulturore të vjedhura e të shpëna atje gjatë rrëmujave të viteve 90, i morëm e i shpumë në Butrint me ceremoni, në vendin e tyre. Shtypi grek komentoi gjerësisht. Mos kujtoni se kjo është gjë e vogël. Një, vetëm një objekt të tillë kthyen në Itali e shkruan gazetat të gjitha. Në Greqi përpiqen e përpiqen t'i rimarrin objektet e vjedhura por nuk munden. Edi jo vetem që nuk na risolli gjë por në kohra të tij na fluturuan edhe mjaft objekte të tjera nga Shqipëria. Në atë kohë, përsëri 2007-2009, për herë të parë e reklamuam Shqipërinë në CNN jo vetëm me bukuritë e saj natyrore por edhe me trashëgiminë e pasur kulturore. Një vit më pas e bëmë këtë edhe në Euroneës (janë dy vite e jo një siç thuhet shpesh, dy promovime). Dhe me ç'vlerë: minimale. Ato që dhamë ne për këto reklama janë sa 20% e atyre që paguan Mali i Zi e 1% e atyre që paguan Kroacia çdo vit. Po përsëri sejmenët e Edit, mes tyre një oficer trupmadh pa shkollë i këmbësorisë që rreket të bëhet intelektual duke vënë një palë syze të vogla në majë të ballit e duke treguar me shkop në hartë, doli e tha: "Me këto para më mirë të kishim pastruar". Vëreni ç'koncept kanë Ramistët për promovimin e trashëgimisë kulturore.

NËNË TEREZA

Në atë kohë ne promovuam si asnjëherë tjetër edhe turizmin malor e vlerat e tij të trashëgimisë kulturore dhe i lidhëm ato me ndërtesat karakteristike të Veriut. U vu në jetë projekti i turizmit të 40 haneve. U kalua në parlament edhe ligji i modelit zviceran që u jepte deri 5 milion lekë pronarëve të këtyre shtëpive të tipit monument kulture për ruajtjen, rikonstruksionin e mirëmbajtjen e tyre. Edi nga ky krah nuk dëgjon fare. Madje ashtu si edhe për Nënë Terezën e madhe ka gjasë t'i konsiderojë si lypësa këta njerëz që ruajnë e mbrojnë traditën tonë kulturore në male. Meqë ra fjala, na duhej të çvendosnim bustin e vogël të Nënë Terezës nga cepi i largët gati i padukshëm i sheshit të Universitetit ku e kishin strukur bashkiakët e Edit Ylber, për në qendër, aty ku mund të dukej nga cilado pikë e Bulevardit të madh. I kërkuam leje Edit si kryetar bashkie. "Le të rrijë aty ku është... shumë e ka ajo lypësja", - ju përgjigj Edi kërkesës së Ministrisë sonë drejtuar bashkisë nëpërmjet një emisareje mike të të dy palëve. I citova këto fjalë në parlament aso kohe, por nuk mi besuan. Pyeteni emisaren.

 

PROJEKTI BELG

Në ato kohë erdhi në Ministri për aprovim edhe projekti belg i qendrës së Tiranës. Edhe këtu ka ç'të tregojmë. Sheshi nuk ishte konceptuar keq por i rrinin sheshit përqark nja 4 godina "kubelarta" simbol i korruptës, që i zinin frymën jo vetëm atij por edhe Tiranës e Dajtit e pamjes së tij të mrekullueshme në sfond. U ngritën profesorët e nderuar Emin Riza e Valter Shtylla e e hodhën poshtë. Projekti nuk kaloi me ato ndërtesa. Edi për hakmarrje na pengoi të ngremë zyrën e informacionit turistik të Tiranës.

 

BIBLIOTEKA

Por le të kthehemi tek Tirana. Një tjetër objekt monument kulture në rrezik shkatërrimi ja kthyem tiranasve, nostalgjikëve të librit, e dashuruesve të kultruës ndërkombë-tare: bibliotekën e Rrugës së Elbasanit. E kthyem në Biblioteka të librit të huaj, gjerman, Italian, Francez, Anglez, Amerikan. Edi nuk na la gjë as këtu në këtë lëmë të be-kuar. Në atë kohë (2007-2009) ngritëm me italianët godinën e re të Institutit të Monumenteve të Kulturës së bashku me shkollën e parë shqiptare të Restaurimit. Këtu kryejnë studime pasuniversitare specialistët tanë të trashëgimisë kulturore. Pa shihni sa paskemi "shkatërruar" ne në këtë fushë. Po Edi? Edi në tërë atë zonë rrethuese të Ansamblit të Trashë-gimisë Kulturore të qendrës së Tiranës, që vetë e shpalli të tillë, pra nën mbrojtje të shtetit, derdhi beton me shumë kate e pa dyshim pa kube të larta. (Ndërsa ne po aty i rikthyem publikut disa objekte, ngrehina si Biblioteka e godina e Ministrisë).

QENDRAT E TIRANËS

Dhe së fundmi po e deklaroj hapur e pa e vrarë mendjen për modestira të shpifura, (se u lodha nga shpifjet e mohimet e punëve të kryera) e duke marrë parasysh se ajo ka qenë punë e një stafi të tërë e jo vetëm imja, se për ato vjet Mars 2007 - Mars 2009 kemi bërë më shumë e shumë më shumë se cilido Minsitër Kulture në këto 20 vjet a të marrë së bashku po të doni. Dhe nuk i përmenda këtu të gjitha. As edhe punët në turizëm e në fusha të tjera por mbeta aty ku i qan zemra Edit. Tek trashëgimia kulturore e tek qendra e saj, qendra e Tiranës. Nuk mund të mos mallëngjehem kur shoh e lexoj se me ç'dhimbje Edi flet për qendrën që e deshi aq shumë e që nuk ja lanë ta bënte si donte vetë, aq sa nga dëshpërimi e la ashtu me tu dhimbë e në pikë të hallit për vite me radhë. Pikërisht që ta donim e të na dhimbej më shumë ndofta. Pastaj Edi kishte edhe shumë qendra të tjera Tirane ndërmend. A ju kujtohet projekti i tij: Tirana me shumë qendra? Sa bukur do të ishte të bënte një a disa qendra të reja fjala vjen në Kombinat që të patakste dynjanë e t'ja kalonte edhe sheshit "Skënderbej". Por Zoti është i madh e shyqyr shpëtuam. Dhe ato, ëndrrat shkuan e vanë së bashku me gjelbërimin që u katandis në ndoca kuadrate të vockla për dekoracion (njëra syresh mu tek teatri i dashur i kukullave i Edit) që humbasin në oqeanin pa fund të grisë së betontë. Megjithatë në përgjithësi, sipërfaqja e gjelbër e ajo shumëngjyrëshe është rritur. Ne kemi fasadat e ylberta, ne kemi sipërfaqen e gjelbëruara të vazove në ballkonet gri a ato të lyera të pallateve mbretërore të qytetarëve. Pas kaq vitesh nën drejtim të Edit e pas ngashërimës së tij të fundit për kurban-kulturën e qendrës, ne jemi kryeqyteti me më shumë sipërfaqe të... në mos të gjelbëruar, së paku të ylbertë, në Europë. Tani më thoni kush ka shkatërruar monumente e ndërtuar (beton) më shumë se kushdo në këto 20 vjet? Edi? Meazallah. Atij i vjen kaq keq për kurbanin, kurban kulturën kombëtare e sidomos atë të qendrës. Lexoni librin Kurban.

* Titujt janë të redaksisë, titulli i vendosur nga autori është "Kurban- kultura (Kujtime nga koha e Edit Ministër)"