Media, Interneti dhe Opinioni: çfarë marrin e përpunojnë qytetarët ?

04/02/2013 11:35

Intervistoi:Doriana Metollari

A jemi të aftë të zgjedhim atë çfarë marrim sot ? Cilat janë modelet që na afrohen dhe a jemi në gjëndje të përpunojmë informacionet dhe të vendosim larg influencave që na largojnë nga realiteti i vërtetë ? Këto dhe mjaft pyetje të tjera, i është përgjigjur Prof. Dr. Ylli Pango, psikolog dhe aktivist i jetës politikë në Shqipëri. Inkurajimi i mediave online dhe opinionet nëpër rrjetet sociale, i japin një frymëmarrje të re jetës shoqërore. Por cili është vendi që mediat online, parashikohet të kenë në të ardhmen ? Më poshtë intervista e plotë...

TIRANE - Sa influencon media në të përditshmen e njerezve (vendimet, jetën, mënyrën sesi ata e shohin të ardhmen) e tyre ?

Jashtëzakonisht shumë dhe shpesh keqas. Njerëzit "hanë" çdo ditë lajme, programe, emisione, gromësijnë sojesh, përpiqen t’i tresin shpesh pa sukses, gëlltisin copra të patretura lajmesh, programesh, komentojnë lajme (ato çka kanë ngrënë), zihen, sherrosen, debatojnë për to nëpër zyra, kafene, shtëpi, qendra pune, jashtëqesin lajme të patretura, asimilojnë keq lajme dhe për nivele kulture të ulëta apo të rëndomta, njerëzit janë ajo çka "hanë": lajme të bujshme boshe, lajme të rrejshme, lajme surrogato, lajme fast food, lajme banale, lajme të zeza, lajme politike të trasha, lajme, lajme, lajme. "Jemi ajo çka hame", thonë dietologët. Fizikisht, fiziologjikisht, anatomikisht, patologjikisht. Po çfarë janë një pjesë njerëzish (jo e vogël) psikologjikisht, mendërisht, kulturalisht. Në një masë të madhe (ka dhe përjashtime), produkt lajmesh, emisionesh, programesh banale, të zeza, vulgare, pa shije e kulture. Por nga ajo çka jemi menderisht, nga ajo çka prodhojnë këto lajme në trurin tonë, rrjedh ajo çka bëjmë, çka mendojmë, çka sillemi (për t'iu përgjigjur pyetjes tuaj). Cognition and Behavior. Njohje dhe sjellje. Një nga drejtimet apo rrymat më interesante të psikologjisë moderne, që e mbështet këtë arsyetim. Dhe çka mund të jetë si rrjedhim i këtij ndikimi sjellja, veprimi ynë veç në mos disekuilibër, egërsi, mendje e keqe, arrogancë, ligësi, modelim i sjelljes a sherrit...pse jo dhe parlamentar, politik, çka mund të jetë kjo si jetë veçse banalitet, mungese perspektive, apo jete me ideal maksimal, jetë pa ideal profesional, përgjithësisht pa ideal, veç nemos material...Çka mund të jetë kjo në këndvështrimin e të ardhmes veçse zymti, kronikë e zezë, frikë nga e ardhmja, nga e papritura, agresioni, agresiviteti, paunesia, xhahillleku, dhuna, varësia e ekzistencës nga mediokriteti barbaria e tij, paaftësia...

Modelet televizive, apo me saktë ato që na ofron media janë ato që njerëzit i marrin të gatshëm, për t'i ndjekur në jetë shpesh herë. A i largon kjo, nga realiteti i jetës dhe mundesitë/nevojat reale që kanë për t'i ndjekur këto modele ?

Psikologjia njeh teorinë e modeleve, rëndom mjaft shpjeguese për një seri ngjarjesh, fenomenesh, jetësh personale a familjare njerëzore. Njeriu, sidomos ai i paformuar, pa nivel, pa kurrfare besimi, "i pakënduar" siç do të thoshte paraardhësi ynë intelektual i rilindjes, në boshllëkun a hapësirën e zgavërt, nuk "mbush" veçse këto modele të gatshme, surrogato, reklamuar rëndom nga mediat e cekëta a komerciale uzurpuar nga pronarë shpesh mediokër, mendjeckët që nuk shohin veçse fitimin, pisqollen mediatike në favor të atij grupimi politik a interesi ekonomik të cilit i shërbejnë. E ç'bëjnë për rrjedhojë njerëzit e modeluar kësisoj: ndjekin po këto modele televizive: kërkojnë një fame të pamerituar, pasurim të shpejtë, imitim të akrobacisë politike të suksesshëm që ia hedh në çdo situatë. Kësisoj kemi produkte si Big Brother, gjeniale të vegjël e të mëdhenj, të famshëm por për çfarë ? Yje kazanash, miklues televizive të famës reciproke, njerëz bosh që në pamundësi të japin produkte shoqërore me vlerë, veç vjellin banalitet e famë fallso që të neverit ekranet televizive aq sa të bën t'i thyesh e t'i çosh në dreq. Kur nuk arrihet as kjo nga lakmitarë famë a kërkues jete bollëku a vanitozë të pasukses, vjen trishtimi a zhgënjimi, sidomos në breza të rinj e zvetënimi, largimi nga vendi, urrejtja për çdo gjë e fenomeni antisocial. Në rastin më të keq po sipas kësaj teorie vimë tek vrasjet a vetvrasjet në rritje të cilat bëhen lehtësisht të realizueshme tek i sheh kaq të shpeshtë në ekrane a në kronika të zeza që zënë ballinat e gazetave a lajmet e para televizive. Kjo tashmë njihet e analizohet me shqetësim nga psikologët kudo në botë dhe synohet të minimizohet. Tek ne veç shtohet.

Si e përpunojnë gjithë këtë mbingarkesë informacioni pasiv që e marrin si "vërtetë" shpesh herë, pa ndjerë nevojën për ë bërë kërkime të tjera, apo për të vënë në dyshim ato çfarë thonë mediat ? Si ndikon kjo në psikologjinë e njeriut ?

Pikërisht ! Pyetja e ka vetë përgjigjen. Nuk mund të përpunohet. Nuk mund të tretet. Ky farë informacioni. Është i pagëlltitshëm. Shumë, shumë është i injektuar në formë droge a helmi. Është në prirjen e njeriut dembel, njeriut që nuk lexon, konsumatorit pasiv që veç gëlltit surrogato të gatshme shtrirë në minderin para tv-së pa lëvizur as gishtin e këmbës për orë të tëra, (veç nemos për të gëlltitur ushqime frigoriferi që e bëjnë më të vështirë tretjen e natës ), e njeriut që nuk kërkon të mendojë, të arsyetojë, të "nxjerrë" vetë konkluzione, që arsyeton me mendjen e të tjerëve, për të debatuar pastaj mes miqsh gjoja paanshmërisht, "shkencërisht", "logjikisht", në fakt mediatikisht, pa përpunim, pa interpretim, pa gjykim, përqasje, analizë, krahasime, kritikë...Kjo e bën psikologjinë tonë qytetare të mbetet ende në fazë infantile, të pazhvilluar, të cungët, të komanduar, e për rrjedhoje edhe demokracinë tonë ende në shpërgej, pseudo, jo pronë e të gjithëve. Nga ana tjetër po kjo i bën Anal-istët të jenë ende zotërues të opinionit masiv mediokër, përpunues të tij, të citueshëm, pse jo të vlerësuar nga jo pak njerëz.

A jemi të aftë të zgjedhim atë çfarë duam të marrim, pa u ndjerë të pushtuar nga "monopoli i së vërtetës" mbi lajmet, kulturën, jetën, ekonominë dhe argëtimin që thonë na japin ?

Sigurisht që jo. As përpunojmë, as mbajmë qëndrim kritik ndaj medias a asaj çka ajo servir, lajmit të rremë, përmbajtjes së tij, raporteve më të vërtetën, raporteve lajm i mirë-lajm i keq, kronikës sterrë dhe sterrosjes së përditshme të mendjes sonë me t. E as ngremë nivelin tonë kulturor nëpërmjet medias kur gazetari që e servir lajmin, emisionin, kronikën, programin, zbaton një urdhër, i bindet një bosi, interesave të tij politik, ekonomik, dëshirave perverse e shpesh epsheve, urrejtjeve a armiqësive të tij personale për të goditur aksh person, institucion a grupim politik. E ç'mund të bëje i ziu njeri (gazetar) kur as paga as sigurimet rëndom nuk i paguhen dhe kur riskon të humbasë vendin e punës. Veçse të qëllojë për t'i pëlqyer padronit duke fituar kësisoj bukën e gojës por njëherazi dhe zanatin e urrejtjes, anatemimit, shkatërrimit të jetës personale të tjetrit, pra dhe zvetënimit të vet moral e tjetërsimit të vetes.

Kësisoj lindin shtampa kulturore, të tilla mbi argëtimin, jetën dhe njeriu modelohet robotikisht në kushtet e një shoqërie ende pa hierarki vlerash e pa kulturën e duhur për të formuar njerëz me mendim të pavarur, gjykim personal a mendje kritike. Lindin kështu bosher a boshe, që në pseudo sallone a pseudoatelie të gjoja "haute couture", flasin për modele të fundit mbathjesh a sutienash por kur dikush përmend (ruajna zot) ndonjë emër nobelisti a patrioti të njohur, qoftë dhe vetë nismëtari i parë i pavarësisë kombëtare, ngre supet "kush osht ky mi?"...."e mi se nuk u bo qameti që s’ja di emrin”.

A jemi në gjëndje të gjejmë "një rrugë tonën" me një model për veten tonë, që t'i përshtatet, formimit, intelektin dhe botëkuptimit tonë, pa televizorin ?

Lavdi zotit, media po demokratizohet. Media online po zë gjithnjë e më shumë vend. Njerëzit kudo në botë, por ca nga ca dhe tek ne, po fillojnë të kërkojnë të shprehen vete në rrjetet sociale, në forume, online. E më pas pse jo do të mësojnë dhe të prodhojne vete opinione gjithnjë e më të pjekura. Në rrjetet sociale, sado në fillim disi me naivitet, njerëzit po komunikojnë me njeri-tjetrin, me të vërtetën, me lajmin, me politikën, po i drejtohen asaj direkt s'andejmi. Ky është ndofta shpëtimi. Dëgjoja një natë një sociolog që shprehej se këtij fati (triumfit të rrjetit soial) nuk i shpëtonte dot në një të ardhme të afërt as televizioni. Edhe atij do t'i reduktoheshin në mënyrë drastike shikuesit si lexuesit (tashme fakt i njohur) medias së shkruar. Ky do të jetë hopi. Kjo do të jetë e ardhmja. Askush nuk do të ketë as të drejtë por as dhe mundësinë, e jo më monopolin që siç thotë Bernard Show, "të ziejë në një kazan të përbashkët trutë e njerëzve". E sidomos për ne që vimë nga sisteme totalitare: ky do të jetë dyfish, shumëfish shpëtimi.

Dua të bëj një lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri. Gjatë kohës se diktaturës, njerëzit ishin të lidhur me një media e cila propagandonte një vijë të caktuar ideologjie dhe le të themi se linte shumë pak vend, ose më mirë aspak, për ide të ndryshme, apo ndihmonin pak në formimin e njeriut mbi principe lirie të shprehurit të të menduarit. Realisht sot a janë "të disponueshme" të kuptojnë dhe të zhvillojnë diversitetin e mendimit të lire ? 

Kjo është ekstra negativja per ne. Ne vimë nga një sistem ku shtypi i partisë, ishte katil ferman për armikun e partisë, të diktatorit, të sistemit. Ne vimë nga një sistem, ku shtypi terësisht i partisë, ngrinte lart heroin fals të sajuar e dërmonte cilindo që guxonte të shprehte qoftë dhe një minimum mendimi të pavarur. Ne vimë nga një sistem i poshtër ku dalja e emrit në gazetë, do të thoshtë ekzekutim politik, shumë shpejt me pas social dhe përfundimisht në mjaft raste edhe fizik. Fillimi i shfaqjes publike të dramave njerëzore në diktaturë, ishte media, pasqyrimi në to me germa të zeza "i armikut", veprës së tij të zezë antiparti.. Pastaj leximi kolektivisht në kolektiva punonjës i artikujve të partisë (kalemxhinjve të partisë që sot janë jo pak edhe kalemxhinj të demokracisë), dhe më pas: "ah...uh...ç'qen i poshter antiparti paska qenë...ky meriton plumbin...ky do vrare..." dhe Partia meme që për të mirën, veç për të mirën e birit të saj të shtrenjtë, (për të mirën tende mor qen.... me dashuri..) e kallte në burg a i rraste plumbin. A nuk i dallon dot reminishencat e asaj kohë qartazi, fare qartazi në disa nga mediat tona të sotme. A nuk shihet faqeza me ç'epsh e egërsi të pa mëshirë goditet individi ende sot e gjithë ditën në media pas 20 e kusur vjetesh pseudodemokrci? Dërrmohet, shkaterrohet, i hyet ne familje, te djali, gruaja, vajza, fëmijët, gjithshka dhe askush nuk e denon median a mediatikun për këtë. "Media është e paprekshme", është korace e pathyeshme në demokraci kjo. Nuk mund te mos kujtoj me renqethje dy ambasadore europerendimore, qe shprehnin publikisht admirimin e pamate për një emision televiziv tonin që spiunon, përgjon, shkatëron jetë njerëzore dhe qe edhe sot gjithe ditën vazhdon ta bëjë këtë pa i hyrë gjemb në këmbë: reminishencë e gjallë e atyre koheve të ndyra kur njeriun mund ta shkaterroje, persekutoje, hidhje ne pleh e te brohoriteshe per mjeshterine e larte te tortures e gjymtimit te personalitetit njerezor. A e perfytyroni dot ? Këta homoseksualë (nuk kam gjë me prirjen e tyre seksuale, shprehnin admirimin për këto gjymtime. Zot, po përse nuk e propozoni t'a zbatoni këtë eksperiencë krijuese në vendin tuaj europerendimor more zoterinj ? Ajme, sa keq, aty do e kishin mbyllur si në Angli brenda 24 orësh, atë media qe spiunon e shkaterron jete njerezore...po ketu do të vijojmë edhe ca eksperimente mbi kurrizin njerezor e pse jo do të kemi dhe spektatorë të huaj që do marrin kënaqësi estetike.

Kësisoj për t’u kthyer të pyetja juaj, jo qe mendim te lire nuk e gjen dot kollaj ne keto media, por edhe kur do ndokush te dale disi kuder rrymes a kunder mendimit te pronarit te medias a te politikes ne fuqi, nuk ja boton kush mendimin. I ke parasysh ato intervistat gjoja "vox popoli" neper rruge, ku sipas prirjes politike te medias ne fjale, shfaqen vetem ato prononcime qe i vine per shtat asaj medie. Ne rastin me te mire jepet edhe ndonje mendim a dy gjoja kundra, sa per kripe.

Si mund t'i japim një dimension të ri jetës ? A rrezikohemi të bëhemi pjesë e rutine jetike, në një vend ku modelet demokratike, shumë modele demokratike ende mund te mos gjejnë terren zhvillimi ?

Pa dyshim që duhet të distancohemi, por ka vetëm një rrugë tani për tani, në kushtet e uzurpimit të medias nga oligarkët, politike a individe injorantë pa skrupul që e përdorin median si armë për të goditur kundershtarët politikë, ekonomik a personale. Media online, media e lirë e gjithkuj online, shprehja e lire e mendimit në faqe a rrjetet sociale, inkurajimi i kësaj frymë, komunikimi atje me njëri- tjetrin, në grupe, mes miqsh, shoqërish, grupimesh gjithnjë e më të mëdha sociale, madje edhe me te panjohur qe behen miq atje dhe ndajne mendime a opinione te perbashketa.. Kjo do te jete ndofta edhe e ardhmja a shpetimi nga zgjedha e mendimit, opinioinit, diktatit te informacionit, idese, opinionit te deformuar a te imponuar siaps interesave te individeve pa skrupull qe kane uzurpuar nje pjese te mire te medias masive se bashku me biznesin e politiken dhe qe e perdorin ate si mjet terrori.

Mediat shqiptare i lënë një hapësirë shumë të madhe politikanëve dhe politikës, dhe shumë pak njeriut, ambjentit, të përditshmes, zhvillimeve të jetës etj... a rrezikojnë të kultivojnë në këtë mënyrë centralizimin e zhvillimit të opinionit publik, rreth një "monopoli politik diktatorial te ri" ?

Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda. Më mirë nuk mund ta shpreh. Veç mund të shtoj: jo vetëm "rrezikojnë të kultivojnë në këtë mënyrë centralizimin e zhvillimit të opinionit publik," por e kanë realizuar tashmë këtë. Puna është si të shpëtojmë prej kësaj dhe sa më shpejt. Modele mediash të vendeve te zhvilluara ka sa të duash , ku programi kulturor, shkencor, debati social, e gjithshça që e ngre e lartëson njeriun shpirtërisht, moralisht, kulturalisht, zënë vendin kryesor. Tek ne ende kjo është larg. Madje dhe të mediat më të mira. Janë pothuaj të gjitha në shërbim. Sigurisht jo të njerëzve në përgjithësi, por të interesave individuale a grupore klanore poltike a ekonomike a së bashku.