Reputacioni i shqiptarëve. Si po ndryshon dhe si ta rindërtojmë

12/03/2013 14:35

 

Çfarë mendojnë shqiptarët për veten dhe si mund ta përmiresojme imazhin tonë ?

Prof.Dr. Ylli Pango
Intervistoi: Doriana Metollari


Cili ishte imazhi i Shqipërisë pas viteve 90-të ? A kishim vërtet një imazh tonin gjatë diktaturës dhe si ndikoi ky pas rënies së komunizmit. Sa dhe si ka ndikuar mungesa e lëvizjes së lirë në imazhin që përçuan qytetarët jashtë, në fillimet e emigracionit dhe si ka ndryshuar kjo në ditët tona ? 

Një imazh sado jo plotësisht i saktë i Shqipërisë së pas viteve 90, do të mund të shihej a studiohej saktë, vetëm i lidhur me imazhin e Shqipërisë së paraviteve 90. Ky imazh a më saktë reputacion negativ për të nga të huajt(do të flasim më poshtë për dallimin imazh-reputacion), ishte ai i një vendi të izoluar, të pazhvilluar e nën trysninë e njërës prej diktaturave më të egra por edhe më paradoksale, në Europë e në botë. Përfytyrimet a imazhet e Tiranës pa makina me një polic në qendër që drejtonte një trafik imagjinar, janë ndër të paktat imazhe transmetuar aso kohe në mediat e huaja. Për të huajt që kontrollonin pasaportat a për ata të paktë që kontaktonin me ne, imazhi i shqiptarëve që kalonin kufirin ishte imazhi i atyre qënieve të cuditshme të ndryshme nga qytetarët e tjerë të kontinentit, disi të ndrojtur e që nuk krijonin probleme.  Ndryshe nga të tjerë, ata nuk paraqisnin rrezik trafiku droge a prostitucioni, se vetë regjimi nga vinin ishte aq shtypës e izolues, sa as që mund të mendohej për njerëz që vinin s’andejmi të guxonin të merreshin me këto. Ndër kohë  për shqiptarët e Kosovës, imazhi ishte disi më ndryshe. Ata paraqiteshin më të dyshueshëm edhe sepse ata në sajë të regjimit liberal të Titos, qarkullonin prej kohësh të lirë në Euriopë,e njihnin më mirë atë. E po kështu shfrytëzonin të mirat e saj, ashtu si disa të tjerë më të paktë edhe mundësitë që jepte demokracia për të devijuar a angazhuar në aktivitete të paligjshme fitimprurëse. Kësisoj kosovarët aso kohe ishin më të kontrollueshëm  se shqiptarët e Shqipërisë. Pas viteve 90 imazhi ndrroi në të kundërt. Shqiptarët dalë rishtaz masivisht në Europë, shpërthyen në të gjitha aspektet, edhe si kundërefekt i komprimimit shumëvjecar. Mungesa e gjatë e lirisë së lëvizjes solli një shpërthim të gjithanshëm, si fillim më pak për të mirë e më shumë për të keq. Ashtu sic natyrshëm ndodh me eksplodimin e dickaje mbyllur për një kohë të gjatë. Kështu së bashku me qindramijra të punësuar që filluan rrugën e gjatë të integrimit ndershmërisht e me djersën e ballit, në përqindje relativisht të njëjta edhe me popuj të tjëerë emigratorë, u shfaqën edhe shqiptarët e krimit të organizuar, të drogës e prostitucionit. Për arësye të daljes rishtaz në skenën europiane të së keqes, por edhe me një aktivitet kriminal të amplifikuar nga media perëndimore, ata u bënë aq impresivë e të dyshueshëm saqë imazhi i tyre, por më shumë reputacioni i keq, u lidh ngushtë e në mjaft raste u bë edhe sinjifikacion i drgës, prostitucionit,krimit të organizuar. Pa dyshim rol të jashtëzakonshëm luajti këtu edhe imazhi televiziv i eksodeve biblikë të fillimviteve 90 e sidomos të atij me anijet i vitit 91, ku fytyrat e munduara e të raskapitura të shqiptarëve, veshjet e tyre copë, nuk mund të mos identifikoheshin gabimisht më vonë në mënyrë paragjykuese me portretin e kriminelit në mendjet e teleshikuesit europian, ende pa asnjë informacion të qartë deri atëhere për këta njerëz të cuditshëm të izoluar kaq gjatë. Me dhjetra filma, dokumentarë e artistikë pasqyruan këtë duke e ngulitur kryesisht si negativ imazhin e shqiptarit në mendjet e europianeve.

Duhet të ndalemi pak këtu për të bërë një dallim ndërmjet imazhit dhe reputacionit a namit, sic thuhet në shqip. Imazhi është një tërësi vlerësimesh, besimesh,bindjesh, qëndrimesh sociale globale a mesatarizuese lidhur me tiparet e një njeriu, populli, etj. Ai lidhet me kontakte a informacione të drejtpërdrejta, pavarësisht si përtypen ato nga konsumatori i  tyre. Kurse reputacioni, nami në shqip,a ndryshe fama e keqe a e mirë, është metabesim, metabindje a meta-qëndrim lidhur ose jo me tiparet e vërteta, pasi bazohet a është i lidhur më shumë me vlerësimin a përshtypjet e të tjerëve për dikë(popull,individ),sesa me ato tonat apo të kontateve direkte. Ai është më tepër shumë e përshtypjeve të njerëzve të tjerë (madje edhe e atyre që nuk e njohin  një popull a një individ). Nga ana tjetër reputacioni ushqehet edhe nga thashethemi i cili ndonëse jo i saktë mund të përmbajë material  a hamëndje lidhur me faktin, por ze gjithsesi vend jo pak herë. Flitet fjala vjen shpesh kështu :”thuhet se ju shqiptarët”...apo “të gjithë e dinë se shqiptarët”...apo “njihen shqiptarët që…” dhe më tej vijon thashethemi i amplifikuar...Reputacioni si opinion lidhur me një individ a popull, mund të konsiderohet edhe si komponent identiteti. Reputacioni ndikon ne raportet mes kombeve, popujve, individëve, në jetën e përditëshme. Ai ka rëndësi për cdo vend, vendin e tij në treg, vendin në arenën ndërkombëtare, progresin e tij a mbështetjen që merr nga vende më të zhvilluara. Reputacioni a nami përhapet si opinion kudo dhe pikërisht me këtë koncept është lidhur edhe vlerësimi i shqiptarit të kësaj periudhe 23 vjecare. Në aspektin epistemiologjik reputacioni pozitiv a negativ për dikë popull a individ qoftë, pranohet si informacion i gatshëm që vjen nga të tjerë që na njohin, saktë ose jo, që nuk na njohin, por që mund të luajnë edhe rol eksperti në njohjen tonë. Në rastin e shqiptarëve kjo ka qenë e dëmshme sepse opinioni a reputacioni i keq është përhapur jo vetëm nga media e keq ose pak informuar, por edhe nga njerëz me pak informacion për ne në Europë. Por edhe në aspektin praktik a pragmatik-që lidhet me qëndrimet konkrete a veprimet karshi nesh të europianëve, ne jemi dëmtuar jo pak. Opinione negative të njerëzve më të besueshëm a gjoja më të besueshëm, që pak na kanë njohur ose na kanë njohur nëpërmjet informacioneve mediatike të cekta a negative, kanë ndikuar jo mirë tek njerëz që kanë dashur të vizitojnë vendin tonë si turistë a të investojnë tek ne.. Ka edhe njië aspekt gati mimetizues, sipas të cilit mjaft njerëz pa u menduar gjatë veprojnë në përputhje me vlerësimin e përhapur për një individ a një popull, dhe madje u a shpërndajnë atë dhe të tjerëve. Të gjitha këto duhen pasur parasysh kur duam të kuptojmë se si ka evoluar apo devoluar opinioni i të huajve për ne, cfarë mendojnë a si veprojnë ata me ne, dhe si mund të ndryshojmë ne në aspektin e imazhit a reputacionit që të reformojmë imzahin  a reputacionin tonë aty ku është formuar gabim por edhe aty ku të huajt kanë të drejtë në vlerësimet e tyre..Reputacioni ka një aspekt konjitiv, (njohës) që lidhet me atë cka ne njohim si cilësi a që është unike për një popull fjala vjen tiparet si dinamizmi, humori, aftësia për të prodhuar sende të caktuara me mjeshtëri etj. Por reputacioni ka edhe aspektin afektiv që gjithashtu ndikon në raportet tona me të tjerët. Kështu nëse francezët, spanjollët a italianët vlerësohen, admirohen si popuj interesantë, të përparuar, finë. Ata pëlqehen,marrin afeksion, ngrohtësi, simpati, nga të tjerët, edhe pa u shfaqur cdo individ syresh si  itillë. Kjo shpesh ka një bazë të fortë që i bën ata të jenë tërheqës përvec për kulturën e tyre brilante, muzikën, ushqimin, monumentet e kulturës etj., edhe për temperamentin e tyre të gjallë, dinamizmin, humanizmin,humorin. Këto përbëjnë në një aspekt, paragjykime pozitive që japin impakt shumë pozitiv në jetën ekonomike, politike e kulturore të këtyre popujve. Pra u sjellin atyre  vec simpatisë edhe përfitime të tjera materiale më rëndësi. Ata bëhen më të vizitueshëm si vende, mallrat e tyre blihen në masë, turizmi i tyre zhvillohet më shumë. Teoria ,shkaqet e pasojat e reputacionit duhen studiuar në detaje për popuj konkretë. Dhe kjo është me mjaft me rëndësi edhe për shqiptarët. Kështu p.sh duhen parë në detaje pasojat e reputacionit të përhapur për shqiptarët,impaktet në raportet me popuj a vende të tjerë. Si është qëndrimi sidomos i Europës ku ne jetojmë e lëvizim,karshi shqiptarëve, sidomos pas daljes sonë nga izolimi në botë pas viteve 90? Ku po shkojmë me këtë reputacion e si duhet ndryshuar ai? Duhet pranuar se ne paraqitemi me një reputacion jo pozitiv për një shumicë njerëzish të vendeve sidomos europiane. Ne jemi ende disi të frikshëm, jo të edukuar, as të civilizuar e me prapambetje kulturore e demokratike. Kjo natyrisht edhe emocionalisht nuk na afron ne lehtë me popuj të tjerë, sa c’afron mes tyre popujt më të qytetëruar. Këtu duhet pasur parassysh se ndonëse një pjesë e të huajve na njeh më nga afër e na ka vizituar, apo ka venë në dukje vlerat e progresin, kjo pjesë ende është e vogël. Gjithnjë duhet marrë parasysh fakti jofavorizues se statistikisht e logjikisht, një individ a një popull të caktuar e njohin në detaje shumë më pak njerëz, në krahasim me masën e madhe të atyre që nuk e njohin a që e njohin përciptaz duke marrë informacion nga media a nga të tjerë. Kështu funnksionon për të gjithë. Por nëse për një pjesë të popujve të qytetëruar  funksionon si favorizues nami a reputacioni i mirë, për ne për fat të keq deri tani vepron e kundërta.


Le të ndalemi në një analizë për imazhin e Shqipërisë në arenën europiane sot gjatë viteve të fundit. Po rindërtohet pozitivisht apo jo ? Si ka ndryshuar imazhi i Shqipërisë vitet e fundit ? A punojnë për imazhin shqiptarët dhe po ndërtojnë një imazh të vetin pa imituar atë të popujve të tjerë ? 
Tani problemi shtrohet se c’ndodh në vijim. Cdo ditë në media ka etiketime negative ose vlerësime lidhur me reputacionin e individëve a popujve. Për rrjedhojë imazhet e reputacioni njohin ulje e ngritje. Ndryshojnë. Përmirësohen a përkeqësohen. Natyrisht edhe për shqiptarët. Në botën e sotshme të komunikimit e informacionit, media e interneti shumfishojnë a amplifikojnë cdo informacion. Reputacioni i nënshtrohet ndryshimit vazhdimisht. Ai është fenomen dinamik. Ai ndryshon si efekt i gabimeve, përmirësimeve, zhgënjimit, por edhe i progresit, zhvillimit dhe mund të bëjë që të tjerët të na njohin dhe perceptojnë ndryshe. Keq ose mirë. Varet nga fakti se cilët individë a grupe individësh, njihen e shfaqen nga mediat e huaja?A janë ata sinjifikativë apo jo? Janë ata që mbartin cilësit të mira apo e kundërta. Se shpesh mbi këto bëhet edhe përgjithësimi për një popull. (Shpesh i gabuar). Atëhere nuk i duhet lënë në dorë imazhi e reputacioni i një populli të tërë, kësaj rastësie. Dhe ndaj këtu del emergjenca për të ndërtuar, mbrojtur e rindërtuar me të gjitha mundësitë një reputacion të ri ose për të meremetuar një të vjetër rrënjësisht. Le të marrim një shembull nga fusha e biznesit. Kompania Coca Cola, shpenzon miliarda për reklama edhe vazhdon të prodhojë të tilla. Tregu i konkurencës është aq i fuqishëm sa edhe një moment ndërprerje i reklamave do të sillte ngritje të të tjerëve në treg e për rrjedhojë ulje reputacioni apo pikpyetjen:”C’po ndodh me Coca Colën?” Apo do të mjaftonin disa raste negative që të fillonte krijimi i një reputacioni negativ për të si kompani. Por po kështu veprojnë pwr imazhin edhe shtetet,vendet fqinjë si Mali i Zi e Kroacia që mbajnë lart reputacionin e tyre turistik duke e reklamuar gjithnjë e më shumë cdo vit. Asgjë rastësisë.  Nga studimet del se duhen vite për të rikuperuar pothuaj krejtësisht një reputacion. Edhe më shumë kohë duhet në raste kur luftohet për ngjitje reputacioni lart nga nivelet më të ulta. Këtu bëhet fjalë për individë,kompani,vende,popuj. Sidomos e vështirë është kur reputacioni  i tyre është dëmtuar rëndë për dekada, a madje shekuj. Ka popuj të fuqishëm si gjermanët që në sajë të punës së jashtëzakonshme, aftësive por edhe reputacionit pozitiv ndër shekuj si popull i fuqishëm e punëtor, energjik e luftarak, arritën të rikuperohen shumë shpejt si imazh pas luftës së dytë botërore e pas shkatërrimit të imazhit të tyre nga regjimi nazist. Natyrisht edhe me ndihmën e vendeve të fuqishmë si Sh.B.A.,  të interesuar për ta në planin strategjik e politik. Por vec kësaj amerikanët ishin gjithashtu të bindur se cilësitë, reputacioni i njohur gjerman i qëndrimit e disiplinës karshi punës, nuk do ta linte pa kthim investimin e madh të planit Marshall. Ndërkohë që përpjekjet tona për rikuperim imazhin, jo më për të ndërtuar një reputacion të ri, janë shumë të vogla në raport me dëmtimin që i është bërë atij sidomos pas viteve 90. Përpjekjet janë aq të vogla sa nuk mund të flitet ende për imazh të mirë në raport me atë të rrënjosur me shekuj, a sidomos në dekadat e fundit... Reputacioni duhet mbrojtur e rindërtuar, duhet vazhdimisht të jemi në korent c’ndodh me të në botë. Nuk ka një proces të vijueshëm e të studiuar të rindërtimit të këtij imazhi si detyrë parësore për ecjen përpara së bashku me detyra të tjera. Gjithsej dy reklama janë dhënë në median ndërkombëtare për Shqipërinë turistike deri më sot: një në vitet 2007 në CNN e një tjetër në 2008 në Euroneës, por edhe ato u anatemuan e madje pati propozime qesharake të tipit:” Ato para të ishin përdorur më mirë për të pastruar plehrat..”. Duhet pasur parasysh se psikologjikisht është shumë e vështirë që një reputacion i mirë të  zëvëndësojë atë të keq në mendjen e miliona njerëzve në botë. Duhet punuar cdo ditë për këtë, se cdo ditë, ka ndikimin e vet për ndryshimin, rënien, ngritjen, e reputacionit qoftë edhe në përmasa të vogla. Sepse po kështu cdo ditë reputacioni i keq na ka shoqëruar për vite me radhë.

Nga ana tjetër sic e thamë,reputacioni mund të jetë edhe vlerësim i pasaktë, i përciptë, i ekzagjeruar që vjen kryesisht për shkak të mungesës së informacionit a marrjes së tij në formë të gatshme nga mediat. Në këto raste ai është shpesh i pamerituar, ose i humbur pa e merituar një gjë të tillë. Por ai sërish vazhdon të shfaqet. Pra duhet luftuar jo vetëm me reputacionin e keq të rrënjosur për ne, por edhe me të riun negativ që shfaqet herë pas here, duke goditur e kundërpërgjigjur atij. Përsëri për të mbrojtur të vërtetën, pastaj për të ndërtuar imazhin e mirë. Në rastin tonë, të shqiptarëve, cilido qoftë vlerësimi shpesh i gabuar por edhe kur ai është pjesërisht i drejtë, kjo luftë konsiston sidomos në ndërtimin e vlerave reale pozitive. Pa to s’ka as imazh.  Sidomos nuk duhet humbur reputacioni i brendshëm, vetëvlerësimi. Duke u mbështetur në ato vlera që ja dimë vetes, të punohet për të krijuar të tjera e për të meremetuar ato cka janë dëmtuar. Këtu lufta për imazhin e mirë  mediatik duhet të jetë e vazhdueshme dhe e përhershme.

Reputacioni gjithashtu transferohet nga brezi në brez dhe nëse për vende a popuj të mëdhenj a të suksesshëm si francezët a gjermanët ky reputacion shkon në të mirë të mbartësve të brezave më të rinj, tek ne ky imazh vazhdon të dëmtojë brezat më të rinj sado të kulturuar e të shkolluar në perëndim të ketë syresh. Reputacioni i një individi a populli, transferohet së bashku me, nacionalitetin, kulturën, bëmat edhe kur mbartësi individ a grup(tifozët e dhunshëm anglezë fjala vjen)nuk është tipikisht i tillë. Reputacioni i mirë, po nuk u justifikua transformohet gradualisht në famë të keqe. Kështu ka filluar të përhapet reputacioni jo pozitiv(edhe për shkak të krizës) i një turizmi grek i cili, ka rënie të shërbimit të mirë, të cilësisë së ushqimit etj. Kjo vjen ndesh me reputacionin preferencial të deritanishëm të perëndimit për Greqinë. Por nga ana tjetër është mjaft vështirë të bjerë reputacioni i vendeve të mëdha të zhvilluara që vazhdojnë me veprën e tyre ne botë por edhe me reklamën ta mbajnë atë lart. Aq sa edhe kur shfaqen fenomene negative atje,krime mionstruoze etj., reputacioni i tyre cëniohet pak osa aspak. Me ne ndodh e kundërta. Edhe për shkak të reputacionit të gjatë jopozitiv, amplifikohet edhe me raste shëmbujsh sporadikë,ai negativ(krime individësh p.sh) e nuk rilevohet pozitivja. Ky është fati ynë si vende të vegjël e me të kaluar jo aq të lavdishme sidomos dekadat e fundit. Prandaj tek ne për imazhin(pjesa e reale e tipareve tona pozitive si popull), por edhe për reputacionin (pjesa e përzier e reales me të sajuarën), duhet të punojmë shumfish për ta ndërtuar, meremetuar, rindërtuar.

 Reputacioni online është gjithashtu sot gjithnjë e më i rëndësishëm qoftë për individin, por edhe për popujt, vendet. Ai përbën një formë të rindërtimit a shkatërrimit të reputacionit, gjithnjë e më prezente e të një përhapjeje të gjerë e të shpejtë. Ai ndikon gjithashtu drejtpërdrejt për zhvillimin ekonomik, progresin, investimet e huaja etj.. Turizmi në Shqipëri. fjala vjen ende nuk merr dot ende online, reputacionin e mirë të turizmit madje as të vendeve të vogla fqinjë në aspektin e shërbimit, pastërtisë, ushqimit,variacionit të kohës së dëfrimit etj. Punohet pak për ta ngritur lart lkëtë reputacion, zhvilluar, mbajtur fort. Nuk ka një shërbim të përhershëm kujdestar online për informacionin mbi vendin tonë,për updatimin e tij, në institucionet përkatëse shtetërore. Më shumë insiativat për mbrojtjen a paraqitjen, (ende jo në nivelin e duhur) të Shqipërisë turistike, etnografike, të monumenteve të kulturës etj., ,i kanë pasur privatët, agjensitë turistike a disa biznese. Ndonëse numri i vizitorëve është rritur në mënyrë të konsiderueshme, ai nuk përfaqëson ende në një masë të madhe turistin e muirëfilltë, atë që në mënyrë konsekutive a gjithnjë në rritje viziton p.sh Malin e Zi, por kryesisht vizitorin që zbret këtu për qëllime nga më të ndryshmet. Këta janë vizitorë për biznes, vizita politike, vizita tek të afërm a shqiptarë të Kosovës që në një masë të madhe përfaqësojnë më shumë një turizëm patriotik. Ky është më tepër shans historik e gjeografik për ne, se sa rezultat i punës tonë për zhvillimin e njëimazhi origjinal turistik të vendit e për rritjen e reputacionit të tij. Ka ardhur koha të dallojmë turizmin që na duhet, nga ai i statistikave zyrtare, që në fakt nuk janë gabim, por nuk ngrenë shumë peshë tek turizmi i vërtetë Edhe ky turizëm, pa dyshim që sjell të ardhura, por është ku e ku me ato që mund të merrnim nga 470 km bregdet, nga klima jonë, malet, ushqimi a nga mijra monumente kulture. Pra nuk është ende faktor stabël e i nivelit të lartë të zhvillimit të vendit, i përmirësimit të imazhit të vendit e zhvillimit më tej të investimeve.Prandaj natyrisht pas zhvillimit real, të paktën për ato vlera positive që janë arritur, reklama është gjithshka në kohën e sotme. Më masivja, më e fuqishmja e rezultativja, madje gati e vetmja se e shohin miliona e ka ndikim të fuqishëm. Pas kësaj reputacioni mund të akumulohet, tregëtohet, të krijojëi besim(tek investitorët, turistët), të legjitimojë pritshmëritë për të mirat që mund të shijosh edhe tek ne . Si i tillë ai do jetë ndër kapitalet më të vlefshme jo vetëm për biznesin e individin por edhe për gjithë vendin. Ai do jetë aset e pasuri dhe kur të bëhet rregull kujdesi për të, ai do të bëjë të ndërtohet një identitet unik i yni. Ky pastaj do të krijojë besim e do të ngrejë vlerësimin për vendin, e bashkë me të të aseteve të tij, biznesit, njeriut. E kjo  jep vec vlerë të kthyer e të shtuar në zhvillim e prosperitet, jep avantazhe kompetitive etj. Kapitali reputacional është sot aset strategjik për vendet e zhvilluara e ato në zhvillim. Kroacia është ndër vendet me një rritje shembullore të këtij kapitali në fushën e turizmit në krahasim me atë pak reputacion që kishte ajo në këtë aspekt pak dekada më parë. Reputacioni i vendeve fqinje si Mali i Zi e i Kroacisë në fushën e turizmit është ndër modelet më të mira për tu ndjekur. Në sytë e turistit europian e sidomos atij rus i cili sjell atje miliona turistë cdo vit, ato janë vende ideale turistike. Ndërkohë ato vazhdojnë të fuqizojnë reklamat, spotet e të shpenzojnë gjithnjë e më shumë për to. Me vlera nga dhjetra në qindra milionë në vit. Përse? Pikërisht për këto arsye që renditëm.

 Nga ana tjetër edhe reputacioni i deritanishëm i mirë, sado i vogël, duhet vlerësuar saktë, e jo të minimizohet deri aty sa të humbitet krejt konsiderata për vlerat reale të vendit a individit tek ne. Ka ndodhur kjo edhe në disa nga mediat e emisionet tona televizive, deri aty sa është bërë edhe antireklamë në pragsezonet turistike.Reputacioni i keq, sic e thamë ka raste që është edhe i shtrembëruar, fals, shpesh i pamerituar, ose i humbur a i fituar pa e merituar, i ndërtuar mbi bazë thashethemi, informacioni të cekët a paragjykimesh. Në këto raste, kur ky reputacion është negativ, sidomos për ne shqiptarët, duhet llogaritur mirë ky koeficient gabueshmërie dhe akoma më fort duhet punuar për të rilevuar vlerat e mohuara, të minimizuara. Askush nuk e humbet kurrrë krejt vetëreputacionin a vetvlerësimin pozitiv, qoftë edhe elementë të tij, vecse nëse e sheh vehten përfundimisht si inferior. E kjo ndodh jo rrallë me ne kur flasim për veten:”Nuk bëhemi ne...ka marrë fund kjo...”. Shqiptarët, në të vërtetë në një masë të madhe, ndonëse me reputacion jo fort pozitiv, vazhdojnë të jetojnë gjithnjë e më mirë, të përftojnë vlera gjithnjë e më pozitive, të hanë e pinë si gjithë europianët, të udhëtojnë, të gëzojnë, zhvillohen, e qytetërohen, të mësojnë në universitete europiane nga më të mirat, dhe e gjithë kjo sjell dashur pa dashur vlerë të shtuar që vazhdon sado pak të rrisë pozitiven në reputacionin tonë. Por kjo duhet kuptuar, kapur, rilevuar. Zhvillimi vjen gradualisht dhe ne na intereson të pasqyrojmë cdo detaj e element sado të vogël të tij. Të mos harrojmë se ka ende të tillë (sado injorantë) si ai turisti cek në Francë që pyeste bashkatdhetarët tanë:  “A ka spitale tek ju”. “Jo “ u përgjigj dikush. “Ne jetojmë e flemë në pemë. S’andejmi fluturojmë drejt e për në Pragë”.  Nuk duhet humbur respekti, reputacioni për veten. Më pas vjen vlerësimi i të tjerëve. Kërkush nuk të vlerëson kur nuk vlerëson veten. Dhe këtu dalim tek një problem tjetër:


Përse shqiptarët instinktivisht identifikohen me imazhin e gabuar që japin bashkëkombasit e tyre në botë ?
 Kjo lidhet me imazhin e shqiptarëve për veten dhe raportin e tij me imazhin që kanë të tjerët për ta Në psikologjinë sociale njihen tre unet e individit, ajo cka mendon njeriu për veten, ajo cka mendojnë të tjerët për të dhe ajo cka është ai, përafërsisht në të vërtetë. A mund të flitet paralelisht për tre opinione, reputacione a vlerësime të shqiptarëve si komb? Për tre “une kombëtarë”? Po përpiqemi të bëjmë një përqasje.  Pra le të shohim tre “unet”(abstragim)e një popullii: c’mendojmë për veten, c’jemi realisht(përafërsisht) dhe c’mendojnë ose thonë të tjerët për ne, popujut e tjerë, mediat e huaja, njerëzit në përgjithësi në botë. Përqasja, raporti mes këtyre, mund të japë një ide më të mirë se ku jemi me reputacionin tonë të deritanishëm dhe ti japë përgjigje pyetjes së mësipërme.

Konsiderata jonë për veten është shpesh e dyshimtë, jo e lartë apo e pasaktë. Pavarësisht nga deklarimet politike, deliret patriotike, shtirjet, mburrjet a emisionet televizive, në ndërgjegjen tonë vlerësimi për veten, si popull, në raport me popujt më të zhvilluar,mendoj se nuk është aq i lartë. Kjo edhe mbi bazën e një fakti të thjeshtë: për të marrë vlerësime por edhe për tu vetvlerësur(jo për tu nënvlerësuar), duhet të krahasohesh me të tjerë, të shohësh nivelin ku je ti e ku janë ata, sa ke ecur e c’vend ze në Europë e në botë. Dhe në këtë aspekt, në mënyrë të padyshimtë ne jemi ende ndër vendet e fundit në Europë...Por edhe vetë imazhi ballkanik nuk ka qenë pothuaj asnjëherë i lartë në Europë, ndër shekuj. Luftra etnike, përcarje, prapambetje në krahasim me Europën e zhvilluar. Pastaj erdhi komunizmi dhe imazhi u përkeqësua më tej. Ashtu si në Rusi në 1917, ai sistem pas luftës së dytë botërore, triumfoi në pjesën më të varfër të Europës,Ballkan dhe e la atë përsëri prapa. Sidomos Shqipërinë. Akoma më tej imazhi i Shqipërisë u prish me emigracionin e paraqitjen e tij mediatike(eksodi biblik në Itali)e sidomos me bëmat e disa prej shqiptarëvë,atje e në Gjermani, Greqi etj. Vërtet këta nuk përbënin shumicë, por e thamë, flasim për reputacion(më mirë syri se nami), jo imazh). Po kështu imazh negativ, edhe brenda vetes tonë, shkaktuan edhe anarkia e vitit 1997, imazhet e transmetuara nga gjithë mediat e botës aso kohe. Nga ana tjetër qëndron opinioni i të tjerëve a reputacioni ynë si komb. Mendoni, kur ajo cka ka ndodhur pati e ka ndikim tek ne, tek reputacioni a imazhi për veten, sa e sa herë më negative shihet a ndjehet ajo nga të tjerët, sidomos nga ata që nuk na njohin a njohin përciptaz. Ne vazhdojmë të mbetemi në mendjen e milionave në botë, pra të shumicës, të asaj që nuk na njeh vecse nga media a nga thashethemet, si vendi më i varfër e më i izoluar i Europës, si vend i egër, me banda e kriminelë, me trafik droge e prostitucioni, me bunkerë,(sado cudi t’ju duket ka site ende në internet ku ne paraqitemi të tillë), me ndotje, rrugë të shkatërruara. Edhe në sitet turistike online, ne ose s’jemi fare ose jemi paraqitur mjaft varfër dhe kjo nuk tërheq turistë. C’është kjo?” do të hidhet ndokush, “këtu është bërë punë e madhe dhe ndryshimi është kolosal”. Autori i këtyre radhëve, e beson plotësisht këtë ndryshim dhe ka qenë edhe ai kontribues i këtyre arritjeve. Por le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Edhe sikur Shqipërinë ta kishin vizituar nga viti 2005 e deri tani(me ekzagjerim) 50 milionë njerëz, numri i atyre që nuk e kanë vizituar e që nuk do ta vizitojnë atë, është ku e ku më i madh. Dhe këta dinë vetëm atë c’kanë parë në media. Ose c’kanë dëgjuar nga thashethemi. Dhe kush është ai që do të lodhet ta mësojë të vërtetën, kur ne vetë kemi bërë shumë pak për të. Ne nuk kemi bërë madje as edhe një reklamë për turizmin në median botërore, që nga viti 2008 e tëhu. E si mund të presim që imazhi ynë të shkëlqejë me kaq pak. Këtu raporti midis asaj që mendojmë për veten, asaj që mendojnë të tjerët për ne e asaj që jemi realisht, janë për fat të keq pranë njeri tjetrit. Pa asnjë iluzion, pavarësisht nga disa arritje, qoftë për shkak të asaj që ende nuk është bërë, e qoftë të paaftësisë për të paraqitur në media e reklama atë që është bërë, imazhi ynë mbetet ende i varfër. Kurse reputacioni le ende mjaft për të dëshiruar. Duhet të jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se është punuar pak me botën(më shumë me vendin), në këtë aspekt: për ta paraqitur atë progres që është arritur, për të rregulluar reputacionin e për të ndërtuar imazhin real.

 

Qytetarët shqiptarë jashtë, janë të njohur përveç (arritjeve pozitive) dhe për aspekte negative, sjellje, edukatë, e deri krimin e organizuar aq sa kjo gjë ka ndikuar në reputacionin e keq të shqiptarëve atje. Ka ardhur kjo dhe si rrjedhoje e mungesës së përshtatjes me rregullat e lirisë ? Mungesës së përshtatjes psikologjike me mentalitetin e hapur të vendit ku kanë jetuar ? Keni ndonjë opsion tjetër ? 
Pa dyshim që kemi pjesën tonë të papërshtatjes me të renë, rregullat e demokracive të zhvilluara. Pa dyshim kemi edhe efektin e izolimit të gjatë që i bën shqiptarët ende në aviona t’i thërrasin njeri tjetrit me zë të lartë si në autobuz(jo vetëm mungesë edukate por edhe element i kërkimit të sigurisë e mbështetjes tek njeri tjetri në “pyllin e madh të panjohur” të botës së madhe). Por tashmë kanë kaluar 23 vjet. Mjaft shqiptarë janë përshtatur me botën e huaj, aq sa mjaft syresh, sidomos brezi i ri zorr dallohet nga gjuha e nga kultura prej vendasve. Problemi është tek ajo që ju servirim ne ende mediave atje e sidomos këtu. E ky është edhe opsioni tjetër i përgjigjes që kërkohet nga pyetja juaj e një problem që duhet trajtuar. Ata që shkruajnë e transmetojnë për ne në mediat e huaja,kanë pak ose nuk kanë asnjë njohuri për ne e shpesh as për Balkanin.  Nga ana tjetër nuk mund të mos vihet në dukje se reputacioni ynë, ndonëse i përmirësuar, qoftë i shqiptarëve jashtë, qoftë këtu,mbetet ende jo i mirë. Efekti i kësaj ishte edhe pengimi i lëvizjes tonë të lirë në Europë për një kohë të gjatë. Ndërkohë ne, d.m.th politika jonë, nuk kishim as zgjuarësinë por as vullnetin tu tregonim europianëve që “na kishin kaq frikë” (koha tregoi që më kot), se ishin  pikërisht kriminelët, një pakicë, që lëviznin mjaft lirisht në Europë, se e merrnin vizën lirisht me mjete të tjera, dhe ishte populli i thjeshtë ai që e vuante radhën e vizave, dhe se ky popull i thjeshtë, në shumicën e tij ishte paqësor e aspak kriminal. Pra arësye të imazhit të keq ishin disa bashkëkombas, pakicë, që bënin të dënoheshim e poshtëroheshim kolektivisht si popull për një kohë të gjatë. Ndërkohë mjaft të bëhej aritmetika e thjeshtë: “Sa ishin në numër kriminelët, ndër 1 milion emigrantët shqiptarë  që punonin kokulur në Europë?” Me logjikë të thjeshtë një pakicë e pakonsiderueshme. Ndryshe Europa do ishte mbushur me kriminelë shqiptarë ndërkohë që sot shembujt e krimeve shqiptare janë gjithnjë e më të rralla, dhe mjaft të ulta në përqindje popullsie në krahasim me mjaft popuj të tjerë. Koha tregoi që në mjaft raste(jo gjithnjë), ishim diskriminuar padrejtësisht, por që edhe nuk kishim ditur të mbroheshim e as të mbronim pjesën e mirë të imazhit tonë. Fakti që krimet shqiptare jepeshin gjerësisht në televizione e media të huajav, krijonte një efekt të amplifikuar negativ,, tërhiqte vëmëndjen e shtynte në përgjithësime të gabuara.  Tabloidizimi dhe sensacionalizimi i cdo fakti , qoftë i rremë a i drejtë, si sinjifikativ për shqiptarët, i vuloste të gjithë ata si kriminelë. C’bëhej për të kundërtën? Asgjë. Madje as në mediat tona kombëtare. Shto këtu edhe një kompleks inferioriteti, krijuar sidomos që në kohë të diktaturës, e që e stimulonte këtë qëndrim negativ karshi vetes, unit shqiptar.  Në të kundërt tek ne cdo i huaj shihej si perëndi, superior dhe kjo e thellonte më tej inferioritetin. Por gjithsesi imazhi është ende në nivele të ulta. Ka, sidomos në Lindje, miliona njerëz, që përbëjnë potencial të madh turizmi, që ende, edhe si rrjedhim  i influencës e propagandës së fqinjëve, japin a kanë ende përfytyrime të një Shqipërie krimi, bunkerësh e varfërie ekstreme. E përsëri sa pak punojmë ne për të zhbërë ate që bëri fillim-emigracioni i viteve 90).

Në disa raste informacioni ndonëse jo negativ, është i gabuar. Dhe kjo përsëri është negative për ne,sepse le shkas për keqiterpretime. Ne madje ende nuk japim informacion të saktë se kush jem në të vërtetë edhe në disa aspekte fondamentle si besimi fetar, origjina, historia etj., dhe bota na njeh sic i është servirur a sic e ka mësuar gabim. Kështu p.sh në përfytyrimin e presidentit Xhorxh Bushi ne ishim, sic shhprehu ai, një komb islamik në Europë. Ndonëse me konotacionin pozitiv ”një komb i mirë islamik”. Imazh ky që askush nuk ja korigjoi a saktësoi. Po a jemi ne të tillë? A ka Islami kaq peshë tek ne? Po Krishtërimi? Pa mohuar aspak besimin e një pjese të njerëzve(madje atë të njerëzve jo vetëm në të trija fetë bazale por edhe në sekte e kulte), tek ne besimtarët e vërtetë që zbatojnë ritet, që njohin  dogmën fetare,.që kanë kuturë e besim të vërtetë fetar, janë shumë pak në raport me popullsinë. Kjo është e vërteta. Sidomos rinia beson shumë pak. Ky është fakt edhe në Itali e Europë, ku besimtarët në moshë të re janë shumë pak. E këtu ne jemi si Europa e s’kemi ndonjë dallim të madh nga të tjerët. Këtu s’ka agjë as për tu mburrur e as për tu mërzitur. Thjesht realitet që duhet thënë sic është.E vërteta është se ne jemi kryesisht popull jobesimtar në një shtet laik.

Por e keqja me informacionin e gabuar që ka edhe Xhorxh Bush, (i cili ekziston edhe te shumë të tjerë në botë madje kohë më parë,) vjen më pas. Nga interpretimi a keqinterpretimi i tij. Ky informacion i keqtajtuar, i marrë si fillim si informacion i gabuar, keqpërdoret dhe kalon në keqinformim edhe me qëllim denigrimi. Përsëri goditet reputacioni. Kështu reputacioni a nami për ne, në mjaft media e studime të huaja, është që ne e ndrruam fenë dhe u bëmë muslimannë, pasi vdiq Skënderbeu, ose me ryshfete ose për të ruajtur privilegje dhe që atëhere fillon dëmtimi i imazhit të shqiptarëve e cilësimi i tyre si delja e zezë e Ballkanit. Më tej, Europa e shihte vendin tonë si koloni turke dhe për ca studiues e politkanë të tjerë ballkanas, ca nga injoranca e ca nga ligësia apo interesat politike, ne rezultonim, sidomos në shek. 19, si “fanatikë turq”. Këtu etiketimi kalon në reputacion të keq. Madje në mjaft dokumenta ne rezultonim të tillë, fanatikë islamë turq, madje edhe në kohën e diktaturës, kur Shqipëria zyrtare mburrej e deklarohej si ateiste. Ka mjaft shembuj të tjerë të këtij lloji ku lexuesi a shikuesi i huaj gjen e ushqehet me foto e tekste që vazhdojnë atë që është thënë ndër vite, dekada e shekuj për Shqiipërinë. Ai vetë nuk ndërton dot opinion e kështu konsumon të gatshëm pleh mediatik. Mediat e huaja kanë dhënë jo rrallë  informacion standard, stereotipe kulturore. Sensacione, korrupsion politik, drogë,etj.,  E aspak të vërteta apo vlera qoftë edhe pjesërisht të mira e pjesshëm të këqia.. Të tjerë, sidomos ballkanas apo vende të ish kampit socialist, e shohin këtë vend me inat nën trysninë e psikologjisë me të cilën garuesi i parafundit sheh atë të fundit, duke dashur t’i thotë Europës së zhvilluar: “ ej mos na ngatërroni me këta që janë pas nesh.. ne jemi më përpara se këta...jemi pranë jush...” Madje për arsye të frikës nga kompleksi i inferioritetit ballkanik, popuj si slovenët e kroatët nuk e quajnë veten ballkanas.  Me këtë reputacion negativ duhet të habitemi vërtet nganjëherë se sa e jashtëzakonshme ka qenë hyrja në NATO për ne. “This is a miracle…”  ky fragment i fjalës së Berishës atje, në një aspekt nuk është aspak emfatik, por një habi legjitime, për një vend si yni që arrin të përfshihet në aleancën më të fuqishme të botës. Është vërtet në një aspekt, një mrekulli. (pa harruar natyrisht interesat gjeopolitike) që me gjithë ato paragjykime negative e imazhe shpesh të tilla të perëndimit për ne, ne u pranuam në në NATO.

A ua ushqejmë jo rrallë të huajve vetë ne me inferioritetin, naivitetin tonë, imazhet e reputacionin e gabuar për Shqipërinë?
Pa dyshim që po. Një gazetar e njëherazi operator turistik më thoshte dikur se të huajt s’kanë interes për Rivierën tonë. Për rredhojë  i conte turistët diku andej nga rruga e vjetër Ballshit, sot ndofta ndër rrugët më të këqia në Shqipëri. Një tjetër e shpinte Majkell Paulin në majë të Sari Salltikut të shihte dervishët dhe  deshët që thereshin për kurban atje(sa përqind të shqiptarëve përbëjnë bektashinjtë, e sa madje e njohin a kanë ide për këtë fe a sekt fetar tek ne). E c’do të shkruante e transmetonte Paulin pa kësaj. Shihni filmin e tij e lexoni librin e tij: vec impresion nga gjaku i kuq i dashit të therur dhe bunkerë. Dhe një shprehje konkluduese:”Shqiptarët vërtet kanë shumë dëshirë të shohin nga perëndimi por me këmbët të ngulura fort në Lindje ama”. “Në të vërtetë ata këtë donin të shihnin” justifikohej gazetari. “Kjo ju pëlqen, kjo është e vecantë”. (A thua nuk ka të vecanta të tilla deri në metropolet më të zhvilluara të botës?)

Po c’duan të shohin të huajt në të vërtetë? Dhe c’u japim ne? Jo rrallë, si rrjedhim i vetëparagjykimeve tona negative e vetëreputacionit negativ, kompleksit të inferioritetit por edhe dëshirës për tu bërë interesantë, madje edhe të mosnjohjes mirë të vendit tonë as nga vetë ne, ne u servirim të huajve më të keqen a atipiken e këtij vendi. Por edhe për tu plotësuar si dikur dëshirën e të huajve udhëtarë për të parë tek ne primitiven, ekzotiken, të pacivilizuarën, ndonjëherë vetëm virtytet tradicionale por gjithsesi primitive të paprekura ende nga modernizim. Kështu ne jemi parë dikur si vend mitesh e legjendash, por gjithsesi primitiv, e sot rrezikojmë në disa raste të bëjmë të njëjtën gjë. Miku im e i të ndjerit Teodor Keko, hollandezi Nick Van Dyke, na shihte ne shqiptarët si llafazanë të këndshëm, dembelë  të dashur, thashethemexhinj që rrimë me orë të tëra para filxhanit të kafesë. Dhe kaq ëndërronte që kur të dilte në pension(kur të dilte në pension ama) të rrinte e të kalonte një pjesë të mirë të jetës së mbetur, jashtë në natyrë, te Kafe Europa mes miqsh e dashamirësish kuriozë shqiptarë që me aq habi e veneracion (pse jo me kompleks inferioriteti) shihnin një të huaj. Ky ishte imazhi i tij fillestar. Në të vërtetë kjo ka ndodhur në fillimvitet 90 e shumë gjëra kanë ndryshuar , por gjithsesi kjo ndodh ende. Ne rrallë hyjmë në mendjen e të huajve për të kuptuar c’dinë ata për ne, si na konceptojnë e më pas për ta ndryshuar këtë imazh aty ku mund të korigjohet(se edhe pjesërisht kanë të drejtë). Dhe ne ju a japim këtë imazh të huajve shpesh si e duan, që t’ju pëlqejmë, që të bëhemi interesantë, se nuk dimë ta japim ndryshe(edhe kjo është aftësi të japësh më të mirën tënde) apo nën trysninë e një kompleksi të pashërueshëm inferioriteti. Të huajt donin e duan edhe sot pjesërisht, të shohin a të dëgjojnë, të lexojnë për  fshatrat e sidomos ato të veriut në stadin e tyre të pazhvillimit. Dhe ne shpesh përsëri vetëm këtë u japim. Madje e ka bërë këtë dikur edhe  Kadareja me përshkrimet e tij tejet ekzotike të veriut epik në “Prillin ei thyer” etj. Pra jo vec kemi folur por edhe kemi shkruar sipas shijes së lexuesit perëndimor. Shkruajmë sic është thënë, edhe për të huajt, për tu pëlqyer syresh. Aq sa kjo “ekzotikë” e kobinuar me prapambetjen e krijuar nga regjimi komunist, u shty deri aty në fundshekullin 20, sa edhe në formë anekdotike u tha se Shqipërinë, Europa do ta ruajë të pandryshuar si muzeum të dështimit të sistemit komunist. E si mund të ishte ndryshe kur kjo ushqehej jo vec prej prapambetjes e vetsharjes por edhe me budallallëqet e Ramizit që edhe kur më i fundit në Europë e mori vesh se komunizmi kishte marrë fund, vazhdonte të deklaronte se ne  ”as hapemi as mbyllemi” ...po ecim përparaJ.Si gjithmonë të vecantë apo paradoksalisht ekzotikë politikë.

Në vitet e fundit ky ushqim inferioriteti e prapambetjeje politike, ekonomike, psikologjke, u jepet të huajve edhe nga politika e media jonë. Dhe kështu ndodh që shpesh të huajt gjejnë këtu mes shqiptarëve djem të zellshëm që nga naiviteti ose nga kompleksi i inferioritetit, urrejtja për kundërshtarin politik a dëshira për tu bërë interesantë, u servirin politikanëve gazetarëve të huaj atë që ata duan të dëgjojnë madje ca më keq, edhe për korrupsionin sot, prapambetjen, paradokset e administratës etj. Shpesh këtë e gjejmë edhe te raportet e BE ku gazetarët tanë a opozitat tona(kësaj radhe për përfitime politike) me zell e furnizojnë Europën me informacionet më negative, shpesh të ekzagjeruara, që kaq shumë i shfrytëzon më pas politika duke shtyrë më tej procesin e nxirjes e negativizimit të reputacionit kombëtar.  Edhe këtu pavarësisht nga instrumentalizimi, janë një pjesë e shqitarëve që nxijnë a paraqesin anët më negative të vetes së vet, vendit të tyre.

Dhe përsëri c’do bëjmë për ta ndrequr këtë? Për unin tonë? Për unin real? E për unin tonë sipas europianëve?Pse të mos themi që vec injorancës ka rreth nesh edhe keqdashje e albano-përbuzje(shumë më tepër se albanofobi). Por nga ana tjetër duhet të jemi ne vetë, sidomos ne vetë që duhet të mbajmë përgjegjësi për atë cka shkruajnë e thonë për ne të huajt. Se nuk dimë të mbrohemi, se vetë me koshiencë a pa vetëdije paraqitemi keq. Por edhe  se mjaft gjëra duhen ndrequr më tej, se infrastruktura do ende kohë të shkojë te Europa, se ndricimi i rrugëve, sinjalistika, shërbimi shëndetësor, siguria  etj. kanë probleme, se vërtet ende calojmë në shumë drejtime...etj.,

Thelbi është të bëjmë një bilanc:”Sa e kemi të dëmtuar ne imazhin tonë, edhe ashtu të sakatuar,, ndër shekuj..dhe sa kemi bërë ne këta 23 vjet(shumë pak vërtet)që ta ndreqim, ta meremetojmë sado pak e më tej ta cojmë te e mira. Detyrë e vështirë por që rëndësi ka të shtrohet drejt, e më pas të zgjidhet. Reputacioni,imazhi, identiteti janë rrjedhim i një  trysnie e procesi zhvillimi të vazhdueshëm dhe këto edhe për ne nuk mund të mbeten statikë. Identiteti i popujve është i tillë, që nëse zhvillimet reale pozitive, lufta për rindërtim të tij, e reja, nuk reflektohen në media, online, e më pas në mendjet e njerëzve,rezultati i trysnive të tjera do të vazhdojë të jetë për ne, jo thjesht keqinformim por më keq, dizinformim. Duhet luftuar fort për të kundërtën.