Ylli Pango: Kabllot për mua, thashetheme pazari

05/09/2011 15:01
(intervista e plotë publikuar në MAPO)

Ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, flet për kabllogramet e ish-ambasadorit të SHBA-së, John Withers, për shkarkimin e tij, valën e armiqësive që u ngrit në PD kundër tij, jetën e tanishme dhe përpjekjet për t’u ringritur.

Predator dhe plagjiator? Është mahnitëse sesi një ambasador mbledh nektarin e thashethemit shqiptar dhe e dërgon atë si lajm a fakt në Departament të Shtetit. Kështu i përgjigjet ish-ministri i Kulturës, Ylli Pango, “etiketimeve” të ish-ambasadorit Withers, por edhe dallgës së “Wikileaks” që ka përfshirë opinionin publik. Në këtë intervistë për MAPO-n, Pango i rikthehet shkarkimit të tij nga kryeministri Berisha, “armiqësinë” e kryetares së Kuvendit, por edhe ringritjes ende të paplotë, pas video-skandalit. Pango përshkruan jetën e tij të tanishme dhe pozicionin e ri të punës si “makinë e tonazhit të rëndë, e ngarkuar lehtë”

Zoti Pango, këto ditë opinioni publik është përfshirë nga një dallgë e re skandalesh, sekretesh apo gjykimesh të ambasadës amerikane në Tiranë për jetën politike dhe publike në Shqipëri. Në kabllogramet që ish-ambasadori Withers ka dërguar në Washington figuron edhe “skandali Pango”. Si po e ndiqni ju të ashtuquajturën dosje “Wikileaks” dhe në veçanti si e keni përjetuar rikthimin e vëmendjes te çështja juaj?

Së pari, ju falënderoj që po më intervistoni dhe do të dëshiroja të vazhdonit të më kujtonit më shpesh, se kam ndërmend t’ju rrëfej juve e opinionit publik edhe mjaft gjëra të tjera interesante që nuk konsumohen me një intervistë. Them si fillim, sa për hyrje, se ish-ambasadori, po të mos ndiqte thashethemet e vogla shqiptare, por të interesohej pak, qoftë edhe duke hyrë në dokumentacionin ekzistues në ambasadë, do të binte në kontakt me disa nga 12 librat e mi. Dy prej tyre janë sponsorizuar nga: ambasada amerikane (libri “Amerika”) e një universitet i njohur amerikan (libri “Civic education-Education for Democracy). Do njihej me shkrimet e mia, dhe dëshmi të dokumentuara të marrëdhënieve të mia të shkëlqyer me amerikanët e ambasadën amerikane, ku jam ftuar gjithnjë si mik. Ato zënë fill që nga viti 1992, kur ata më dërguan për herë të parë me study-tour 2-mujor në ShBA për njohjen e sistemit demokratik amerikan, bashkë me funksionarë të lartë të mjaft vendeve të ish-kampit socialist, vijojnë me dhënien e bursës prestigjioze amerikane Humphrey nga USIA,(fituar me konkurrim e intervista të gjata), aso kohe Agjencia Amerikane e Informacionit apo Kulturës, me të cilën studiova në Boston University më 1994-1995, dhe vazhdojnë me vizitën e ambasadorit amerikan më 2003-in në fakultetin që drejtoja unë e deri me ambasadorin e fundit amerikan përpara z.Withers. Kështu, ai do të kuptonte se kishte të bënte me një njeri të penës e intelektual, i cili veç formimeve të tjera në vitet e demokracisë, mori edhe formim amerikan. Do të shihte që diploma ime e lëshuar nga Boston University është firmosur nga presidenti Klinton e se me mua duhej të mbante kontakt e të njihej me një goxha histori jete veç të tjerash të lidhur mjaft edhe me Amerikën. Por i ra shkurt e u informua ndryshe: në rrugë orale a ndryshe thashethemore. Nuk e di kush ia ka servirur informacionin që më pas serviri në kabëll për Departamentin e Shtetit, por mendja më thotë e ka gjasë siç ka ndodhur rëndom në Shqipëri, thashethemexhinj e ambiciozë të vegjël shqiptarë, pse jo mes tyre edhe ndoca nëpunës mediokër, që shërbenin fort njëanshmërisht prej vitesh në atë ambasadë. Gjithsesi, thashetheme të tilla më tingëllojnë fort të njohura prej vitesh e të dëgjuara siç e thashë rëndom në ato shprehjet tipike të inateve e ambicieve të vogla të luftërave mes vedi të disa shqiptarëve. Jam i bindur që asnjë amerikan nuk mund të japë informacione të tilla të pabazuara, pa fakte e keqdashëse që bien erë meskinitet e hakmarrje e ulët. Le të hidhemi te pyetja juaj. Kthimi i vëmendjes te çështja ime nuk është se ndodh për herë të parë. Ka ndodhur edhe mjaft herë të tjera e do të vazhdojë të ndodhë. Top Kanali do ta ndjekë për sa kohë të vazhdoj gjyqet kundër tyre e t’i kem fituar ato, siç i kam fituar deri tani. Mund të kenë transmetuar e ritransmetuar ligësisht qindra herë të njëjtat skena të videokasetës së montuar e të cunguar jo thjesht 30 sekonda, por përgjysmuar e sajuar me minuta të tëra, në mënyrën më të paligjshme e më të paskrupull. Pastaj kanë edhe një hall tjetër. Historia e tyre me mua, është e qepur me penj të kalbur dhe ua kanë thënë edhe profesionistët juristë që u shërbejnë, që Çakalli kësaj radhe e ka shkelur fare. Mirëpo nuk mund ta pranojnë. Mjafton t’u them si e kanë shpërndarë lajmin në gjithë botën, në media e agjenci të huaja, këtu e kudo: “vajza hallexheshë që kërkon punë dhe kërkimi i favoreve seksuale në këmbim të saj”. Kur në të vërtetë është: “vajza provokatore, që instruktohet si të joshë një ministër me hiret saj seksuale e dërgohet në shtëpinë e tij në mes të natës”. Dhe natyrisht, për ta kryqëzuar ministrin do të futet dhe kërkesa për punë në mes, si sebep”. Këtë lloj pisllëku mediatik në çdo vend të botës do e dënonin që në momentin e parë, duke e dënuar organizatorin Çakall, siç e tregon dhe vendimi i gjykatës franceze, por te ne gjithçka u trajtua kundër meje me llogari të bëra mirë. Isha paracaktuar për t’u provokuar, linçuar, pse jo asgjësuar. Ta dini mirë se po ta kisha lënë çështjen me aq, të isha zhdukur, të isha varrosur a vetëvrarë, siç dëshironin të më shihnin a siç rekomanduan se duhet të bëja dy gazetarë a botues të zinj të dehur, në një bisedë miqësore televizive mes tyre, pa dyshim nuk do të merreshin më me mua. Por nuk vdiqa… medet sa keq u erdhi… Për më shumë, çështja e Wikileaks tani shfrytëzohet nga media e opozita në një plan më të gjerë politik e nuk më kushtohet vetëm mua. Gjithsesi për Top Kanalin mbetem meze e preferuar, a ndryshe kockë e mbetur në fyt të qenit. Unë e kam thënë: këtë çështje do ta ndjek sa të jem gjallë dhe ajo mund të vdesë vetëm kur të vdes unë. Prandaj e ndjekin dhe e rindjekin edhe ata. Ua kam thënë rishtas atyre që më ngushëllonin me: “Hë mo, se çudia më e madhe 3 ditë zgjat”. “Jo miq jo, do e zgjasim e do e kujtojmë me Top Kanalin bashkë, sa të jetë jeta”( apo ndoshta, derisa ajo zonja që e ka tani Top Kanalin, mos t’i thërrasë mendjes e të vazhdojë të ndjekë Çakallin …)

Ish-ambasadori Withers ju ka etiketuar me dy fjalë: predator seksual dhe plagjiator. Cili është komenti juaj për këto gjykime?

Interesant…madje mahnitëse (sa keq) sesi një ambasador mbledh nektarin(vrerin) e thashethemit shqiptar, dhe e dërgon atë si lajm a fakt në Departament të Shtetit. (Meqenëse ra fjala, Departamentit të Shtetit, me rastin e botimit të Raportit vjetor dhe përmendjes me tone kritike të Vendimit të Gjykatës së Tiranës në favor tim atje, disa muaj më parë i kam dërguar goxha materiale: letrën time, videokasetën e plotë të pacenuar nga Top Kanali, vendimet e dy gjykatave në favor tim, të dhëna reale si u kurdis ngjarja, fakte, fakte, fakte e jo thashetheme). I kam dërguar edhe në institucione të tjera të keqinformuara europiane. A është e mundur të dërgohet kabllogram me “thuhet se”… Ndofta edhe po, pasi nganjëherë duhen thashethemet, kur nuk gjendet a s’dihet si gjendet e vërteta, por ky “predator” me pak interesim të zotit Withers, veç atyre që përmenda më sipër lidhur me raportet e mia me amerikanët, do t’i rezultonte një dekan i zgjedhur dy herë nga stafi i tij për 6 vjet, një dekan që me kolegët hapi degë të reja si: Shkenca Politike e Psikologji, që e bëri Fakultetin nga me 300 në me 2300 studentë e i dha atij fakulteti një emër të madh, të panjohur më parë. Një dekan që e rindërtoi fakultetin e parë edhe fizikisht me amfiteatër modern, me auditore të reja e që për këtë arsye u zgjodh ndër fakultetet e tjera të vizitohet nga ambasadori amerikan i atëhershëm (Xhefri?), paraardhësi i zotit Withers. Dhe ai erdhi në mars 2003 e u foli hapur studentëve për demokracinë krah për krah me “predatorin seksual”, dekanin Ylli Pango. Interesant, si nuk u informua ky ambasador i atëhershëm te kush po shkonte? Dhe ishte aso kohe, në kulm të karrierës ky “predatori”, prej 4 vjetësh në krye të detyrës si dekan. Ku u bazuan këto akuza? Kush u ankua gjatë 10 vjetëve punë në fakultet si pedagog e dekan? Askush. Asgjë nuk ka ndodhur, askush nuk di gjë veç thashethemexhinjve. Nuk ka asgjë tjetër veç punës për fakultetin dhe pas gjithë kësaj pune kolosale, për ambasadorin paska mbetur vetëm thashethemi “predator”, që na është dërguar me kabllogram. Për më shumë, aso kohe, për rreth 5 vjet ky “predator” ishte i lidhur e bashkëjetonte me një femër, gjë kjo që dihej botërisht nga të gjithë, dhe askujt nuk i shkonte ndërmend e askush kurrë nuk e akuzoi në dhjetëra vjet karrierë akademike me një sajesë kaq të ndyrë. Por ambasadori ynë e ndjeu më të kollajshme të dëgjonte thashetheme pazari dhe më pas kur ndodhi pseudoskandali, të bashkohej a besonte korin linçues duke dërguar kabllogramin në sintoni me të. Tani të vijmë tek etiketa tjetër e plagjiaturës: nëse ka një fushë ku të gjithë ata që më njohin e më kanë lexuar, më vlerësojnë mbi të gjitha, është ajo e penës a e letrave. Jam autor i 12 librave, ndër të cilët edhe i librit mjaft të shitur me përshtypje udhëtimi “Amerika”, një kopje të të cilit ia kam dërguar ambasadorit të atëhershëm amerikan (viti 1996) dhe një tjetër tani ambasadorit të tanishëm të nderuarit zotit Arvizu me dedikesë. Botimi i këtij libri, siç e thashë, u sponsorizua nga ambasada e atëhershme amerikane me 5000 USD dhe atasheu i nderuar Walsh, një libërdashës i shquar, u interesua personalisht për shtypjen e librit në Itali. Ishte libri i parë i plotë i një shqiptari me përshtypje udhëtimi për Amerikën. Lidhja ime me Amerikën, admirimi im për të, studimet pasuniversitare atje dhe mjaft lidhje të tjera ma bëjnë akoma më të pamerituar atë kabllo ngarkuar me thashetheme. Pastaj vijnë libra të tjerë si: “Psikologjia e të menduarit të fëmijës”, për të shkruar të cilin ky “plagjiator” takoi qindra fëmijë në mbarë Shqipërinë, nga Tropoja në Konispol, për të njohur e përshkruar nivelin e tyre të inteligjencës; libri “Krim” me analiza për këtë fenomen të frikshëm në Shqipërinë e tranzicionit, viktimë e të cilit ishte edhe vetë; libri “Edukimi qytetar –edukim për demokraci”, përsëri sponsorizuar nga amerikanët e mjaft libra të tjerë. Ku është plagjiatura? Ah po. Te tekstet mësimore të degës së Psikologjisë që i tmerrojë me volumin e vet. Më lejoni t’ju bëj të ditur thashethemexhinj që e ngatërruat kaq keq zotin Withers, se në tekstet mësimore pa dyshim shfrytëzohen njohuritë bazë e ligjet tashmë të zbuluara, për t’ua dhënë ato në mënyrë sa më të tretshme studentëve a nxënësve? A mund të quhet plagjiator një autor tekstesh fizike, fjala vjen, që në tekstin e shkruar prej tij përmend, shpjegon, formulon ligjet e Newtonit, Ainshtainit etj. A mos mund vallë ta akuzojnë se u kopjoi a vodhi teoritë? Në një nga tekstet e mi, fjala vjen, flitet për depresionin, fobitë, stresin etj., të cilat natyrisht nuk i zbuloi a përkufizoi Ylli Pango, por që për t’ua dhënë studentëve si lëndë mësimore pa dyshim shfrytëzoi literaturën më të mirë bashkëkohore, e pajisi edhe me shembuj, me aparat testesh, me detyra, me mënyrat e diagnostikimit e u dha atyre dhe shqiptarëve që e duan dijen, një libër që është ribotuar dhjetëra herë e që përmbledh në vetvete ajkën e dijes njerëzore në këtë fushë. Referencat i shënoi natyrisht po në libër, siç bën çdo autor. Dhe të mendosh se libri u shkrua a u përmblodh muaj të tërë, kur autori ishte në shtëpi i plagosur nga bomba famëkeqe. (Ja dhe shpërblimi…plagjiator). Si nuk ia tha njeri këto ambasadorit, xhanëm…Gjynah, por thashetheme të mira nuk ka a nuk zënë vend në kabllo. Gjithsesi, nëse pas mijëra faqeve të botuara e leksioneve e gjithë karriera ime akademike reduktohet te një vlerësim thashethemi kabllor, kjo do të thotë se shkrimtari periferiko-mediokër Kiço Blushi ka të drejtë kur gëzohet e ngazëllehet e thotë qoftë bekuar Wikileksi shqiptar që na ka kujdes e na jep kaq të dhëna të sakta e sharje për çdo shqiptar. Rroftë ky Wikileks që na kujdeset e na mbron e dijet e informacionet na i shton. E grindjet mes vedi na i shumon, do të thoshte Kadriu. Ky mazohizëm patriotik i Blushit, që ngopet a kënaqet që në Wikileks na dolën të palarë (lexo: u thashethemuan) të gjithë, (Nano që nuk e bëri më deputet e jo më ministër Kiçon, Meta që nuk e mori fare parasysh, Rama e Berisha që e harruan), është për t’u admiruar dhe vijon në traditën më të mirë të urrejtjes së shqiptarit për shqiptarin. Urime Kiço! Por le të jemi indulgjentë e le të themi se Withersi ishte nën efektin e përshtypjeve të 10 ditëve të para të qametit kundër meje, të thirrjeve histerike për linçim e djegie të librave të mi, të shkuljes së tabelave me emrin tim nga ministria, e ndokund tjetër ku pata lënë gjurmë. Le të themi se ende nuk e kishte parë variantin origjinal të kasetës që u zbulua e publikua më vonë në Youtube (edhe tani atje është), apo fakteve të tjera. Le të themi se si përfaqësues i demokracisë më të madhe në botë nuk arriti të bëjë dallimin midis “një vajze të gjorë që ka shkuar të kërkojë punë (në mes të natës gjysmë e zhveshur!)” siç e përhapi në të gjithë botën Top Kanali (unë nuk kisha ndonjë media timen de!) dhe të “vajzës që është dërguar edhe herë të tjera te meshkuj të tjerë (ka procese gjyqësore për këtë), për t’i provokuar me seks, me sebepin e kërkesës për punë”, kundrejt pagesës, natyrisht. Botuesi juaj i nderuar e i mençur, ish-studenti im Henri Çili, e ka thënë hapur në media:”Ajo që regjistroi Top Kanali, nuk ishte ngjarje reale, ishte provokim, sajesë, dhe kjo e rrëzon gjithçka”. Por nuk u leverdis ta shohin siç është, por siç u duhet për të varrosur dikë. Le të themi se ndikoi mbi ish-ambasadorin edhe fjalimi i Jozefinës, që unifikoi vajzat tona të mira, bijat tona (ruajna Zot!) me ato pak që shiten te Filipi për punë të ndyra. Ishte aq i fuqishëm e aq i zi ky fjalim, sa nuk mund të mos e nxinte disi edhe kabllon tonë. Kjo vajzë e shitur që, sipas avokatit palaço, “vuri dinjitetin e saj në rrezik”, nuk ka jo më dinjitet e nder, por as atdhe. E ka ndërruar siç mund të bëjë edhe padroni a paguesi i saj jo shqiptar herët a vonë. Ka goxha dallim me vajzat që kërkojnë punë, apo jo?

Në kabllogramet e botuara në media, shkarkimi juaj i rrufeshëm prej kryeministrit Berisha analizohet me amortizimin e dy skandaleve të mëparshme të qeverisë: atë për Gërdecin dhe rrugën Durrës-Kukës. Kur analizoni atë moment të karrierës suaj politike, a mendoni në fakt se ndaj jush u ndoq një standard i ndryshëm dhe i padrejtë nga ai i ish-kolegëve, të cilët akuzoheshin për çështje shumë më të rënda?

Kryeministri Berisha është pyetur disa herë në vijimësi për këtë. Mua më kanë pyetur për të tjera gjëra në atë pak akses që më është dhënë në media pas shkarkimit tim rrufe në qiell të zi…(Ishte natë…)

Zoti Pango, duke u nisur sërish nga komentet e Withers, thuhet se shumë në Partinë Demokratike nuk ju pëlqenin, mes të cilëve edhe nënkryetarja Jozefina Topalli. A kanë qenë këto kabllograme një zbulim edhe për ju dhe a mendoni se rrënimi i karrierës suaj politike lidhej edhe me faktin se askush nuk ju mbështeti?

Këtu kablloja, ndonëse bazuar në thashetheme, përsëri sheh një pjesë të çështjes, atë thashethemore. Pa dyshim, kryetarja e Kuvendit e disa të tjerë kanë dashur edhe më shumë se kaq kundër meje (ju thashë, kam mjaft histori të bukura për të rrëfyer). Kur më pyesin “Ç’kishte me ty Jozefina”, u them të tregohen objektivë: “Mos i bini në qafë Jozefinës”. Jo, nuk e ka vetëm me mua. Si fillim e kishte me çdo grua që guxonte të ishte prurje e re në PD. Vite më parë. Po t’i kujtoni shumë nga ato nuk janë më as në forume e askund. Më vonë e pati me KOP-in. Është disi për të qeshur, por kur u formua KOP-i dhe kudo u hap fjala (e ka kablli këtë?) se “këta të KOP-it do të jenë qeveria”, Jozefina shkoi te Berisha dhe shumë e mërzitur e pyeti përse nuk e përfshiu në KOP. Natyrisht ai u habit (ajo ishte ku e ku më shumë, nënkryetare partie etj.). Por Jozefina mendonte se çdo i ardhur i rrezikonte karrierën. (Edhe partinë e ndiente si pronë që po ia merrnin). Ca më keq një grup i tërë. Kështu që për të mos i ngrënë hakun, ajo që në fillim ndjeu dhe e lëshoi urrejtjen nga zinxhiri drejt grupit, në tërësi, si KOP. Më pas në varësi të karrierës që bëri secili, natyrisht do të urrente më shumë ministrat, të suksesshmit, ministrat (femra), të rinjtë. Tashmë kushdo i di skenat e hapura të fyerjeve të saj karshi ministrave në detyrë, madje dhe në sallën e Parlamentit. Por kjo nuk duhet marrë aq me të keq. Në fund të fundit, lufta brenda llojit thuhet është më e ashpër se ajo me kundërllojin. Gjithsesi për mua, për të mos i ngrënë hakun, kishte edhe një urrejtje ekstra, më të zezë se zakonisht, madje më të zezë se ngjyra e bojës së flokëve, se vazhdimisht më vinin deputetë që më thoshin se në tryezat e kafenesë së Parlamentit më nxirrte ujë të zi sterrë nga pas shpine. Ndofta më urrente edhe sepse mendonte se do të kisha qenë pedagogu i saj. Meqë ra fjala, një nga shkollat që ka mbaruar në Tiranë, shkolla e Studimeve Europiane, ka qenë pjesë e fakultetit që drejtoja unë dhe e kemi themeluar me kolegët e mi kur isha dekan, në kuadrin e një projekti të Komuniteti Europian. E shikoni si vinë punët. Studentja ha profesorin. Dhe njerëzit thonë: “Ç’kishte ajo me ty?”. Po pjesërisht për këtë kablli ka të drejtë. Por nuk kam faj unë pse na urrente Jozefina, apo jo? Zoti e shpëtoftë nga gjithë ai vrer se nuk i mbaroka kurrë dhe vreri i tepërt një ditë mbyt vrerziun. Sa i takon të tjerëve në PD, karriera ime tregon se nuk e kisha keq me disa të tjerë, apo jo? Me më të madhin natyrisht e kam fjalën. Edhe me njerëz të tjerë, të drejtë, që më vlerësonin punën. Por natyrisht zhurmën më të madhe e bëjnë të papunët e kafeneve. Me thënë të drejtën, veç atyre, që natyrisht ushqenin urrejtjen e bekuar brenda llojit, ka patur edhe deputetë të PD me të cilët ruaj marrëdhënie të mira edhe sot. Nga ata që ishin e s’janë më, por dhe aktualë. Gjithsesi, Jozefina është një personazh mjaft interesant nga pikëpamja psikologjike. Veç të tjerash, mishëron më së miri sindromin e Stokholmit, por për këtë mund të flasim më me hollësi një herë tjetër. Pa të keq. Psikologjikisht. Kësisoj nuk përbën zbulim kablli në këtë aspekt ashtu sikurse nuk përbëjnë zbulim thashethemet e hershme që pata dëgjuar nga kundërshtarët e mi në po ato forma që i mori e i dha kablli alias ambasadori.

Ju keni fituar tashmë dy procese gjyqësore: njërin në Shqipëri kundër Top-Channel dhe tjetrin në Francë kundër televizionit që transmetoi videon tuaj. Për këtë të fundit është shkruar në media se keni fituar 1 euro. A mund të na përshkruani eksperiencën tuaj me këto dy beteja ligjore dhe me sistemin e drejtësisë?

Në Shqipëri me Top Kanal, ka përfunduar pjesa e parë e lojës. Është me 4 pjesë si basketbolli. Gjykata e shkallës së parë ka dhënë 400 000 euro gjobë, siç dihet, për Top Kanalin. Top Kanali, (besoj se nuk fyhen t’u drejtohem Shqip, si Rudina), e ka hedhur në apel. Presim pjesën e dytë të ndeshjes, që po zgjat ca si shumë për të filluar. A nuk mendoni edhe ju: që nga qershori i vitit të kaluar dhe nuk po na vjen radha. Po ndërkohë presioni vazhdon që shkalla e dytë të jetë e kujdesshme, se ndryshe do e sulmojë edhe atë Top Kanali i gjithëfuqishëm, siç sulmoi Agim Bendon. Një arsye tjetër pse vazhdon e do të vazhdojë të bëjë zhurmë Top Kanali për çështjen time, me transmetime e ritransmetime. Më pas është Gjykata e Lartë e më pas Strasburgu. Ja një përgjigje përsëri për pyetjen tuaj: përse vazhdojnë t’i bien pareshtur legenit të pseudoskandalit seksual, ndërkohë që është provokim i organizuar, incizim i paligjshëm, ndërhyrje (transmetim ) i jetës private dhe shkatërrim me konsekuencë i imazhit, edhe pse Gjykata e shkallës së parë ka vendosur të mos ketë më transmetime të asaj kasete. Unë u them vijoni: “Një herë e një kohë kur Filipi shërbente te revista e partisë, Hosteni, ish-kryeredaktori, i ndjeri Niko, i thotë: “po mjaft more i re të njëjtit person, pse vetëm me një kryetar a drejtor do merremi ne?” Po Lipja ishte e mbetet i zi. Nuk njeh kufi. Është, pra, edhe çështje terbieti, do me thënë. Jo vetëm çështje kanali.

Sa i takon gjyqit në Francë, një gazetë ka gënjyer si mjaft herë të tjera. Shuma nuk është 1, por 2000 euro (lexojeni te vendimi i Gjykatës franceze të Nanterrës, Paris, publikuar edhe në faqen time zyrtare yllipango.com), dhe është justifikuar me të drejtë pse është kaq: së pari, sepse dihet se është fituar gjyqi në Shqipëri dhe gjykatësit francezë ndonëse më dhanë të drejtë, nuk duan që gjykimi të përdoret si mjet fitimi disa herë. As unë nuk e kam atë qëllim. E dyta, sepse cenimi i reputacionit në Francë, ku nuk më njohin, nuk është si në Shqipëri, ku njihesha nga kushdo e imazhin e goditën mizorisht pa dashur t’ia dinë.

Keni pohuar pas publikimit të videos apo linçimit publik se jeni ndjerë krejt vetëm, miqtë ju kanë braktisur e bashkëpunëtorët gjithashtu. Më pas jeni kthyer në auditor dhe duhet të keni pasur momentet tuaja të vështira aty. Si është sot jeta e Ylli Pangos dhe sa keni mundur ta rikuperoni personalisht dhe profesionalisht?

Nuk është e vërtetë. Asnjë mik nga ata që kam ndenjur, kam punuar, kam studiuar, bashkëpunuar, nuk është larguar. Nga doli kjo? (Ah, ndonjë servil ministrie po, nga ata që sa herë ndërrojnë shef shajnë paraardhësin). Kanë ardhur miqtë radhë radhë dhe po ju them se me përjashtim të natës e ditës së parë, kur nuk dola i çmeritur nga gjithë ai llum e vrer që po më derdhej sipër, të gjitha ditët e netët e tjera kam qenë vazhdimisht jashtë shtëpie me miq, dashamirës, përkrahës, madje janë botuar dhe foto herë-herë, duke ma quajtur dalje të parë në publik pas ngjarjes, çdo dalje, ndërkohë që kësisoj i bie që ka pasur qindra dalje të para. Nga një për secilën media. Lufta ime ka filluar që me daljen e parë tek emisioni Opinion në Klan dhe vazhdon e do të vazhdojë. Jeta ime ka qenë e do të jetë gjithnjë aktive, krijuese. Kam shkruar dy libra ndërkohë, jam marrë me gjyqet, kam lexuar, kam themeluar Agjencinë që drejtoj (mars 2010), kam udhëtuar, kam jetuar…Fuqishëm. Nuk më vrasin dot. Çfarë s’kanë thënë: braktisje, dëshirë për të vrarë veten, pallavra. Natyrisht kam qenë shumë më pak publik se dhe mediat nuk mund të merreshin më me mua si më parë, qoftë si ministër qoftë si “predator”. Kishte gjah tjetër.

Me emërimin tuaj në krye të Agjencisë së Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit u duk se Berisha bëri një “mea culpa” të heshtur për shkarkimin tuaj brenda 4 minutash. Sa e gjeni veten te kjo detyrë dhe cilat janë sot marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin?

Nuk mendoj se është kjo “mea culpa” e Kryeministrit. Veten në këtë agjenci e gjej pjesërisht. Si njeri i ardhur nga bota akademike, po. Si kapacitet, si ngarkesë pune, ndihem si makinë e tonazhit të rëndë e ngarkuar lehtë. Këtu nuk është fjala për pozitë, siç u parapëlqen ta komentojnë media-gratë e liga. Po për dëshirë për punë për një workahoolic, siç kam qenë unë. Agjencia që drejtoj varet nga Kryeministri. E kam takuar disa herë për raportim e probleme pune të Agjencisë...

Cila është analiza juaj për zhvillimet e fundit politike në vend dhe a ushqeni ju ambicie për një rikthim në politikën aktive?

Zhvillimet politike ia vlejnë një intervistë më vete. Jam gati. Nuk kam ambicie politike, sepse asnjëherë nuk kam pasur. Së paku të atij lloji që kanë ata që quhen politikanë në Shqipëri. E sidomos ata që nuk bëjnë dot gjë tjetër. Ambicia ime qysh në vegjëli kanë qenë letrat, të shkruarit. Vetëm kur ulesha e shkruaja ndihesha mirë. Por nuk mjaftonte. Duheshin eksperienca, jetë e gjallë, aktivitet. Dhe unë i provova e i kam pasur të gjitha. Nga më të ëmblat e deri te më të hidhurat. Nga kënaqësia e fitoreve, mbarimi i fakultetit shkëlqyer, në degën e matematikës 5-vjeçar, ku pranoheshe në bazë rezultatesh, studimet e suksesshme në psikologji, punët që kam kryer, zgjedhja ime si shef sektori në Institutin e Studimeve Pedagogjike, fitorja në zgjedhjet e fakultetit dy herë si dekan, fitorja e fuqishme si deputet në zonën 38, që e kujtojnë me admirim në lagjen time, caktimi ministër e zëvendësministër, dashuria, udhëtimet etj., etj. E pastaj deri te më të hidhurat: pragvdekja nga bomba më 2003, anatemimet e atëhershme nga një pjesë e medias e politikës, shpifjet, sharjet, ndonëse me plagë në trup, e deri te kjo e fundit, provokimi, intriga, pseudoskandali e më pas linçimi, që kanë qenë e janë kulmi i poshtërimit e urrejtjes njerëzore karshi një njeriu. Më lejoni t’ju them që jo vetëm unë, por shumë njerëz, përshirë Kryeministrin e kanë quajtur me plot gojën, linçim. Linçimi i fundit i postdiktaturës. Nuk ishin çuar ndonjëherë ashtu njerëz, individë të pështirë, media të tëra, organizata masash si atëherë, zell i paparë, vrer. Ju nuk mund ta përfytyroni ende pa e provuar në kurrizin tuaj, se ç’do me thënë mizori mediatike e politike. Mizori e disave që nuk u duket gjë të shkatërrosh me sharje e shpifje një personalitet të ngritur me djersë e punë për gjysmë shekulli. Ta godasësh një njeri me dru pas koke, pa pritur e pa kujtuar, pa asnjë shkak. Thjesht për ta shkatërruar, zhdukur, me urrejtje, ligësi, si qen. Se edhe sot nuk di të kem pasur qoftë edhe një viktimë për të merituar së paku në emër të saj gjithë atë ligësi njerëzore derdhur së toku. Lere pastaj të mendonin për familjen, nënën, motrën, djalin etj., se si mund të ndiheshin e ndihen ata kur vijimësisht edhe sot, vazhdojnë të dëgjojnë t’i nëpërkëmbet dinjiteti njeriut të afërm. Si nuk e kuptojnë që kjo nuk lejohet e nuk ndodh në asnjë demokraci. Si nuk mund ta imagjinojnë që çdo gjë ka kufi. Shtazëri! Kam një indulgjencë: Çakalli, autori i sa e sa shkatërrimeve njerëzore shqiptare, nuk është shqiptar. Ka kombësi të papërcaktuar qartë dhe jam i sigurt se i urren shqiptarët. Aso kohe, në kohën e Partisë së Punës, kryeredaktori i tij, i ndjeri Niko, thoshte: “të ishte një kohë tjetër, ky na vriste të gjithëve. Po ia kemi nevojën. (Ishte fjala për nevojën për talentin e tij për të shkatërruar njerëz, që aso kohe Partia e Punës e vlerësonte mjaft, për talentin e zi)”. Dhe kjo kohë erdhi. Sot me qindra njerëz, falë atij emisioni që i bën të qeshin e kënaqen disa, janë shkatërruar psikikisht, janë ndarë nga familjet, kanë ikur, ka madje edhe të vrarë, si vajza nga Vlora. Mendoni sa shtrenjtë paguhet me fate njerëzore ky farë talenti. Kush është ky demon që dënon njerëz kësisoj mizorisht e që vazhdon të shijë e të korrë në Shqipëri? Në cilin vend demokratik i jepet kaq pushtet një shtaze vrastare si kjo? Kam dëgjuar në intervista nja dy ambasadorë të vendeve të vogla europiano-perëndimore që e paskan preferencë emisionin e tij. Mrekulli, zotërinj! Përhapeni këtë eksperiencë të fanarit ndriçues në vendet tuaja. Hyjani incizimeve, regjistrimeve të paligjshme, invadimit të mjediseve private…Apo nuk ju lejojnë atje. Apo ka ca të drejta njeriu, apo jo? Epo këtu po…këtu është gallatë, Shqipëri hesapi, shaka e lezeçme, kavie njerëzore. Si puna e kabllit të thashethemeve… Megjithatë, qëllimin final karshi meje e kam pasur të qartë: kanë dashur varrosjen përfundimtare. Me tituj, me grada, me aktivitet, me libra, me gjithçka. Nuk lanë gjë pa shpifur e pa thënë, vjedhje në institut, abuzime në ministri, vajza që ankoheshin. U hetuan të gjitha dhe rezultuan shpifje e thashetheme. Tani së fundmi këto kablloret. Me këtë lidhet edhe ajo deklarata e disa injorantëve në media, e heqjes edhe e së drejtës së dhënies mësim. Meqë ra fjala, nuk ka asnjë heqje a kufizim të drejte të tillë. As me ligj e as formalisht. Në cilin vend të botës, zoti ambasador, u hiqka kjo e drejtë kështu, që ju paska zënë meraku se mos jepkam sërish mësim në fakultet. Lere që edhe me pak logjikë pastaj, “si mund të rrezikojë cilëndo në institucion, një njeri që nuk dëmton as prostitutën në shtëpi të vet?”. Kam punuar e vazhdoj të punoj në institucione publike e askush nuk është ankuar kurrë për as edhe një gjë të vogël. Pyesni femrat që kanë punuar e punojnë me mua. Në daçi edhe meshkujt, zoti ambasador. Jam e do vazhdoj të mbetem Profesor (kështu më thërrasin shumica) e Doktor dhe mësim mund të jap kur ta gjykoj të arsyeshme e aty ku vlerat e gjata të punës e të krijimit tim pedagogjik, njihen e respektohen

Sa i druheni, zoti Pango, faktit se, me gjithë rekordet profesionale, edhe nëse fitoni në të gjitha shkallët e gjyqësorit, do të vazhdojnë t’ju kujtojnë për të ashtuquajturin video-skandal?

Njeriu duhet të jetë i fortë t’i përballojë të gjitha. Motoja ime gjithë jetën ka qenë: kurrë mos u ep (dorëzo)!. Pastaj ka një fakt: ka natyrisht njerëz që janë kundër meje, armiq personalë, politikë, thjesht ambiciozë që urrejnë këdo etj. Siç edhe ka pasur para ngjarjes. Por ka edhe shumë pro siç edhe ka pasur. Unë mbështetem tek e mira. Madje them shpesh: “Edhe liderët më të fuqishëm e jo më ne, 35-40% të votave kanë marrë. Pjesa tjetër i shan e i sulmon sot e gjithë ditën. Pra, edhe unë kurrë nuk kam pritur të flasin të gjithë mirë. Më thotë një grua (si shumë të tjerë), një ditë në rrugë: “Ata që kanë dy bërthama këtu” (më tregoi vendin ku imagjinonte trurin), e kuptojnë që gjithçka ishte një sajesë. Mos e çaj kokën”. Unë mendoj: sajesa ndofta e fundit e stilit provokativ të kohës së Partisë së Punës. Ndonëse edhe atëherë nuk të hynte njeri në shtëpi të të regjistronte e nuk merrej për provë një regjistrim i tillë. Pastaj kujtimet e të kujtuarit e proçkave të tilla, janë për ata që nuk punojnë e nuk luftojnë, që pinë kafe gjithë ditën e shohin e komentojnë njerëzit që ecin rrugës. Le ta kujtojnë atë ngjarje të sajuar ata që duan ta kujtojnë. Ata me të cilët punoj, jetoj, bashkëpunoj apo i kam miq, ata që shohin punën e tyre e kanë dy pare mend as që kujtohen e as merren me të tilla gjëra, por shohin punën. Veçse për ca sekonda kur dëshiron t’i kujtojë Top Kanali, që do të vazhdojë ta bëjë këtë me vullnet e dëshirë, sa kohë të humbasë gjyqe e të ketë Filipin e Filipër të tjerë të zinj atje

Kur ktheni kokën pas dhe mendoni për gjithë ç’keni humbur pas publikimit të videos, a keni ju një peng të madh për veprime që mund t’i kishit bërë ndryshe apo një mësim të vyer mbi jetën, që keni nxjerrë në ato ditë të vështira?

Unë isha në punën time. Kisha bërë e po bëja shumë punë të mira për trashëgiminë kulturore e turizmin që nuk ishin bërë më parë. Punoja, shkruaja. Mua duhet vetëm të më linin të punoja, siç punoja nga mëngjesi në darkë. Unë nuk kisha ç’bëja ndryshe edhe se goditja më erdhi pas koke pa i bërë dëm njeriu. Gjoja për të mirën publike, siç u mbrojt Top Kanali, e siç tha një palo avokate V. Meçe, që gjoja mbron të drejtat e njeriut, por në fakt i shkel ato me ligësinë e injorancën e saj. Nuk di a dini ju ndonjë të dëmtuar nga unë mes publikut, që disa u kreshpëruan ashtu. Kë kisha dëmtuar më parë, kush u ankua, ku janë viktimat e këtij predatori. Vetëm shpifje, thashetheme, pse të mos e themi, për një njeri që u verbonte sytë me suksesin e punës së vet. Se, sa për Filipin, të thuash që na e mbron ai moralin e shqiptarëve, jo shqiptari, njeriu i kazinove e i njëmijë e një të ligave, është për të vrarë veten. Pastaj ju duhet ta dini që unë nuk e kam goditjen e parë në jetë. Më 2003-in desh më vranë me bombë. Madje, edhe shpifën kur unë përpëlitesha nga plagët. E kam njohur ligësinë njerëzore deri në ekstremin e saj. Nuk kam ardhur nga pambuku. Mësime jete u jap unë sa të doni, por në Shqipëri ende është ndryshe nga bota. Këtu mund të punosh sa të duash e të gdhihesh një ditë me plumb pas koke a i shkatërruar krejt se dikujt i do qejfi të të marrë në qafë. Këtu fshihet me një të rënë pas koke e gjithë puna e karriera e një jete të tërë. Këtu mungon ende hierarkia e vlerave. Për mua ende këtu vazhdon të goditet ai që punon e intelektuali, të shpifet për të. Se ka ende shumë mediokritet, paaftësi, ligësi, provincializëm, primitivizëm, ... dhe shumë, …shumë universitete. Por duhet të jetojmë këtu e ta ndryshojmë këtë. Jo si mjaft nga ata që ikën duke mallkuar Shqipërinë. Nuk e them për formë, por këtu ka edhe shumë njerëz me botë, fisnikë, të zgjuar, që nuk e hanë sapunin për djathë, ka intelektualë të vërtetë. Dhe unë i njoha këta kur më goditi e liga e madhe. Dhe këta ishin gjithashtu një faktor që mbeta në këmbë. Një pjesë të mesazheve të tyre i kam publikuar te libri im “Skandal”. Por shumë të tjerë më kanë shkruar më vonë, më kanë takuar, më kanë mbështetur. Sidomos gjatë kohëve të vështira, por edhe pas fitoreve. Jo, nuk identifikohet Shqipëria vetëm me maskarenjtë. Ka mjaft njerëz të mirë e fisnikë. Këta janë Shqipëria e së ardhmes. Prandaj nuk duhet lënë Shqipëria. Duhet luftuar këtu me antishqiptarët. Më vjen keq që një pjesë të kohës së punës produktive për të bërë të mira publike (kam punuar mbi 35 vjet në sektorin publik) duhet t’i shpenzoj edhe për betejat gjyqësore. Por ç’t’i bësh. Duhet. Aq më shumë që kjo betejë vlen shumë edhe për të tjerë e për t’i ndalur rrugën së keqes që maskohet me petkun e moralit. Të tjerët shpëtuan me këtë rast. Sepse, të jeni të sigurt, që një ngjarje si kjo nuk përsëritet më kurrë. Nuk guxojnë më. Madje edhe për mua hezituan gjatë. Por Çakalli ka kaq urrejtje për shqiptarët sa ua mbushi mendjen atyre që hezitonin ta ekzekutonin këtë pisllëk mediatik. Dhe e nisi e e bitisi të ligën. Zoti e ndihmoftë paskëtaj!

Nëse do t’ju duhej të jepnit një definicion për historinë e jetës suaj, cili do të ishte ai?

Jo e zakonshme. Me shumë ulje ngritje. Por …kam shumë lëndë për të shkruar ama